Kosova shënon 17 vjetorin e shpalljes së pavarësisë
Shteti më i ri në Evropë, Kosova, ka mbushur 17 vjet nga shpallja e pavarësisë nga Serbia më 2008 duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.
Kosova vazhdon të përballet me sfidat e saj të jashtme dhe të brendshme edhe pas 17 vjetësh nga shpallja e pavarësisë.
Bashkimi Evropian (BE), vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet e vendosura në qershor të vitit 2023 për Kosovën, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, derisa sfidat e shtetit për njohje të reja të pavarësisë dhe për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare vazhdojnë ende.
Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ishte dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Autoritetet kosovare deklaruan se sulmi kishte shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike, duke e akuzuar direkt Serbinë për orkestrimin dhe ekzekutimin e këtij sulmi.
– Hapat deri tek pavarësia e Kosovës
Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitin 1989.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.
Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78-ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur rreth 13 mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.
Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si “Trazirat e Marsit”, 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.
Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.
Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisaari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar “autonomi të mbikëqyrur”.
Në linjë me Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së që parashihte vendosjen e një misioni ndërkombëtar, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.
Serbia e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Tükiye, e njohën menjëherë. Sot, më shumë se 115 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur, i fundit nga ta është Izraeli i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2021.
– Regjistrimi i popullsisë gjatë vitit 2024, tregon rënie të banorëve rezidentë
I shtyrë disa herë, regjistrimi i popullsisë në Kosovë u realizua përfundimisht në vitin 2024 kur edhe u publikuan rezultatet.
Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, popullsia del të jetë më e vogël sesa në vitin 2011, kur ishte bërë numërimi i parafundit i popullsisë, kjo edhe për shkak të emigrimit të shtetasve kosovarë drejtë vendeve të BE-së për vite me radhë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), bashkë me komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku ky proces u bojkotua nga banorët, numri total i banorëve është vlerësuar të jetë 1.602.515 banorë rezidentë, ndryshe nga numërimi i vitit 2011 kur kishin dalë 1.739.925 banorë.
Sa i përket përbërjes etnike, shqiptarë janë deklaruar 91,76 për qind, serbë 2,31 për qind, boshnjakë 1,69 për qind, turq 1,22 për qind, ashkalinj 1,02 për qind, egjiptianë 0,67 për qind, goranë 0,58 për qind, romë 0,55 për qind dhe 0,19 për qind të tjerë.
– Vazhdon ngërçi në procesin e dialogut Kosovë-Serbisë
Në vitin 2011, filloi procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, megjithëse ato nuk kanë zgjidhur konkretisht asgjë dhe shpeshherë edhe janë ndërprerë, përfshirë vitet e fundit.
Hera e fundit që krerët e shteteve fqinje u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e lehtësuesve të BE-se, ishte 14 shtatori 2023.
Nga 1 shkurti 2025 përfaqësues i BE-së për lehtësimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi me një mandat fillestar prej 13 muajsh, u emërua Peter Sorensen, i cili është pasues i Miroslav Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e parë të tij me Sorensenin gjatë një konference në Mynih të Gjermanisë, deklaroi se për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë Kosovë-Serbi, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe dorëzimi i të dyshuarit i cili ishte udhëheqës i grupit të sulmit të 24 shtatorit 2023 Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë prej 160 faqesh nga Prokuroria e Kosovës.
Marrëveshja Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve e cila u arrit në 2023, nuk është nënshkruar nga palët, por zyrtarë të BE-së disa herë e kanë përsëritur se ligjërisht kjo marrëveshje është e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore.
Në fund të vitit të kaluar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka ngritur shqetësime për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja. Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Serbisë, se pa normalizim të raporteve me Kosovën nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.