Në tetor të vitit të kaluar ishte prezantuar modeli i ri i telefonit të kompanisë kineze, Meizu MX4 Pro, i cili sjell karakteristika të avancuara sikurse procesorin 8-core Samsung Exynos CPU, ekranin quad-HD, 3 GB RAM dhe kamera tejet cilësore.
Mirëpo, e veçanta e këtij modeli ishte sistemi operativ YunOS (shkurtesë për Aliyun OS), një platformë e bazuar në Linux e zhvilluar nga gjiganti i tregtisë online, Alibaba.
Dy kompanitë patën paralajmëruar partneritetin e tyre në kohën e lansimit të MX4 Pro.
YunOS është përpjekja e kompanisë Alibaba për të depërtuar në tregun botëror mobil si rival i ardhshëm i Google dhe Apple.
Dhe kufizimet e qeverisë kineze ndaj platformave mobile amerikane bëjnë që dyert të jenë më lehtë të hapura për kompaninë Alibaba, e cila tani ka njoftuar se ka blerë një pjesë të vogël të aksioneve në Meizu për një çmim prej 590 milionë dollarësh.
Alibaba do ta ketë një kanal të dedikuar për ta nxitur YunOS, dhe Meizu do të kenë qasje në kanalet e konsiderueshme të shitjes dhe shpërndarjes nga Alibaba, së bashku me burimet e tjera të kompanisë. (Telegrafi)