Një i ri që praktikon masturbimin dhe lë namazin e sabahut – Çfarë duhet të bëjë?
Një i ri që praktikon masturbimin dhe lë namazin e sabahut – Çfarë duhet të bëjë?
Pyetja:
▪️ I nderuar shejh, ju dua për hir të Allahut dhe lutem që Allahu i Madhëruar të na bashkojë me të pranishmit në shoqërinë e Profetit Muhamed – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.
▪️ Kjo është hera e parë që marr pjesë në një ligjëratë të tillë dhe kam një pyetje për ju:
E para: Praktikoj masturbimin dhe kam provuar ta lë, por nuk kam mundur.
E dyta: Lë namazin e sabahut, edhe pse ndjej keqardhje dhe e qortoj shumë veten për këtë.
Çfarë më këshilloni? Ju lutem, bëni dua për mua dhe që të pranishmit të thonë “Amin”. Allahu ju ruajtë!
Përgjigja:
▪️ Lusim Allahun që t’i japë forcë dhe qëndrueshmëri këtij të riu dhe të gjithëve neve.
▪️ Besoj se ky vëlla është në rrugë të mbarë, sepse po përpiqet të çlirohet nga kjo vështirësi me sinqeritet. Nëse ai me të vërtetë dëshiron të ndryshojë dhe lutet me përkushtim, atëherë Allahu, nëse sheh tek ai një vullnet të pastër, do ta ndihmojë.
▪️ Prandaj, e këshilloj të jetë i sinqertë me Allahun, të lutet në sexhde, ndërmjet ezanit dhe ikametit, dhe në orët e fundit të natës, sepse këto janë momente kur lutjet pranohen më shumë.
▪️ Sa i përket namazit të sabahut, këshilla ime është që të përpiqet të flejë herët. Shumica e atyre që nuk e falin sabahun, e kanë të vështirë të zgjohen sepse flenë vonë. Kjo është në kundërshtim me praktikat e Profetit Muhamed – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – i cili e urrente të flinte para jacisë dhe të bisedonte pas jacisë, sepse qëndrimi zgjuar gjatë natës e vështirëson zgjimin për sabah.
▪️ Prandaj, e këshilloj këtë të ri të flejë herët dhe të kërkojë ndihmën e familjes për ta zgjuar. Shpesh, prindërit apo familjarët i thërrasin fëmijët: “Çohu, ka hyrë koha e sabahut”, dhe pastaj largohen pa u siguruar që ata vërtet janë zgjuar. Disa të rinj kanë nevojë që dikush të qëndrojë pranë tyre derisa të ngrihen plotësisht nga shtrati. Madje, ndonjëherë duhet t’i mbash për dore dhe t’i ndihmosh të shkojnë deri në banjë për abdes, në mënyrë që të sigurohesh se janë zgjuar plotësisht.
Burimi:
Seria e Takimeve Mujore > Takimi Mujor [9]
Pendimi dhe çështjet shpirtërore – Namazi > Rëndësia e Namazit
E përkthyer dhe e përshtatur nga burimi origjinal.
Hoxhë Sinan Rushiti