Ura e re e Kukësit e cila bashkon brigjet e Lumit të Drinit në Rrugën e Kombit, rrugë e cila lidh Shqipërinë me Kosovën, është hapur dhe është tashmë gati, transmeton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, dhe zyrtarë të tjerë, inspektuan hapjen e Urës së Madhe në Kukës, e cila konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore “që çliron përfundimisht qarkullimin duke aksesuar edhe komunitetet përreth”.
Kryeministri Rama gjatë inaugurimit deklaroi se tani është shumë e rëndësishme që ura hapet për të gjithë.
“Hapet Ura e Madhe e Kukësit, një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh në kalimin e liqenit (ku në dimër bëhej edhe pikë e rrezikshme aksidentesh), dhe i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që tejmbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që hapja u bë vetëm pasi u siguruan edhe akseset rrugore të komuniteteve përreth”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Balluku ka theksuar se ura është edhe një vepër arti dhe sipas saj ura në vetvete ka kushtuar e gjitha rreth 40 milionë euro, përfshirë edhe dy rrugët e aksesit, të hyrjes e të daljes.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, ura e re i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare, duke zëvendësuar urën e vjetër ekzistuese dhe lehtësuar ndjeshëm qarkullimin në këtë zonë.
Theksohet se ura sjell edhe një arkitekturë të veçantë për nga përmasa inxhinierike dhe estetike, për të gjithë udhëtarët.
Ura e re e Kukësit, e gjatë 310 metra, ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.