DYNJAJA NË PESHOREN E SHERIATIT

Falënderimi i takon vetëm Allahut, i cili i shumëfishon veprat, i falë mëkatet dhe e pranon pendimin e robit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Dynjaja është vend i provës dhe i belasë dhe fushë për ahiretin, ku njeriu sot mbjell në dynja për të korrur nesër në ahiret. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”. Mulk 2.

Allahu i Madhëruar dynjanë e përshkruan si kalimtare dhe shkatërruese dhe thotë: “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim”. Rrahman 26-27.

Kjo jetë e dynjasë pas të cilës garojnë njerëzit karshi ahiretit është shumë e vogël. Allahu thotë: “Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm kënaqësi kalimtare”. Rad 26.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Krahasimi i dynjasë me ahiretin është porsi ndonjëri prej jush që fut gishtin e tij në det, dhe të shikojë se çfarë mbart”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “E ç’kam unë e dynjaja? Vërtet, shembulli im dhe shembulli i dynjasë është si shembulli i udhëtarit i cili fle nën hijen e një peme në një ditë vere pastaj shkon dhe e lë atë”.

O ju robërit e Allahut, dynjaja nuk është vend i përhershëm, po është kalimtare. Nga ajo ditë kur vendoset këmba e njeriut në këtë dynja, ai është udhëtar drejt Zotit të tij dhe jeta e tij e caktuar është kohëzgjatja e udhëtimit të tij. Ditët dhe netët janë periudha të jetës së tij, të cilat vijnë vazhdimisht njëra pas tjetrës, derisa të përfundon udhëtimi i tij. I mençur është ai që din ta shfrytëzon dhe të kujdeset për çdo periudhë sikurse kujdeset për dy sytë e ballit të tij.

Zemrën nga meditimi i këtyre realiteteve rreth dynjasë e pengojnë joshja e tokës dhe sprovat e dynjasë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me një hadith thotë: “Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër”, që nënkupton, e ëmbël në shije dhe e gjelbër në shikim. Nëse një gjë është e ëmbël në shije dhe në shikim e mirë, njeriu sprovohet me të. Kështu është edhe dynjaja, e ëmbël dhe e gjelbër, Pastaj i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vazhdon dhe thotë: “dhe Allahu ju ka bërë mëkëmbës në të, që të shikon se si do të punoni”.

Kurani Fisnik dynjanë e përshkruan si një lule, e cila lulëzon me freskinë dhe bukurinë e saj, dhe e cila ia tërheqë shikimin të gjithëve e pastaj, për një kohë shumë të shkurtër fillon ajo bukuri dhe freski t’i vyshket, dhe fryma ta dëmton e në fund ta shkatërron, sikurse të mos kishte qenë fare. Shembulli i dynjasë është i njëjtë, lule sprovuese, zhytëse dhe mashtruese. E ka thënë të vërtetën Allahu në Librin e Tij: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli; bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë! Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim)“. Kehf 45-46.

Ky përshkrim preciz e paraqet realitetin e dynjasë në peshoren e Islamit, me qëllim që njerëzit të mos bëhen rob të saj dhe t’i mashtron gjelbërimi i saj dhe ajo të bie shkak e të ndikon në ahiretin e tyre. Nuk është nga logjika e shëndoshë që robi ta shet ahiretin me dynjanë e tij dhe të shton nga haramet për ta kënaqur epshin e tij.

Njerëzit zakonisht vrapojnë pas dynjasë nga frika e humbjes së saj dhe nga dëshira për shtim. Për hir të saj sakrifikojnë shumë kohë të vlefshme dhe ballafaqohen me mundime të rënda, kurse në anën tjetër i sheh se e neglizhojnë çështjen e namazit, nuk e falin me xhemat apo edhe fare nuk i kushtojnë rëndësi, dhe nuk japin nga pasuria që Allahu i ka furnizuar.

Jeta e dynjasë pa marrë parasysh se sa e arrin bukurinë e saj, nuk peshon sa një kokërr zalli karshi begative të ahiretit. Dhe ajo që është më e madhja nga sprovat dhe belat e dynjasë nuk mundet të barazohet me një xixë të vogël të dënimit të Xhehenemit.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, frikohej për umetin e tij se mos binte pas dynjasë dhe frikohej nga të sprovuarit me të.  Amru ibën Auf, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha njërit nga ensarëve kur i erdhi pasuri nga Bahrejni: “Përgëzohuni me atë që ju erdhi. Pasha Allahun nuk i frikësohem për ju varfërisë por frikësohem se do të shtrihet para jush dynjaja siç ndodhi me ata që qenë para jush dhe do të konkurroni për të ashtu siç konkurruan ata dhe do t`ju shkatërrojë siç i shkatërroi ata”. 

Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, me një hadith tjetër përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur të çlirohet Persia dhe Roma si do të veproni?” Abdurrahman ibën Aufi tha: Do të themi siç na ka urdhëruar Allahu. Muhamedi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Mund të veproni edhe ndryshe. Të konkurroni mes njëri-tjetrit (për dynjanë), pastaj do të keni smirë njëri-tjetrin, pastaj do të ktheni shpinat e pastaj do të urreni njëri-tjetrin”.

Këto janë disa nga gjurmët që lë dynjaja e tepërt, konkurrim, e pastaj urrejtje dhe zili, e pastaj vrasje dhe derdhje të gjakut. Prej gjurmëve që le dynjaja është shthurja, harrimi i Allahut dhe i botës tjetër dhe rënia në gjynahe dhe mëkate.

Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu e mëshiroftë atë popull, ku dynjanë e kuptuan si amanet për ta dhe  në fund ia dorëzuan amanetin pronarit të saj dhe pastaj u larguan nga ajo me lehtësi”.

Malik ibën Dinar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sipas sasisë së mërzisë për dynjanë, del nga zemra jote brenga për ahiretin. Dhe sipas sasisë së mërzisë për ahiretin del nga zemra jote brenga për dynjanë”.

Dashuria ndaj dynjasë i sundoi disa zemra të njerëzve, i lëvizën ato kah të donë derisa dynjaja është bërë brenga e tyre kryesore dhe i janë nënshtruar plotësisht, si rob të saj, gjë që ndikon dhe len gjurma të këqija në ahiretin e tyre. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për këtë lloj të njerëzve thotë: “Ka humbur robi i dinarit dhe dërhemit. Nëse i jepet diçka kënaqet e nëse nuk i jepet gjë nevrikoset.” 

Disa të tjerë u veshën me petkun e varfërisë, mjerimit e nënçmimit, u larguan nga të mirat dhe u tërhoqën nëpër skaje dhe faltore me pretekst, të jemi më të lirë për adhurim dhe për të bërë vepra të mira për ahiret. Kjo bëhet shkak që ata më vonë të goditen nga përtacia dhe dembelia dhe të sprovohen me sëmundjen e pritjes ndihmë materiale nga të tjerët, e cila sëmundje do ti shkatërron dhe nga adhurimi do ti largon. Humbja e baraspeshës mes çështjeve të dynjasë dhe fesë, e dobësoi umetin dhe e largoi nga luajtja e rolit të saj në udhëheqjen e popujve.

O ju robërit e Allahut, Islami nuk e pengon përdorimin e gjërave të mira dhe të pastra dhe nuk e qorton fitimin e dobive dhe përdorimin e ushqimeve dhe pijeve dhe pasurive: Thuaj: Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”. Earaf 32.

Nga ajo që folën më lart nuk duhet nënkuptuar se Islami nxit të lihen shkaqet e ndërtimit dhe të përparimit të dynjasë dhe të përfituarit nga dobitë e saj, po qëllimi është që njeriu të merr nga dynjaja atë që ia ka lejuar Allahu dhe në anën tjetër ia tërheq vërejtjen ë të mos i bëhet dynjaja mjet i mashtrimit, dhe t’ia ngrit vlerën mbi çdo gjë dhe me të njeriu ta humb vetëdijen dhe ta shkatërron fenë dhe moralin.

Dynjanë të cilën e qorton Islami është ajo e epsheve dhe dëfrimeve, ajo e cila të largon nga dhënia e të drejtave dhe detyrimeve dhe të zhyt në gjynahe dhe mëkate, dynja e cila të preokupon nga Allahu dhe ta harron ahiretin. Allahu dëshiroi që dynjaja të jetë nën sundimin tonë, mirëpo erdhën disa me ambicie të ulëta dhe refuzuan çdo gjë përveç se të jenë rob të saj. 

Grada shembullore dhe ajo më e larta është ajo që i bashkon mes dynjasë dhe ahiretit, mes durimit dhe varfërisë, mes devotshmërisë dhe pasurisë, dhe kjo është arsyeja se pse i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: Sa e mirë është ajo pasuri, që është në dorën e një burri të mirë”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e luste Allahun duke thënë: “O Zot, më përmiso mua fenë time, e cila është mbrojtje e çështjeve të mia, dhe më përmiso dynjanë time, ku në të është jetesa ime, dhe më përmiso mua ahiretin tim, ku në të do të jetë kthimi im, dhe bëje jetën time të dynjasë vend ku do t’i shtoj të mirat, dhe bëje vdekjen time rehati për mua nga çdo sherr”.

Ndarja mes çështjeve të dynjasë dhe ahiretit është shkaku i prapambeturisë me të cilën u sprovua ky umet dhe nuk mundi ta përcjell mesazhin e saj. Disa nga njerëzit kur e kuptuan se dynjaja është të distancuarit nga jeta e dynjasë dhe të distancuarit nga ndërtimi i saj dhe nga përmisimi në të dhe largimi nga të thirrurit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, tek ata lindi dobësia, ndjenjat negative dhe të distancuarit nga të tjerët, gjë që e refuzon kjo fe. Allahu i madhëruar thotë: “Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)“. Bekare 201.

Të mirat e kësaj bote e përfshijnë çdo gjë të nevojshme nga dynjaja si, shëndetin, shtëpinë, furnizimin e gjerë, diturinë e dobishme dhe veprën e mirë, mjetin e udhëtimit të rehatshëm, etj. Kurse të mirave të ahireti i paraprinë ajo më e larta, hyrja në Xhenet, pastaj shpëtimi  nga frika e tmerrshme e Ditës së Kiametit, llogaritja e lehtë, etj.

Sahabët janë modeli më i mirë i kuptimit të Islamit. Ata i merrnin shkaqet e fitimit dhe furnizimit nga tregtia dhe të mbjellurave dhe kërkonin dituri, dhe për këtë qëllim e shpenzonin kohën dhe shpirtrat dhe pasuritë e tyre. Në mesin e tyre kishte pasanik mirëpo jo kryelartë, kishte të varfër, mirëpo të mbrojtur, nuk e shfaqnin veten para tjerëve, dhe me gjithë këtë ishin shumë larg shkatërrimit nga dynjaja. Ata çliruan vende, , ngritën qytete dhe shtete dhe e përhapën Islamin. 

Nga sahabët e mëdhenj kishte që ishin pasanik, mirëpo i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, qofshin mbi të, nuk i nxiste në lënien e pasurisë dhe tregtisë.. Dynjaja në jetën e tyre nuk vlente as sa një krah i  mushkonjës, siç edhe e përcjell Sufjan ibën Ujejne, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Nuk do të thotë se ti e donë dynjanë nëse ti e kërkon atë që të përmison”.

Seid ibën Musejeb, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Nuk ka hajr në atë njeri që nuk e kërkon nga dynjaja atë që i mjafton t’i lan borxhet e tij dhe ta mbron nderin e tij, kurse pas vdekjes së tij e le atë si trashëgimi pasardhëseve të tij”.

Dynja pra sipas botëkuptimit të Islamit është mjet për të arritur deri te qëllimet e sheriatit dhe për të arritur deri te fitimi i ahiretit. Pra besimtari pasurinë e sheh si mjet për të arritur deri te qëllimi final i tij, e ai është Xheneti i Allahut. Për këtë arsye ai punon dhe vepron në këtë botë dhe i kërkon të mirat e saj, mirëpo duke mos e harruar ahiretin: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët”. Kasas 77.

Kurani na paraqet gjendjen e atyre që shikimin kah jeta e dynjasë e kanë të ngushtë dhe të kufizuar, të cilët e njohin të jashtmen e saj, e cila është dëfrimi dhe kënaqësia, epshet dhe pasionet, ndërtimet dhe pasuritë, mirëpo nuk e njohin të brendshmen e saj: “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm”. Rum 7.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, qofshin mbi të, ka thënë: “Dynjaja është vendbanim i atyre që nuk kanë vendbanim, dhe pasuri e atyre që nuk kanë pasuri dhe asaj i bashkëngjitet vetëm se ai që nuk ka mendje”.

Ata që mendojnë se do të jetojnë gjatë, le ta dinë se nga dynjaja e tyre nuk fitojnë asgjë, edhe nëse i tubojnë të gjitha pasuritë dhe thesaret e dynjasë dhe tek ta prapë do të mbetet etja shpirtërore dhe ajo materiale edhe atë në vazhdimësi.

Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën”. Earaf 176.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU