[There are no radio stations in the database]
Franca ndalon zyrtarisht cigaret elektronike njëpërdorimëshe

Franca ndalon zyrtarisht cigaret elektronike njëpërdorimëshe

Franca sot ndaloi zyrtarisht cigaret elektronike njëpërdorimëshe, të përhapura në mesin e të rinjve, transmeton Anadolu.

I miratuar unanimisht nga Parlamenti i Francës më 13 shkurt, ligji synon të frenojë përdorimin e nikotinës tek të rinjtë dhe të reduktojë mbetjet, raportoi e përditshmja Le Parisien.

Masa e re ndalon shitjen, shpërndarjen dhe dhënien falas të pajisjeve avulluese të parambushura dhe jo të rimbushshme. Ndalesa nuk zbatohet për fishekët e rimbushshëm.

I propozuar nga ish-deputetja e Partisë së Gjelbër, Francesca Pasquini, ndalesa pason dy vjet punë legjislative, duke përfshirë konsultimet me Komisionin Evropian.

Ligjvënësit kritikuan këto lloje të cigareve, të njohura si “puff”, për targetimin e konsumatorëve të rinj me shije të ëmbla, ambalazhe shumëngjyrëshe dhe çmime të ulëta.

“Ky treg targeton paturpësisht fëmijët”, tha raportuesi Khalife Khalife nga Partia Republikane.

Komiteti Kombëtar Kundër Pirjes së Duhanit vlerësoi ligjin, por paralajmëroi se prodhuesit mund të shfrytëzojnë boshllëqet, duke vazhduar të shesin cigare elektronike me shije me rimbushje të kufizuara.

Ndalesa vjen pasi shqetësimet globale rriten mbi popullaritetin e cigareve elektronike dhe pajisjeve të ngjashme, të cilat shpesh tregtohen si alternativa më të sigurta ndaj duhanpirjes tradicionale.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë u kërkoi qeverive të mbrojnë të rinjtë nga konsumimi i duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të nikotinës duke i ndaluar ose rregulluar produktet me masa shtrënguese.


[There are no radio stations in the database]