Prishtina shpall gjendje të jashtëzakonshme për shkak të mbeturinave
Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar me menaxhimin jo adekuat të mbeturinave, raporton Anadolu.
Kryetari i kësaj komune, Përparim Rama e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një konferencë për media të hënën paradite.
Rama ka thënë se kompania rajonale publike “Pastrimi”, e cila është kompania e vetme e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në detyrën e saj.
“Do të vazhdojmë që gjendjen emergjente që e kemi shpallur, ta përdorim për angazhimin e kompanive private për të ndihmuar për pastrimin e mirëfilltë të kryeqytetit”, tha Rama.
Në disa prej lagjeve të kryeqytetit kosovar shihen kontejnerët e mbeturinave të stërmbushur, derisa edhe shumë shporta të mbeturinave kanë mbetur pa u zbrazur tash e disa ditë pranë shtëpive.
Gjendje e jashtëzakonshme për shkak të mbeturinave në Prishtinë është shpallur edhe gjatë vitit 2024, ku me këtë rast Komuna e Prishtinës kishte angazhuar operatorë privat për të bërë grumbullimin e mbeturinave.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, në konferencë me kryetarin Rama, tha se situata aktuale “e tejkeqësuar” i ka detyruar të shpallin sërish gjendje të jashtëzakonshme.
Një nga arsyet kryesore që çon ndërmarrjet publike të pastrimit të përballen me mungesë të kapaciteteve është vështirësitë në inkasimin e borxheve nga qytetarët.