Parlamenti Evropian ka votuar pro miratimit të lëvizjes së lirë pa viza për mbajtësit e pasaportave serbe në Kosovë të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe, transmeton Anadolu.
Eurodeputetët votuan me 406 vota pro, 97 kundër dhe 94 abstenime për të mbështetur udhëtimin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian deri në 90 ditë, duke bërë që i gjithë Ballkani Perëndimor të ketë të njëjtën liri të lëvizjes në BE.
Raportuesi Matjaz Nemec tha se ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë.
“Zgjerimi i liberalizimit të vizave të BE-së për banorët serbë të Kosovës është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve, të cilët mbeten kategoria e vetme e banorëve të Ballkanit Perëndimor që ende kërkojnë viza për të udhëtuar në zonën Schengen”, theksoi ai.
Meqenëse PE miratoi propozimin e Komisionit Evropian pa ndryshime, ai mund të hyjë në ligj pasi të miratohet edhe nga Këshilli i BE-së. Vendimi do të hyjë në fuqi në ditën e njëzetë pas botimit në “Gazetën Zyrtare” të BE-së.