thumbs_b_c_452a98983ae058dd798b4892411e3297

Kurti: Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që pengojnë projektin e “botës serbe”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ku mori pjesë si folës kryesor në diskutimin e organizuar nga Shoqëria Zvicerane për Politikë të Jashtme, tha se përveç Kosovës si vende që “ngacmohen” nga Serbia janë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij vlerësoi se nuk ka shpresë që Serbia mund të reformohet me elitën autoritare që po udhëheq vendin.

“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Basnjkë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, theksoi Kurti.

Më tej, Kurti përmendi ndikimin e zgjerimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore që të mbeten të ankoruar në vlerat e Bashkimit Evropian (BE).

“Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht, por edhe kulturalisht, si dhe në aspektin shoqëror. Një Evropë mjaftueshëm e fortë për t’i rezistuar presioneve të jashtme, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të saj. Një Evropë ku të rinjtë tanë shohin një të ardhme në të cilën mund të besojnë dhe ku mund të përmbushin ëndrrat e tyre. Vitet në vijim do të jenë vendimtare në përcaktimin e ritmit të integrimit në BE”, shtoi Kurti.

Sipas tij, me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, është BE-ja ajo që bëhet Evropë.

Ai bëri thirrje që Zvicra të vazhdojë të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunime multilaterale, “që për shtete si ne janë esenciale për të arritur qëllimet ekonomike dhe të sigurisë”.