pngtree-ramadan-lantern-isolated-arab-style-decoration-lamp-image_15582967

DHJETË NETËT E FUNDIT TË RAMAZANIT

PËRKUSHTIMI PËR ADHURIM

Nuk mund të bashkohet shfrytëzimi i dhjetëshit të fundit me shëtitjet nëpër tregje. Përse nuk nxitojmë t’i blejmë gjërat e nevojshme për ato ditë dhe për Bajram para se të vijë dhjetëshi i fundit?!

MOS U BËNI SI AJO GRUAJA QË E SHPRISH DHE E BËN FIJE-FIJE

Allahu thotë: “Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…” (En-Nahl: 92)

Kuptimi është mos u bëni si ajo gruaja e cila e ka tjerrë dhe e ka qepur fort petkun e pasi e ka përfunduar, e ka shprishur dhe e ka bërë fije-fije. Të ngjashëm me këtë grua janë ata që mundohen njëzet ditë të Ramazanit e kur vijnë dhjetë netët e fundit, që, në të vërtetë, janë tregu më i madh i veprave të mira, i lënë veprat e mira dhe angazhohen me blerje nëpër tregje.

Aisha i thotë: “Profeti ﷺ në dhjetëshin e fundit përpiqej në ibadet më shumë se në çdo ditë tjetër.”[1]

SHËMBËLLTYRË E MIRË

Profeti ﷺ, kur hynte dhjetëshi i fundit, përpiqej në ibadet, e ngjallte natën (me ibadet) dhe e zgjonte familjen e tij, i ënjteshin këmbët e tij nga qëndrimi i gjatë në këmbë, i rridhnin lotët derisa i lagej mjekra e tij dhe vendi ku binte në sexhde.

Rrugës së tij ecnin sahabët j. Ata e zgjatnin namazin e natës saqë kishin frikë t’u ikte syfyri. Edhe pas vdekjes së tij e vazhduan të njëjtën rrugë, saqë kur faleshin mbaheshin për shkopi nga qëndrimi i gjatë në këmbë.

DHE I USHQEJNË ME USHQIM

Gatimi i ushqimit dhe dërgimi i tij për t’i ushqyer njerëzit nëpër xhami ka shpërblim të madh, në veçanti, gjatë këtyre netëve ku nëpër xhami ka që qëndrojnë në itikaf dhe është nder të jesh në shërbimin e tyre. Pasi të ushqyerit e paska vlerën e madhe, atëherë sa e ka vlerën ofrimi i ushqimit për iftar apo syfyr? E sa do të jetë vlera e madhe kur dihet që atë ushqim e hanë adhuruesit dhe punëmirët?

EDHE ATA QË NUK AGJËROJNË ME ARSYE, KANË HISE

Shejtani gjatë dhjetëshit të fundit gruan me menstruacione dhe lehonën nganjëherë i huton, duke i angazhuar me zbukurimin e shtëpisë dhe me shëtitje për të blerë nëpër tregje. Realisht ka ibadete të shumta që ajo mundet t’i kryejë gjatë këtyre ditëve, si:

Meditimi në shenjat dhe argumentet e Allahut.

Llogaritja e vetes dhe të kujtuarit rreth të metave personale për t’i përmirësuar ato.

Përmendja e Allahut me zemër dhe me gjuhë.

Bërja e dhikrit dhe duave.

Leximi i Kuranit (në gjuhën arabe), pa e prekur me dorë Mus’hafin.[2]

Nënshtrimi i plotë ndaj caktimit të Allahut që e përcaktoi për të.

Bamirësia, vepra e mirë, dhënia ushqim, të qenët në shërbim të agjëruesve etj.

Meditimi i hadithit: “Ata që nuk agjëruan (në udhëtim), ua tejkaluan (agjëruesve) sot në shpërblim.[3][4]

NGA URTËSITË E FSHEHJES SË NATËS SË KADRIT

Allahu e fshehu Natën e Kadrit për umetin që ata gjatë krejt dhjetëshit të fundit të garojnë në vepra të mira dhe nënshtrime, të lakmojnë pas saj dhe lutja e tyre të jetë e sinqertë për çdo natë sikur ajo të jetë Nata e Kadrit. Besimtari kështu do të forcohet për adhurimin e Allahut për pjesën tjetër të mbetur të vitit.

NGA MIRËSITË E NATËS SË KADRIT

Allahu thotë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar (Natën e Kadrit)…” (Ed-Duhan: 3)

Nga mirësitë e Natës së Kadrit:

Vepra e mirë që veprohet në Natën e Kadrit është më e mirë se vepra e më shumë se një mijë muajve ku në të nuk është Nata e Kadrit (që i bie të jetë ekuivalente me jetën e një njeriu që vepron për tetëdhjetë vjet e katër muaj).

Në këtë natë ka zbritur Kurani.[5]

Numri i melekëve që zbresin në Tokë me mirësi dhe mëshirë është shumë i madh.

Kush ngrihet (për namaz nate) në Natën e Kadrit me besim në Allahun dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, i falen gjynahet e mëhershme.

Shpresohet që në këtë natë të pranohen lutjet. Për këtë shkak Pejgamberi ﷺ e porositi Aishen i të lutej: “O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua!”[6]

PËRPJEKJE NË ADHURIM DITËN DHE NATËN

Nga dukuria e pakësimit në adhurim gjatë dhjetëshit të fundit është rasti i disave që natën e shfrytëzojnë në adhurim, ndërsa gjatë ditës i gjen dembelë dhe përtacë. Disa të tjerë bile e tejkalojnë edhe këtë kufi, ata flenë tërë ditën derisa u ikën namazi i drekës dhe ikindisë.

Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, tregon për Sha’bij, Allahu e mëshiroftë, se për Natën e Kadrit thoshte: “Dita duhet të jetë si nata e saj.”[7]

Kjo nënkupton që pëlqehet përpjekja në adhurime gjatë gjithë dhjetëshit të fundit, natën dhe ditën.

NAMAZI I NATËS NË DHJETËSHIN E FUNDIT

Shumë prej xhamive namazin e natës në dhjetëshin e fundit e ndajnë në dy pjesë:

Ajo që ligjërohet është të falen të dy namazet (namazi i teravive në pjesën e parë të natës dhe namazi i natës në pjesën e tretë të natës), e ai që ka vështirësi t’i falë të dy namazet, më e mirë për të është t’i japë përparësi namazit të natës në pjesën e fundit të natës.

Nëse frikohet që natën nuk do të mund të zgjohet, më mirë është ta falë namazin e teravive dhe vitrin para se të flejë.

Nuk ka pengesë që teravitë të falen në një xhami e namazi i natës në një xhami tjetër.

Nëse e përfundon namazin me imam në xhami, pastaj do që të falë namaz shtesë dhe e di që në xhami tjetër e përfundojnë namazin më vonë, nuk ka pengesë të shkojë të falet te xhamia tjetër, por nuk e përsërit vitrin.

Më e mira është që ai i cili falet pas imamit, ta përfundojë namazin e natës me imamin që e ka filluar namazin dhe jo të shkojë në xhami tjetër ta përfundojë namazin me imam tjetër, në mënyrë që ta marrë shpërblimin sikur të jetë falur tërë natën. Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam. Nuk ka pengesë nëse e plotëson namazin në xhami tjetër, sidomos kur ka ndonjë dobi fetare.

Kush është i angazhuar me punë apo përton, apo nuk ka mundësi ta falë namazin në fund të natës me imam, për të mos e lënë, më e mira është ta falë vetë në shtëpi apo bashkërisht me familjen e tij, të përpiqet ta zgjasë sa të mundet dhe ta përfundojë me vitër, që mos t’i ikën shpërblimi.

NGA SHENJAT E NATËS SË KADRIT

Nga shenjat e Natës së Kadrit:

– Ajo natë është e ndritshme, e qetë, as e nxehtë e as e ftohtë.

– Nuk gjuhet në të me yll dhe meteor.

– Dielli në mëngjesin e saj lind pa rreze, i kuq dhe i dobët.

– Allahu e fshehu këtë natë që ta shtojmë mundin më tepër në adhurime dhe ta kërkojmë gjatë dhjetëshit të fundit për çdo natë sikur të jetë Nata e Kadrit.

Myslimani duhet të largohet nga mesazhet e pamatura, të cilat e përcaktojnë Natën e Kadrit, pa argument, sepse kjo çon të lihet përpjekja në adhurime dhe duaja në netët e tjera të mbetura të muajit. Andaj, të kapemi për adhurime dhe dua deri në ditën e fundit të muajit, duke pasur parasysh se Nata e Kadrit është nata ku caktohen kaderet e Allahut për robin për një vit.

PËRCAKTIMI I NATËS SË KADRIT

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dijetarët në mes vete kanë shumë dilema se cila natë është Nata e Kadrit, janë diku dyzet mendime, njëjtë sikur te dilema për orën e pranimit të duasë në ditën e xhumasë. E përbashkëta te Nata e Kadrit dhe te ora e pranimit të duasë në ditën e xhuma është se ato i fshehu Allahu që myslimani të përpiqet deri në maksimum në kërkimin e tyre.”[8]

Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më e saktë, sipas mendimit të dijetarëve, është se Nata e Kadrit lëviz, në ndonjë vit mund të jetë në natën e 21-të, në vitin tjetër në natën e 23-të, në ndonjë vit tjetër në natën e 25-të, në vitin tjetër në natën e 27-të, në ndonjë vit tjetër në natën e 29-të, ose në ndonjë vit mundet të jetë në netët çift.”[9]

NATA QË MË SË SHUMTI SHPRESOHET TË JETË NATA E KADRIT

Nga shtatë netët tek që shpresohet më së shumti në të Nata e Kadrit, është nata e 27-të e Ramazanit. Pejgamberi ﷺ ngrihej në këtë natë, e mblidhte familjen dhe gratë e tij dhe njerëzit deri në kohën e agimit.[10]

Numan ibn Beshir h tregon: “U ngritëm në natën e 23-të të Ramazanit bashkë me Pejgamberin ﷺ deri në një të tretën e parë të natës, pastaj u ngritëm natën e 25-të deri në gjysmë të natës, pastaj u ngritëm natën e 27-të deri në fund të natës, saqë menduam se do të mbetemi pa syfyr.”[11]

A LEJOHET TË KRYHET UMREJA NË NATËN E NJËZET E SHTATË?

Nata e 27-të e Ramazanit është nata ku shpresohet më shumë të jetë Nata e Kadrit, por nuk ka argument që duhet të veçohet me umre. Qëllimi është që kjo natë të ngjallet me adhurim, në veçanti me namaz nate, duke u mbështetur në hadithin: “Atij që e fal namazin e natës gjatë Natës së Kadrit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”[12] Pra, nuk ka thënë “kush e kryen umrenë atë natë”.

Po ashtu hadithi: “Umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin (në shpërblim)”[13], tregon që vlen për krejt Ramazanin dhe nuk ka thënë umreja në natën e 27-të është e barabartë me haxhin.[14]

KËRKOJENI ATË NË NATËN E FUNDIT

Me përfundimin e natës së 27-të, nuk ka marrë fund muaji i Ramazanit. Nata e 29-të, po ashtu, është natë e madhe në vlerë, e cila ndoshta mund të jetë nata e fundit e Ramazanit (varet kur del hëna e re e Shevalit, natën e 29-të apo të 30-të). Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në natën e fundit.”[15]

Falja e gjynaheve që premtohet në hadithe me namazin e teravive dhe namazin e natës, sipas hadithit, kuptohet që duhet të përfshihen të gjitha netët deri në natën e fundit dhe jo të veçohet me natë të caktuar. Andaj, të kërkojmë ndihmë nga Allahu që ta përmendim, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë si është më e mira.

VEPRAT SHPËRBLEHEN SIPAS PËRFUNDIMIT

Kali gjatë garave maksimumin e tij e jep kur vjen raundi i fundit. Kështu, ai që e jep maksimumin deri në fund, Allahu do t’ia falë gjynahet që i ka vepruar në të kaluarën. Pra, çështja lidhet me plotësimin e përfundimit dhe jo me mangësinë e fillimit. O Allah, na e mundëso ta presim Ramazanin tjetër me iman dhe me shëndet!

PAS PËRFUNDIMIT TË HATMES SË KURANIT ME IMAMIN

Nëse imami i fal teravitë me hatme dhe atë e përfundon në natën e 27-të, kjo nuk nënkupton që pas përfundimit të hatmes me imamin, ta lësh anash namazin e teravive dhe namazin e natës në netët e mbetura të fundit. Hadithi “Atij që e fal namazin e natës gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës”; nënkupton se përfshihen të gjitha netët e muajit Ramazan, e jo derisa imami ta përfundojë hatmen. Kështu disa mashtrohen dhe u ikën shpërblimi i premtuar në hadith apo pakësojnë nga shpërblimi. Qëllimi nuk është të përfundohet leximi i Kuranit, por të ngjallen netët e krejt muajit me adhurim. Nata e 29-të mund të jetë nata e fundit e muajit dhe të jetë Nata e Kadrit, por, fatkeqësisht, disa i shohim që e anashkalojnë këtë natë me pretekst që imami e ka kryer hatmen në natën e 27-të dhe s’ka nevojë për përpjekje në ibadet, e kështu e humbin mundësinë ta marrin shpërblimin e Natës së Kadrit.

NUK PAKËSOHET SHPËRBLIMI I TYRE

Disa kanë problem me kuptimin e hadithit të Pejgamberit ﷺ: “Dy muajt, muajt e Bajramit, nuk janë të mangët: Ramazani dhe Dhulhixhe”[16]

Thuhet në komentarin e hadithit se, në përgjithësi, nuk ndodh që të dy muajt të jenë të mangët (nga 29 ditë) brenda një viti.[17]

Megjithatë, kuptimi më i saktë është se nuk pakësohet shpërblimi i premtuar, edhe nëse ditët e tyre nuk janë të plota (nga 30 ditë).

Për këtë arsye, ai që është zotuar se do të qëndrojë në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, nëse muaji përfundon me 29 ditë, e ka realizuar zotimin e tij, edhe pse ka qëndruar në itikaf 9 ditë dhe jo 10 ditë, sepse muaji ka përfunduar më 29 Ramazan.

[1] Muslimi (1175).

[2] Lejohet prekja dhe leximi i Kuranit që është me përkthim në gjuhën shqipe, ndërsa në gjuhën arabe lejohet të preket me dorëza apo peshqir, e të ngjashme me to. Kurse për ato që lexojnë përmendsh, nuk është problem, mund ta përsërisin pa problem gjatë kësaj periudhe. (sh.p)

[3] Sahabët kishin dalë në udhëtim për luftë së bashku me Pejgamberin ﷺ. Ishte i nxehtë i madh, disa agjëronin e disa të tjerë ishin pa agjërim. Agjëruesit shkaku i agjërimit, i nxehtit të madh, lodhjeve të rrugës dhe përgatitjes për betejë, nuk ishin në gjendje të ishin në shërbim të plotë, në krahasim me ata që nuk agjëronin. Këta  u dhanë ujë deveve, u shërbyen agjëruesve dhe ndihmuan të lehtësohej rrugëtimi i tyre e kështu ata i morën shpërblimet e veprave të veta dhe shpërblimin sikur të agjërueseve pa pakësuar gjë nga shpërblimi i agjëruesve, shkaku i angazhimit me punët e veta dhe me punët e agjëruesve. (sh.p.)

 

Dr. Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë e librit: Zahireja e agjëruesit (është i përkthyer në gjuhë shqipe)

 

[4] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Enesit h.

[5] Në këtë natë ka zbritur Kurani përnjëherë i tëri nga libri amzë ‘Levhi Mahfudhi’ në qiellin e dynjasë që quhet ‘Bejtul Izzeh’.

[6] Tirmidhiu (3513), Ibn Maxhe (3850), shejh Albani e saktësoi.

[7] Lataiful Mearif (fq. 228).

[8] Fet’hul Barij (4/262).

[9] Mexhmua Fetava Ibn Uthejmin (13/454).

[10] Ebu Davudi (1375), Tirmidhiu (806), shejh Albani e saktësoi.

[11] Nesaiu (1606), shejh Albani e saktësoi.

[12] Buhariu (2014), Muslimi (760), prej hadithit të Ebu Hurejrës h.

[13] Buhariu dhe Muslimi , prej hadithit të Ibn Abasit h.

[14] Fetava Ibn Uthejmin (5/263).

[15] Ibn Huzejme (2189), prej hadithit të Muavije ibn Ebi Sufjan k, shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami’ (1238).

[16] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Ebu Bekrasë h.

[17] Qëllimi është se muaji Ramazan nganjëherë është 29 ditë dhe pas saj vjen dita e Bajramit, e ndonjëri mund të mendojë që nuk e ka arritur shpërblimin e plotë, sepse muaji nuk është plotësuar me 30 ditë, prandaj ndihet keq në zemër dhe dyshon për shpërblimin e plotë. (sh.p.)