
Bora kaplon Istanbulin, rruga ikonike Istiklal mbulohet me petkun e bardhë
Reshje të mëdha të borës kanë kapluar qytetin Istanbul, me ulje të temperaturave dhe reshjet duke u intensifikuar me afrimin e orëve të mbrëmjes, raporton Anadolu.
Reshjet e borës kanë mbuluar edhe rrugën ikonike Istiklal në rrethin Beyoğlu, duke i dhënë këtij bulevardi një pamje mahnitëse, me këmbësorët që ecin nën çadra dhe tramvajt e kuq që lëvizin përmes bulevardit.
Moti i keq ka shkaktuar bllokime të mëdha të trafikut në qytet, ku nivelet e trafikut kanë arritur në 83 për qind. Disa shërbime të trageteve në qytet janë pezulluar për shkak të ndikimit të stuhisë.
Në përgjigje të kushteve të motit, autoritetet e Istanbulit njoftuan se të gjitha institucionet arsimore në krahinë do të kenë një pushim njëditor gjatë ditës së nesërme, me qëllim për të garantuar sigurinë e studentëve dhe stafit.
Sipas meteorologëve, temperaturat në Istanbul parashikohen të lëvizin nga 0 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat më të ulëta pritet të arrijnë nga minus 1 deri në minus 2 gradë Celsius.
Derisa stuhia po forcohet, autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërime në lidhje me ndërprerjet e udhëtimit. Aeroporti i Istanbulit, aeroporti më i ngarkuar në vend, ka njoftuar uljen e kapacitetit të fluturimeve për shkak të përkeqësimit të motit.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës konfirmoi se fluturimet në aeroport do të ulen me 15 për qind më 19 shkurt dhe me 20 për qind më 21 shkurt. Gjithashtu, ‘Turkish Airlines’ ka anuluar rreth 200 fluturime për më 21 shkurt, në varësi të kushteve të motit në kohë reale.