Në qytetin turk Edirne është mbajtur një kongres i dijetarëve të Ballkanit, nga i cili është theksuar se është e papranueshme që bota islame të mos reagojë në mënyrë adekuate ndaj gjenocidit të kryer nga Izraeli sionist në Gaza, raporton Anadolu.
Kongresi u organizua nga Fondacioni i Dijetarëve Islam, ndërsa konferenca nga Universiteti Trakya. Në të morën pjesë myftinj dhe dijetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, rajoni i Sanxhakut, Bullgaria, Romania, Sllovenia dhe Mali i Zi.
Deklaratën përfundimtare në fund të takimit e paraqiti kryetari i Fondacionit të Dijetarëve Islam, Prof. Dr. Nasrullah Hacımüftüoğlu, i cili tha se në kongres u theksua fuqishëm vëllazëria e Anadollit dhe Ballkanit.
“Bota jonë po përballet me një krizë të njerëzimit. Fuqitë globale kanë shkelur vlerat themelore njerëzore të fituara me shekuj dhe kanë injoruar në mënyrë të pamatur parimet morale universale, rregullat e ligjit ndërkombëtar dhe institucionet, duke përfituar nga çrregullimi i muslimanëve. Për shkak të kësaj, Bota islame ndjeu dëmin më të madh në kuptimin politik, social dhe ekonomik”, tha Hacımüftüoğlu.
Sipas tij, është e “domosdoshme” që dijetarët islam të rrisin ndërgjegjësimin e publikut, si dhe të fokusohen në kërkime specifike me qëllim që të ndikojnë në qëndrimet dhe sjelljet e vendimmarrësve vendas dhe ndërkombëtar drejt drejtësisë.
Gjenocidi në Gaza
Më tej, Hacımüftüoğlu tha se bota perëndimore po zbaton një “hegjemoni globale”.
Siç theksoi ai, është e papranueshme që bota islame të mos i përgjigjet në mënyrë adekuate gjenocidit të kryer nga Izraeli sionist në Gaza, si dhe kërcënimeve dhe rreziqeve që Izraeli përfaqëson në rajon, me “mbështetjen e fuqive imperialiste dhe në sy të të gjithë botës që “nuk po ndërmerr hapa të nevojshme për të ndaluar këtë shtypje”.
Ai theksoi se për këtë arsye është “imperative” që komuniteti ndërkombëtar menjëherë të ndërmarrë iniciativë me të gjitha burimet në dispozicion për këtë çështje.
Familja, shkolla dhe shoqëria
Hacımüftüoğlu po ashtu tha se organizatat joqeveritare, institucionet dhe organizatat e botës islame duhet të tregojnë ndjeshmërinë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e muslimanëve që dalin nga e drejta ndërkombëtare.
Ai theksoi se muslimanët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj projekteve imperialiste dhe orientaliste të zbatuara nga fuqitë dominuese përmes strukturave etnike dhe grupeve fetare për të arritur ambiciet e tyre në botën islame.
“Në këtë kontekst, aktivitetet sensibilizuese duhet të drejtohen në familje, shkollë dhe shoqëri. Dijetarët islam dhe drejtuesit e opinionit publik duhet të fokusohen në aktivitete që do të rrisin fuqinë përfaqësuese të muslimanëve, por edhe t’u përgjigjen qëndrimeve anti-fetare dhe islamofobike në vendet ku jetojnë dhe të shpjegojnë Islamin në një gjuhë të përshtatshme për të gjithë njerëzimin”, tha Hacımüftüoğlu