![I RIU DHE PRINDËRIT E TIJ I RIU DHE PRINDËRIT E TIJ](https://www.rtvpendimi.com/wp-content/uploads/2025/02/prinderit.jpg)
I RIU DHE PRINDËRIT E TIJ
– Babi im! Po më shqetëson tej mase një dukuri negative. Shoh se disa të rinj nuk i respektojnë prindërit e tyre! Arsyetimi i tyre është se prindërit nuk e meritojnë të respektohen, sepse nuk ua realizojnë kërkesat ose për shkak që ende i trajtojmë si fëmijë! Babi im, sa e di, kjo sjellje nuk arsyetohet në asnjë mënyrë. Do të ishte shumë mirë sikur ta sqaroje këtë çështje.
* Allahu të bekoftë, biri im! Të shohësh një të ri mysliman si e ngre nganjëherë zërin dhe sillet keq me prindërit është e shëmtuar, veçanërisht kur dihet çfarë obligimesh ka fëmija karshi prindit. Kur Allahu foli për prindërit në Kuran, në disa ajete e përmendi vlerën e respektimit të prindërve, duke e ndërlidhur hakun e prindërve me hakun e Tij. Allahu thotë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El Isra, 23)
Allahu urdhëroi që me prindërit të jemi modestë e të mëshirshëm. Allahu thotë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata ashtu siç më kanë rritur kur unë isha i vogël!” (El Isra, 24)
Madje, biri im, lufta në rrugën e Allahut, që llogaritet kulmi i Islamit dhe një prej veprave që robi i afrohet Allahut, në rastet kur është vullnetar, kushtëzohet pëlqimi i prindërve. Një njeri vajti te Pejgamberi, alejhi selam, të merrte leje për të dalë në luftë dhe Pejgamberi, alejhi selam, e pyeti: “A i ke gjallë prindërit?” Iu përgjigj: “Po.” Tha: “Tek ata dy bëje luftën në rrugën e Allahut (duke i respektuar).”[1]
Një burrë vajti te Pejgamberi, alejhi selam, dhe i tha: “Kam ardhur të ta jap besatimin për hixhret (shpërnguljen nga vendi i kufrit për në vend të imanit), porse prindërit i lashë duke qarë (për shkak të vendimit tim).” Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Kthehu tek ata e bëji të qeshin siç i ke bërë të qajnë.”[2]
– Babi im! Përderisa vlera e respektimit qenka e lartë, atëherë besoj që edhe shpërblimi është i madh?
* Po, biri im. Ai që i respekton prindërit, merr shpërblime të mëdha, ndër të cilat:
- Respektimi i prindërve llogaritet nënshtrim ndaj Allahut. Kur fëmija u përgjigjet urdhrave të prindërve, sado të mëdha ose të vogla qofshin ato, i llogaritet adhurim ndaj Allahut.
- Kënaqësia e tyre është sebep për ta fituar kënaqësinë e Allahut. Nëse fëmija i bën të kënaqur prindërit, me veprën e tij e kënaq edhe Allahun, dhe anasjelltas: nëse i zemëron prindërit, e zemëron edhe Allahun. Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindit dhe zemërimi i Allahut është në zemërimin e prindit.”[3]
- Respektimi i tyre është sebep për ta fituar Xhenetin.
Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “I poshtëruar qoftë! I poshtëruar qoftë! I poshtëruar qoftë!”
E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Kush është ai?!”
Tha: “Ai që e arrin pleqërinë e prindërve të tij, të njërit ose të dyve, dhe nuk hyn në Xhenet.”[4]
- Respektimi i prindërve është shkak për pranimin e lutjes dhe lehtësimit të vështirësive.
Pejgamberi m u tregoi sahabëve për një person që quhej Uvejs el Karani. Ky e kishte nënën gjallë dhe e respektonte shumë. Sikur t’i lutej Allahut për diçka, do të pranohej lutja e tij. I porositi që, nëse e takojnë, të kërkojnë prej tij që të lutej për ta.[5]
Ndoshta ke dëgjuar për rrëfimin profetik për tre personat që u strehuan në shpellë dhe për një shkëmb që ua bllokoi plotësisht hyrjen e shpellës. Për ta larguar shkëmbin nga hyrja, të tretë e lutën Allahun me veprat e tyre të mira që i kishin vepruar. I pari që u lut ishte njeriu që i respekton shumë prindërit e tij. Allahu e pranoi lutjen e tij[6]. Në fund Allahu e largoi shkëmbin dhe dolën prej shpellës.[7]
– Për respektuesin e prindërve e kuptova shpërblimin, por si është gjendja e atij që nuk i respekton prindërit?
* Biri im, mosrespektimi sjell pasoja të këqija dhe dëmi është i madh. E si të mos jetë ashtu kur Pejgamberi, alejhi selam, mosrespektimin e ndërlidhi me shirkun (idhujtarinë) në Allahun. Enes ibn Maliku tregon se Pejgamberi, alejhi selam, u pyet për gjynahet e mëdha e iu përgjigj: “Shirku në Allahun, mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut dhe dëshmia e rrejshme.”[8]
Mosrespektimi i prindërve është sebep për përshpejtimin e dënimit në dynja. Ebu Bekrete h përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Dy gjynahe e përshpejtojnë dënimin në dynja (duke e marrë dënimin në dynja para se të dënohet në ahiret, nëse nuk pendohet): zullumi dhe mosrespektimi i prindërve.”[9]
Më e rënda nga ndëshkimet, biri im, është kur fëmija nuk e respekton prindin, e kjo e shtyn prindin të lutet kundër fëmijës, ndërkohë lutja e prindit për fëmijën është e pranuar. Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Tri lutje janë të pranuara dhe s’ka dyshim në të: lutja e prindit për fëmijën e tij, lutja e udhëtarit dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi.”[10]
Kështu, te ky fëmijë grumbullohen tri gjëra: vepra e tij e ligë, përshpejtimi i dënimit të tij për shkak të veprës së tij dhe, në fund, lutja e prindit kundër tij, që nuk refuzohet.
– Babi im, cilët janë shembujt e mosrespektimit më të shëmtuar?
* Biri im, shembulli më i keq i mosrespektimit është kur fëmija ndjek ideologji dhe mendime të gabuara. Nëse prindi është besimtar, medoemos fëmijën e tij duhet ta mësojë në frymën e besimit e, nëse fëmija e kundërshton dhe merr kah tjetër, me të cilin nuk e kënaq Allahun, atëherë llogaritet kaptina më e rëndë e mosrespektimit. Rruga e devijimit nuk është rruga e prindit besimtar. Ai asnjëherë nuk e thërret të shkojë asaj rruge, por, përkundrazi, ai e nxit për në besim, xhami dhe mirësi.
– Babi im! Disa të rinj ankohen se prindërit nuk i respektojnë të drejtat e tyre, e kjo i nxit të ngrenë zërin dhe të jenë të vrazhdë me prindërit?
* Biri im, a ka gabim dhe gjynah më të madh se shirku në Allahun? Megjithatë në Kuran erdhi urdhri që prindërit të respektohen e të nderohen, edhe nëse janë jobesimtarë. A e di se cili ajet është ai?
Ky është ajeti në fjalë: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë…” (Lukman, 15)
Të lumtë, biri im. Prandaj, Allahu e përfundoi ajetin me fjalët: “… dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri…”, (Lukman, 15) që nënkupton: bindju atij që të thërret për ta adhuruar Allahun dhe mos iu bind atij që të thërret në idhujtari, por, megjithatë, sillu mirë me të dhe respektoje.
– Babai im! Me sa po kuptoj, të rinjtë që janë sprovuar me prindër që kanë mangësi në fetari dhe bëjnë gjynahe, megjithatë e kanë obligim fetar t’i respektojnë prindërit dhe të sillen mirë me ta.
* Po, biri im. Allahu urdhëroi që fëmija të sillet mirë me prindërit, edhe nëse ata orvaten t’i ftojnë dhe t’u binden në idhujtari, e çfarë mund të themi nëse prindi është mysliman?!
Prandaj, ai duhet t’i respektojë prindërit, të sillet mirë me ta dhe t’u bindet. Nëse nuk janë myslimanë ose janë mysliman që nuk e respektojnë fenë, duhet t’i këshillojë me butësi dhe në mënyrën më të mirë të përshtatshme.
Më e mira për fëmijën është që, kur prindi gabon kundrejt tij, të tregohet durimtar dhe të shfaqë durimin e tij.
I riu duhet të kuptojë një fakt me rëndësi: fëmija e ka obligim t’i respektojë prindërit, sepse e ka obligim fetar, e jo respekti i tij të bëhet në shenjë kompensimi për mirësinë e prindërve ndaj tij. Pavarësisht prindi a është i mirë apo jo me fëmijën, fëmija e ka për obligim ta respektojë prindin. Madje, shpeshherë gabimet e prindërve kundrejt fëmijëve të tyre zanafillën e kanë te kujdesi dhe dëshira e madhe që fëmijën ta shohë mirë.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] Buhariu (3004), Muslimi (2549).
[2] Ebu Davudi (2028), Nesaiu (4163), Ibn Mulekini e saktësoi hadithin në “El-Bedru el-Munir” (9/40). Po ashtu shejh Albani në “Sahih Ebu Davud”.
[3] Tirmidhiu (1899), hadithi është në “Sahih el-Xhami”, (3506).
[4] Muslimi (2551).
[5] Muslimi (2542).
[6] Kështu u përshkrua në hadith rasti i atij i cili i kishte respektuar prindërit e tij: “Njëri prej tyre tha: “O Allah! Unë i kam pasur prindërit të thinjur dhe pleq. Kisha fëmijë të vegjël. Gjatë ditës kujdesesha për kafshët e, para se të kthehesha në shtëpi, i milja ato dhe vija me qumështin në shtëpi. Çdoherë prindërve u jepja të pinin nga qumështi para fëmijëve të mi. Një ditë u vonova dhe u ktheva vonë natën në shtëpi. I gjeta prindërit në gjumë. U ndala dhe qëndrova te koka e tyre, nuk desha t’ua prishja gjumin, kështu që prita deri në mëngjes, që të zgjoheshin dhe të pinin qumësht. Fëmijëve nuk u dhashë para prindërve të mi, ndërkohë ata klithnin para këmbëve të mia, kërkonin t’u jepja të pinin, por nuk u dhashë, derisa lindi sabahu. Po qe se këtë vepër e kam bërë për hir të Fytyrës Sate, na e largo sadopak këtë shkëmb nga hyrja e shpellës e ta shohim qiellin!” Allahu ia pranoi lutjen, e largoi shkëmbin pak dhe e panë qiellin.” (sh. p.)
[7] Buhariu (2215), Muslimi (2743).
[8] Buhariu (2653), Muslimi (89).
[9] Taberaniu.
[10] Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.