thumbs_b_c_5ccb68c31dc2bb34c97d3ec34caf32ca

Kryeministri Kurti pret në takim ndihmës sekretarin amerikan, James C. O’Brien

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ndihmës sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, James C. O’Brien, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, përgjatë bashkëbisedimit në kryeministri Kurti dhe O’Brien diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve.

Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë kosovare për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe popullit të saj, si dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave, sigurisë dhe mbrojtjes.

Në takim u diskutua rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), si dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të aneksit të zbatimit. Po ashtu për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i krye-terroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Kryeministri Kurti në takim ishte i shoqëruar nga zv/kryeministri i parë, Besnik Bislimi. Ndërkaq, përkrah ndihmës sekretarit O’Brien ishte ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Ky takim u zhvillua më pak se një muaj nga takimi i fundit Kurti-O’Brien në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.