[There are no radio stations in the database]
TË VËRTETAT QË MË ÇUAN DREJT UDHËZIMIT

TË VËRTETAT QË MË ÇUAN DREJT UDHËZIMIT

E vërteta e parë: Cili është i panatyrshëm?

Një ditë dola me familjen time në shkretëtirë. Nisa të vështroja andej-këndej, në malet e larta, në drunjtë e lartë, në tokën e tharë, por, kur bie shi, ajo trazohet e gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift. Kjo më shtyu të kujtoja fjalët e Allahut: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë.” (El Haxh, 18)

Në momentin që lindi Dielli, e vështroja si shkurtohej e pakësohej hija, që më vonë sërish të kthehej e të zgjatej dhe toka të mbulohet me terr: “A nuk e ke parë ti se si Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj, pastaj e tërheqim atë (hijen), dalëngadalë pranë Vetes.” (El Furkan, 45-46)

Atëherë i kujtova fjalët e Allahut: “Allahut i përulet në sexhde gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir, si dhe hijet e tyre i përulen në mëngjes dhe në mbrëmje.” (Er Rad, 15)

E gjithë bota përreth nesh me tokën, me yjet, me kozmosin, me çdo gjë të vogël dhe të madhe, e kuptuam apo nuk e kuptuam, i bëjnë sexhde, i përulen dhe e lartësojnë Krijuesit e vet.

Hija e ombrellës në të cilën futemi të na mbrojë nga rrezet përvëluese të Diellit, zhvendoset në të majtë e në të djathtë duke iu nënshtruar Allahut të Madhërishëm.

Madje, Diellin që e shohim për çdo ditë, e shfaq përuljen dhe nënshtrimin e tij për Krijuesin e vet.

Ebu Dherri  tregon se në momentin që perëndoi Dielli, Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “A e di se ku po shkon Dielli?”

“Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri!” – iu përgjigj Ebu Dherri.

Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Dielli lëviz derisa të arrijë te vendi i tij nën Arshin e Allahut, bie në sexhde, e më pas merr leje (për të lindur sërish) dhe i jepet. Por, shpejt do të vijë koha (d.m.th. para se të ndodhë Kiameti) kur ai do të bjerë në sexhde, po nuk do t’i pranohet atij, do të kërkojë leje, por nuk do t’i jepet. Atij do t’i thuhet: “Kthehu nga ke ardhur.” Kështu, do të lindë prej perëndimit (e jo nga lindja). Ky është shpjegimi i Fjalës së Allahut: “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi.” (Jasin, 38)[1]

Çfarë qëndrimi duhet të marrë njeriu para gjithë këtyre fakteve? Pse i mohon ato dhe shfaq arrogancë kundrejt Krijuesit të tij? Madje, çfarë ka ai që e kundërshton sistemin e jetës në tërësi? Çfarë mendon: sa vlerë ka ai në gjithë këtë kozmos? Ku e ka vendin ai në këtë botë të gjerë?

Në këto momente e pyeta veten: “Cili është i panatyrshëm dhe i huaj? Cili po noton në drejtimin e kundërt të valëve të detit?

Myslimani, i cili i përulet dhe e lartëson Allahun e i përgjigjet kësaj orbite që i përulet Zotit të saj? Apo është ai që rebelohet kundër Krijuesit të tij dhe zmbrapset prej rrugës së udhëzimit, i cili, kur e bën gjynahun, mundohet të fshihet prej njerëzve pas murit që e lartëson dhe i përulet Zotit të tij? Vetura, celulari, lapsi, e çdo gjë tjetër që ia lehtëson atij rrugën për në gjynah, i përulen dhe e lartësojnë Krijuesin e tyre!”

Pas gjithë kësaj kuptova se rrugëtimi im në udhën e udhëzimit realisht është në përputhje me ligjin e Allahut. Sipas këtij ligji vepron gjithë kozmosi.

Po ashtu kuptova se ata që i shmangen rrugës së udhëzimit, perceptimi i jetës së tyre është kontradiktor, jo vetëm me kozmosin e gjerë, por edhe me veten e tyre. Trupat dhe gjymtyrët e tyre i përulen Allahut, edhe pse ata vetë e kundërshtojnë rrugën e Allahut. Mu për këtë Allahu përmendi se në mesin e atyre që i përulen Allahut: “Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin…” (El Haxh, 18)

Ibn Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) në komentin e këtij ajeti tha: “Allahu tregon se shumë prej bijve të Ademit e meritojnë dënimin. Medoemos do të marrin dënimin për shkak të mohimit të Allahut. Edhe pse ata mohojnë, trupat e tyre i përulen Allahut.”

E vërteta e dytë: Sekreti i ekzistimit

E vërteta e dytë që më çoi në udhëzim është meditimi i shpeshtë për sekretin e ekzistimit.

Personi i vetëm që punon diçka dhe nuk e di pse punon është i çmendur. Kur njeriu sheh një vegël të prodhuar me perfeksionim dhe mjeshtëri, pyetjen e parë që ia parashtron vetes është përse është krijuar kjo vegël dhe çfarë funksioni kryen? Ai prerazi refuzon idenë që kjo vegël të jetë krijuar kot.

Atëherë çfarë t’i thuhet atij njeriu që e sheh krijesën njeri si e mbush këtë botë me skajet e saj të gjera, si e bart gjithë këtë fuqi, si me mendjen e tij e drejton universin dhe bashkëpunon përbrenda tij me krijesat e tjera? Aq më tepër për botën e xhinëve, të cilën e njohim fare pak. Po edhe sikur të supozonim që pikëpamjet, mitet dhe gojëdhënat që sillen në mendjet e masës së gjerë për botën e xhinëve janë të vërteta, ajo përfaqëson vetëm një hise të vogël të kësaj bote të çuditshme.

Njeriu dhe xhinët e portretizojnë objektivin e ekzistimit të tyre, që është adhurimi i Allahut të Vetëm. Rreth këtij realiteti as që diskuton ndonjë mysliman, sado që të jetë imani tij: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” (Edh Dharijat, 56)

Kjo e vërtetë i ka domethëniet dhe gjurmët e tij të rëndësishme, prej të cilave:

  1. Njeriu dhe xhinët janë krijuar që të harmonizohen me këtë funksion të lartë dhe të ndershëm. Andaj, të gjitha ndjenjat, emocionet, shqisat dhe cilësitë e tyre janë në përputhje të plotë me këtë funksion dhe përgjegjësi.
  2. Ata janë të aftë t’i përballojnë vështirësitë që i gjejnë gjatë realizimit të këtij funksioni dhe përgjegjësive të tij. Kjo tregon se Krijuesi i tyre është Ai që për ta e zgjodhi rrugën e ubudijes (të qenët rob i Allahut). Ai i njeh dhe e di më së miri se çfarë i ndihmon e i pengon në adhurimin e Tij: “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithinformuari?!” (El Mulk, 14)

Ata që pretendojnë se nuk mund t’i përballojnë përgjegjësitë e të qenit rob i Allahut, ata e shpërfillin këtë realitet ose tregohen mendjemëdhenj.

  1. Jeta e tyre përqendrohet dhe rregullohet vetëm atëherë kur shkojnë rrugës së ubudijes. Çfarë ndodh me një veturë që është prodhuar të funksionojë për në rrugë të rrafshëta nëse ajo ecën nëpër shkretëtirë? Në anën tjetër vetura që është prodhuar t’i përballojë vështirësitë e shkretëtirës, nëse ecën në rrugë të rrafshëta, nuk i përjeton problemet e njëjta sikurse në rrugë të tjera.

Kështu është njeriu. Kur zmbrapset nga rruga e udhëzimit dhe ecën rrugës së devijimit e mosbesimit, do t’i përjetojë ngjyrat e kontradiktës me veten e tij, gjë që do ta çojë deri në çrregullimin e ndjenjave, në dëshpërim dhe brengë. Kjo, se mbase krijesa nuk punoi për atë që u krijua, prandaj ra në këtë gjendje. Ky i ngjason atij që noton kundër valëve të detit dhe ecën në drejtimin e kundërt të erës. Sa më shumë që shtohet largimi i tij prej udhës së udhëzimit, aq më tepër shtohet rënia e tij në humnerë dhe aq më shtrenjtë i paguan pasojat. Mu për këtë ateistët dhe të pafetë vuajnë më shumë në krahasim me besimtarët dhe adhuruesit e Allahut që kanë qëndrueshmëri shpirtërore dhe harmoni mes vete.

Prandaj kuptova se ecejaket e mia në këtë rrugë janë çështje prej të cilave s’ka shpëtim.

E vërteta e tretë: Nuk mund t’i shpëtojmë vdekjes

Edhe unë si myslimanët e tjerë e lexoja Kuranin, por përciptas e pa meditim, nuk i kuptoja domethëniet e fjalëve të Allahut. Një ditë prej ditësh shkova ta përshëndesja gjyshen time. E gjeta duke dëgjuar Kuran në radio. Recituesi lexonte me përulje dhe zëri i tij na i prekte zemrat. E dëgjova duke e lexuar ajetin: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Ali Imran, 185)

Ky ajet më preku zemrën. U largova prej aty dhe shkova për t’u shtrirë në krevatin tim. Më sillej nëpër mendje ai zë i përulur. Në vete seç ndjeva frikë. Fjalët e ajeteve përçonin një mesazh të vërtetë, të frikshëm, por të vërtetë, se s’ka shpëtim nga vdekja. Sado që të jetë e lartë pozita shoqërore e njeriut, vdekja është fundi i garantuar për çdo njeri. Të gjithë do të ikin: i ndershmi dhe i poshtri, pasaniku dhe i varfri; nga kjo dynja do të largohen të mbuluar me petkun e bardhë, të cilin e quajnë “qefin” dhe do ta mbulojnë me dhé. Qefini shumë shpejt do të griset e do të kalbet, ndërsa trupin e tij do ta hanë insektet dhe krimbat e tokës.

Atëherë çfarë vlere paska dynjaja me krejt atë që gjendet në të? Supozo që njeriu do të jetojë gjatë në të, do të ndërtojë dhe do të punojë, do t’i përjetojë të gjitha kënaqësitë dhe pasionet, megjithatë s’ka mundësi t’i ikë fundit dhe vdekjes. Ah, sikur ky fund të ishte pa kthim e i përhershëm! Do të ishte shumë më e lehtë, por jo, vdekja është fillimi i asaj që do të vijë më pas, ringjalljes dhe qëndrimit para Allahut për llogaridhënie e, në fund, Xheneti ose Xhehenemi.

 

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1] Buhariu (3199), Muslimi (159).


[There are no radio stations in the database]