650x344-kuran-i-kerim-ne-zaman-kitap-haline-geldi-kuran-i-kerim-hangi-halife-doneminde-kitap-haline-getirildi-e1-1618466659709

ME MËSUESIN TIM TË KURANIT FISNIK

Tema e studimit tim në periudhën e magjistraturës ishte Vlerësimi i përgatitjes së mësuesit të Kuranit Fisnik në rajonin e Riadit[1].

Natyra e studimit tim kërkonte prej meje t’i vizitoja të gjithë mësuesit e lëndës së Kuranit në shkollat fillore atëkohë, të cilët, përafërsisht, ishin nëntëdhjetë mësues.

Pasi e përfundova temën e magjistraturës dhe e mbrojta para komisionit, pranova një thirrje nga Administrata e Vetëdijësimit Islam në rajonin e Riadit që të merrja pjesë në takimin e organizuar për drejtorët e shkollave të memorizimit të Kuranit. Qëllimi i tyre ishte që unë t’i demonstroja konkluzionet e studimit tim para drejtorëve të shkollave, duke e pasur parasysh se mësimdhënia e Kuranit ishte fusha e specializimit të tyre dhe ajo që u interesonte.

Shkova në takim. Ndërkohë më kaploi një shqetësim se nuk do të pranohej ndonjë konkluzion nga studimi im, ngase natyra e studimit shkencor dallon nga faktet që i monitoron drejtori i shkollës përgjatë punës që e zhvillon me mësuesin e Kuranit. Shumica e drejtorëve fokusohen në disiplinën e mësuesit dhe nivelin e memorizimit të tij, nivelin e memorizimit të nxënëseve etj.

Gjersa natyra e studimit shkencor përfshin përcaktimin e hollësishëm për përgatitjen e mësuesit të Kuranit dhe fokusohet në ato shkathtësi që duhet t’i posedojë dhe t’i përmbushë me mjeshtëri. Pra, studimi synon ta vlerësojë përmasën e realizimit të gjithë asaj që u përmend më herët te mësuesi.

Mirëpo, realisht më befasoi për të mirë reagimi i tyre, i mirëpritën dhe i miratuan konkluzionet. Ndoshta ato përputheshin me rolin e drejtorit, duke marrë parasysh faktin se drejtori është përgjegjës dhe drejtues.

Pas këtij takimi, drejtori i shkollës ku mësonin fëmijët e mi propozoi t’i mblidhte mësuesit e lëndës së Kuranit dhe unë t’ua prezantoja studimin tim. Ofertën e tij e pranova me zemërgjerësi. Shkova në takim me plot entuziazëm, duke i marrë parasysh mbresat e mira që i gjeta në takimin me drejtorët e shkollave fillore.

E prezantova studimin para mësuesve ashtu sikur e prezantova më herët para drejtorëve, duke u përkujdesur ta shkurtoja në disa pika që t’i përshtatej kohëzgjatjes së përcaktuar të takimit.

Por, në fund nuk doli mirë! M’u dha një goditje e rëndë që nuk e prisja. Nuk e mora parasysh që mësuesit në shkallë të parë përkujdesen për konkluzionet e studimit, ngase ato e përshkruajnë përgatitjen dhe punën e tyre, ndërsa drejtorët studimin e pranuan me një pamje krejtësisht tjetër, ngase aty nuk përshkruhej përgatitja dhe puna e tyre. Pra, dy qëndrime krejtësisht ndryshe.

Edhe pse konkluzionet e studimit nuk konstatonin se përgatitja e mësuesve në shkollat e tyre ishte i keq, megjithatë natyra e studimit kërkonte shfaqjen e dobësive, ashtu si i shfaqte edhe anët e shquara.

Kartela e posaçme për vërejtje përmbante një studim rreth disa frazave që numri i tyre arrinte deri në gjashtëdhjetë fraza. Çdo fraze i jepej theks i veçantë sikur frazës tjetër, mirëpo te studimi shkencor kjo gjë nuk synohet, sepse aty janë disa fraza që simbolizojnë peshë të madhe dhe trajtimi i tyre përgjatë studimit zhvillohet me përqindje.

Që nënkupton: Sa është numri i frazave që janë realizuar me nivel të lartë?

Sa është numri i frazave që janë realizuar me nivel të mesëm?

Sa është numri i frazave që janë realizuar me nivel të dobët?

S’ka dyshim se ka fraza që nuk janë realizuar te mësuesit, apo janë realizuar, por me nivel të dobët; andaj kur themi (dy të tretat e frazave janë realizuar me nivel të dobët), kjo nuk nënkupton se produktiviteti i mësuesit përbën veç një të tretën.

Thënë shkurt, u ballafaqova me replika të forta. Mësuesit në atë takim m’u drejtuan me kritika të ashpra, derisa njëri prej tyre më tha: “Si mund njeriu të nxjerrë një studim të paanshëm teksa ai rri ulur në zyrë të vet, duke shkruar dhe folur larg fushëveprimit?!”

Buzëqesha dhe thashë: Ju jeni në dijeni që unë këtë studim nuk e kam shkruar në zyrë, por kam zbritur në mejdan dhe e kam vizituar çdo mësues të Kuranit në rajonin e Riadit.

Më pas u mundova ta zbusja atmosferën e nxehtë të takimit, megjithatë gjërat nuk kthehen prej ku fillojnë.

Njerëzit karshi shumë temave që nuk u interesojnë qëndrojnë indiferentë. Kur ata nuk i prek tema, janë në gatishmëri të plotë të pranojnë çdo rezultat nga specialisti i fushës apo studiuesi. Mirëpo, kur studimi lidhet me ta, në përgjithësi, nuk i pranojnë aq lehtë studimet nëse nuk përputhen me informacionet dhe pikëpamjet e mëparshme të tyre.

Si shembull, kur flasim për natyrën e gruas para grave, apo për natyrën e adoleshentit para adoleshentëve, apo për natyrën e të moshuarit para të moshuarve; shumë prej tyre nuk i pranojnë kritikat tona, edhe nëse janë të vërteta dhe të vërtetuara me studim shkencor.

Po qe se do të më kthehej koha edhe një herë, do t’i lija anash disa konkluzione të studimit që nuk kishin ndonjë vlerë të madhe dhe nuk do të hyja në hollësirat që ua prezantova drejtorëve, ndërsa mësuesve do t’u thosha qysh në takimin e parë:

Ajo që juve do t’jua prezantoj e përfaqëson nivelin e përgatitjes së mësuesve sipas studimit që unë e kam arritur përgjatë vizitave të mia te të gjithë mësuesit e Kuranit në rajonin e Riadit dhe që numri i tyre arrinte nëntëdhjetë. Kjo nënkupton se këto konkluzione me të gjitha hollësirat e tyre nuk i përshtaten çdo mësuesi, madje as që ka gjasa të paramendohet kjo gjë.

Më pas, do t’ua demonstroja konkluzionet që i shfaqin anët e shquara në përgatitjen e tyre e që ato janë shumë; ku prej tyre përmendet, në formë shembulli dhe jo përkufizimi, se mësuesit e zotëronin mirë përmendsh Kuranin dhe punën e punonin me shkathtësi duke pasur parasysh se gjatë leximit tek ata nuk pashë ndonjë gabim të shquar, përkundrazi shumica e tyre i zotëronin mirë rregullat e texhvidit si dhe te shumica prej tyre pashë që nxënësit i trajtonin me edukatë dhe sjellje të mirë.

Të gjitha këto janë anë kryesore dhe, po qe se do t’i përmendja në fillim të fjalimit tim dhe të fokusohesha në to, e më pas t’ua prezantoja anët e dobëta, ndoshta do ta pranonin studimin tim dhe do ta realizoja atë që e synoja.

Më dha shumë dhembje reagimi i mësuesve, në mënyrë të veçantë fakti se shumë prej të pranishmëve ishin mësuesit e fëmijëve të mi dhe një numër prej tyre ishin nxënësit e mi (të cilët e kishin kryer shkollimin dhe ishin bërë mësues), ngase shkolla ku e mbaja fjalimin ishte afër lagjes ku jetoja.

– Mirëpo, sidoqoftë, nga kjo situatë mësova se disa gabime janë çmimi për t’i mbajtur mend mirë disa çështje të rëndësishme. Ndoshta mësuesit e kanë harruar këtë situatë apo ka mbetur në kujtesën e tyre nën hijen e turbulluar, ndërsa unë nga kjo situatë mësova diçka që nuk e harrova.

– Po ashtu, mësova se me rëndësi të madhe është të parashikojmë reagimin e njerëzve e, veçanërisht, të atyre që tema i prek personalisht apo bie ndesh me bindjet e tyre. Kjo nuk nënkupton fshehjen e realiteteve, por qëllimi është të zgjidhet mënyra më e përshtatshme dhe frazat më të buta gjatë prezantimit të tyre.

Pejgamberi g e kishte parasysh këtë botëkuptim. Kur Abdullah ibn Ubej tha: “Pasha Allahun, nëse kthehemi në Medine, pa dyshim, i fuqishmi do t’i dëbojë të dobëtit nga ajo!” Omer ibn el-Hatabi reagoi duke thënë: “O i Dërguar i Allahut! Më lër t’ia heq kokën këtij hipokriti!” Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Lëre, që njerëzit mos të thonë se Muhamedi po i mbyt shokët e tij.”[2]

Pejgamberi g e la rindërtimin e Qabesë sipas themeleve të para që i vuri Ibrahimi n ngaqë e kishte parasysh gjendjen e njerëzve. Aisha i tregon se Pejgamberi, alejkum selam, i tha asaj: “A nuk po e sheh që populli yt kur e ka ndërtuar Qabenë, nuk e ka bërë sipas themeleve të para që i vuri Ibrahimi n?” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk po e kthen ta rindërtosh sipas tyre?” Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Po të mos ishte populli yt i ri në Islam, do ta bëja atë.”[3]

Indikacioni i këtyre argumenteve dhe ngjarjet profetike janë të shumta, të cilat na tregojnë se duhet të jemi të vëmendshëm karshi reagimeve të njerëzve e mos të jemi neglizhentë ndaj tyre, edhe pse këto reagime të njerëzve nuk do të thotë se janë udhëzuesi i vetëm.

– Po ashtu mësova se nganjëherë shumë nga detajet nuk janë të dobishme dhe s’ka nevojë të përmenden para njerëzve, sepse mund t’i çojë njerëzit të ikin apo ta refuzojnë të vërtetën që duam t’ua prezantojmë.

Hatibi (ligjëruesi në ditën e xhuma) apo thirrësi në fenë e Allahut flet për një dukuri prej dukurive; e përmendin ndonjë hadith të izoluar e të rrallë, apo ndonjë rast të pazakontë, apo ndonjë gjurmë ose rrëfim për dikë nga të parët tanë të drejtë, kështu që njerëzit i angazhon me detaje të pabaza duke e lënë anash thelbin e fjalimit të tij. E mospranimi i këtyre argumenteve bëhet pengesë për njerëzit për ta parë bukurinë e asaj që e dëgjojnë.

Gjatë përmirësimit në rrafshin shoqëror dhe gjatë dialogut për paqësim në mes të palëve të grindura, mund të përmenden disa hollësi të panevojshme e të pavlera, por që i bën keq dëgjuesit dhe i jep dialogut kah tjetër, saqë fillohet të debatohet rreth hollësirave, në vend të thelbit të tematikës.

Në kritikat shkencore dhe ideologjike shpeshherë ndodh që gjërat e imëta e të izoluara të të largojnë nga thelbi i kritikës reale si dhe më tepër largojnë nga marrja me thelbin sesa që largojnë nga gjërat jothelbësore.

Në raportet familjare, në raportet e punës në mes të drejtorit dhe nëpunësit, në mes të kolegëve dhe ortakëve, më primare është të largohemi nga hollësirat që nuk kanë vlerë dhe të angazhohemi me atë që është më e rëndësishme dhe më me vlerë.

– Po ashtu, mësova se kur është në pyetje çështja personale, njerëzit janë të ndjeshëm dhe rëndë është të stolisen me objektivizëm; kur punonjësi merret në llogari për mangësitë e tij në punë, me shumë seriozitet nis ta mbrojë dhe ta justifikojë veten. Njëjtë mund të thuhet për nxënësin kur kritikohet për punën e tij e, aq më tepër, kjo vërehet kur një njeri që është me pozitë më të ulët, e kritikon një tjetër me pozitë më të lartë se ai.

Prej gjërave që e kundërshtojnë natyrën njerëzore është të kërkohet prej njerëzve objektivizëm i lartë në rastet që ndërlidhen me ta dhe me çështjet e tyre personale.

Kjo na jep shkas që kur të flasim me të tjerët rreth gjërave personale dhe që ndërlidhen me ta, të hulumtojmë për një mundësi më të përshtatshme për të hyrë në temë.

Sikur që kjo na jep shkas në të njëjtën kohë të luftojmë me veten, të orvatemi t’i pranojmë këshillat dhe t’ia qartësojmë vetes se kërkimfalja për çdonjërin është e mundshme.

– Po ashtu, mësova se kur njerëzit ikin prej nesh, ne duhet të ndalemi me veten dhe ta rishikojmë atë. Kur njerëzit nuk i pranojnë fjalët tona, as i pranojnë sjelljet dhe trajtimin tonë, shpeshherë kjo na shtyn të flasim për ta, kinse ata po tregohen të padurueshëm, apo se disa prej tyre janë të dobët në fe apo se i pasojnë tekat, kinse kërkojnë të lihen rehat dhe e duan vetëm atë njeri që i lë të shkojnë pas qejfeve të tyre.

S’ka dyshim që njerëzit kanë diçka prej këtyre gjërave, megjithatë kjo s’do të thotë që domosdo t’u ngarkojmë përgjegjësi çdoherë dhe në çdo situatë. Kur kundërshtimi apo kritika e tyre është e përgjithshme dhe jo e pazakontë, kjo aludon se gabimi është yni.

Nijeti ynë i sinqertë dhe fakti se fjalët dhe mësimet tona janë goxha të sakta, nuk nënkupton se qëndrimi ynë tërësisht është i shëndoshë. Qëndrimet kanë relativitet të lartë dhe ato nuk mund të përthekohen si e vërtetë e tërësishme dhe gabim i tërësishëm.

[1] Riadi është kryeqyteti i Arabisë Saudite (sh.p.)

[2] Buhariu (4907), Muslimi (2584).

[3] Buhariu (1583), Muslimi (1333).

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”