Kombet e Bashkuara (OKB) kanë dhënë alarmin për nivelet e pamjaftueshme të ndihmave humanitare që arrijnë në Rripin e Gazës, duke përmendur mungesa ekstreme për ata në nevojë, transmeton Anadolu.
“Niveli i ndihmave humanitare të lejuara në Gaza nuk është aspak afër asaj që ne kemi nevojë për të mbështetur të gjithë njerëzit që kanë nevojë dëshpërimisht për ndihmë brenda Gazës”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Duke theksuar se Programi Botëror i Ushqimit (WFP) arriti të dërgojë autokolonën e ndihmës së parë përmes vendkalimit të ri ‘Kissufin’ të Gazës, i krijuar pas muajsh negociatash, Dujarric tha se “agjencia dorëzoi 15 kamionë që transportonin pako ushqimore dhe miell gruri”.
“Tetori regjistroi sasinë më të ulët të ndihmës që hyri në Gaza këtë vit. Për herë të dytë me radhë, WFP-ja ishte në gjendje të arrijë vetëm gjysmën e njerëzve që mbështeten në ndihmën e saj me racione të reduktuara”, tha ai.
Duke theksuar se situata mund të përmirësohet nëse kalimi kufitar i sapokrijuar ‘Kissufin’ do të mbahej i hapur vazhdimisht, Dujarric tha se Izraeli vazhdon të bllokojë dërgesat e ndihmave.
Ai theksoi se shumë në Gaza janë të uritur, të sëmurë dhe në nevojë të dëshpëruar për ndihmë dhe ai bëri thirrje për hapjen urgjente të më shumë vendkalimeve rrugore në Gaza.
Dujarric theksoi se heqja e kufizimeve administrative dhe fizike për dërgesat e ndihmave humanitare në Gaza është thelbësore dhe shtoi se rënia e hyrjeve të kamionëve komercial ka ndikuar negativisht në stabilitetin e tregut.
I pyetur në lidhje me pritjet në lidhje me hapjen e pikës kufitare Kissufin, Dujarric tha: ” Mendoj se jemi djegur nga pritjet. Ne duam që të gjitha pikat e qasjes të jenë plotësisht të hapura. Ne duam të kemi vëllimin e ndihmës që shkon në përputhje me nevojat tani. Nuk është kështu dhe unë mund të flas vetëm për atë që do të donim të shihnim”.