5eacb3cd484460.70432085

PËRFUNDIMI I ZULLUMQARËVE

* Faraoni ishte ndër zullumqarët më të mëdhenj që Allahu ia përshpejtoi dënimin dhe na lajmëroi për fundin e tij. Ai tejkaloi çdo kufi, i shtypi mizorisht bijtë e israilit dhe e arriti kulmin e arrogancës: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En Naziat, 24) Dhe tha: “Unë ju tregoj vetëm atë që shoh…” (Gafir, 29) Dhe tha: “Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (El Kasas, 38)

E si ishte fundi i zullumit të Faraonit?

Allahu thotë: “Prandaj Allahu e goditi atë me dënim në jetën tjetër dhe në këtë jetë.” (En Naziat, 25)

Dhe thotë: “Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (El Kasas, 40)

* Zullumqar tjetër i madh ishte Karuni. E shtypte mizorisht popullin e vet dhe u tregua arrogant kur Allahu i dha aq shumë thesare, saqë çelësat e tyre me vështirësi i mbante një grup njerëzish të fuqishëm. Po ashtu tejkaloi çdo kufi kur pretendoi se çdo gjë e kishte fituar me diturinë e tij. E si ishte fundi i tij?

Allahu thotë: “Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.” (El Kasas, 81)

* Ebraha, pronari elefantit, deshi ta shkatërrojë Qabenë gur më gur, por Allahu kundër tij lëshoi shpendë që vinin tufë-tufë.

* Çfarë fundi të keq pati Ebu Xhehli, Faraoni i këtij umeti, dhe Umeje ibn Halefi, koka e devijimit e dinakërisë, dhe paria e fiseve të tyre që bënë zullum në Tokë, i shtypnin mizorisht, i torturonin dhe i mbytnin besimtarët e parë?

Dolën në Betejën e Bedrit kinse do të fitojnë, duke u mashtruar me numrin e ushtarëve, por harruan që lufta ishte kundër Allahut. Aty u shkatërruan zullumqarët dhe u asgjësuan sulmet e tyre. Beteja përfundoi me fitoren e myslimanëve që u treguan durimtarë në këtë situatë.

Dr. Muhamed Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Fragment nga libri: “LIGJET E PANDRYSHUESHME TË ALLAHUT TE KRIJESAT E TIJ” (I përkthyer në gjuhën shqipe)