Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka pritur kryesuesin e OSBE-së dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, raporton Anadolu.
Dy ministrat zhvilluan një takim dypalësh, ndërsa më pas u mbajt takimi i Trojkës së OSBE-së, me pjesëmarrjen e ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Maltës, si dhe ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e cila iu bashkua takimit përmes video-lidhjes.
Në konferencën për media, ministrat Mucunski dhe Borg konfirmuan përkushtimin e tyre për një qasje të përbashkët dhe të koordinuar në trajtimin e sfidave serioze me të cilat përballet OSBE-ja, përfshirë konfliktin në Ukrainë, si dhe nevojën për financim të qëndrueshëm dhe funksionalitet organizativ të organizatës.
Ministri Mucunski falënderoi Maltën për përballimin me sukses të sfidave dhe faktin që i mundësoi organizatës të vazhdojë misionin e saj “në momentin më të vështirë politik dhe të sigurisë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”.
“Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për përpjekjet tuaja dhe mënyrën se si e keni menaxhuar organizatën në vitin që po kalon. Në këtë kontekst, Valeta përfaqësonte një urë lidhëse midis Shkupit dhe Helsinkit. Shpresojmë që presidenca malteze e këtij viti t’i mundësojë Helskinit, vendi ku u nënshkrua Akti përfundimtar, me presidencën e ardhshme të forcojë më tej qëllimet e OSBE-së përmes dialogut politik”, tha Mucunski.
Kryesuesi i OSBE-së, ministri Borg, deklaroi se Maqedonia e Veriut është një kontribues i vlefshëm dhe i besueshëm i OSBE-së.
“Kjo vizitë vjen si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë në Evropën Juglindore, që thekson ndikimin e punës së organizatës në terren, si dhe partneritetin e fortë midis OSBE-së dhe vendeve të këtij rajoni, përfshirë Maqedoninë e Veriut”, tha Borg.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut kryesoi me OSBE-në, rol të cilin këtë vit e ka Malta. Vitin e ardhshëm është paraparë që vendi kryesues i OSBE-së të jetë Finlanda.