Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ndërkohë janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në Tiranë, Vlorë dhe qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore me rastin e 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Kryeministrit Edi Rama, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe zyrtarëve të tjerë.
Zyrtarët vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit.
Në kuadër të festës në Tiranë është mbajtur “Parada e shqiptarëve”. Në paradën e organizuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, ansamble muzikore, artistë, nxënës dhe personalitete nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.
Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbajti një takim me drejtuesit e bashkive dhe komunave shqiptare nga rajoni, ndërsa mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
“Sot jemi në ditët tona më të mira, ndaj është shumë e rëndësishme të kuptojmë nga kemi ardhur, por dhe të frymëzohemi ku duam të shkojmë”, tha Veliaj.
Me rastin e 28 Nëntorit, zyrtarë të lartë, politikanë dhe drejtues të institucioneve kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
“Kudo ku janë bashkatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, ka shkruar presidenti Begaj në rrjetet sociale.
Një mesazh urimi në rrjetet sociale kanë publikuar edhe kryeministri Rama dhe kryeparlamentarja Spiropali.
Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë dekoruar me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi.
Në Shqipëri 28 Nëntori shënohet si festë zyrtare dhe festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.