
FUNDI I RRUGËS SË EPSHEVE
Kisha një ndjenjë se rruga e epsheve është e lezetshme dhe e vazhdueshme për krejt jetën. Ajo dehja e epsheve më jepte asi ndjenje se kjo rrugë nuk përfundon asnjëherë.
Por, tani kuptova se kjo rrugë qenka e mbuluar me rreziqe të dynjasë dhe ahiretit. Kam qenë dëshmitare e disa rasteve kur është njollosur nderi i disa vajzave, madje jeta tyre është shndërruar në mjerim. Prej atyre rasteve po theksoj:
– Rasti i parë:
Një vajzë kontaktonte me një djalë nëpërmjet celularit. Bisedat shpeshtoheshin e ajo kënaqej që fliste me princin e ëndrrave dhe të dashurin e jetës. Prej bisedave kaluan në takime. Filluan takimet të shpeshtoheshin dhe, sipas terminologjisë së tyre, këto takime llogariteshin “të pastra”, pra, takime që nuk arrinin deri në kontakt intim. Ndërkaq, sipas botëkuptimit islam, këto takime s’kanë të bëjnë me pastërtinë dhe çiltërsinë, sepse ato janë të ndaluara.
Ditët kalonin dhe erdhi dita që vajza të martohej. Me martesën e saj do të fillonte një jetë të re: jetën bashkëshortore, jetën e ëndrrave, jetën e qetësisë dhe lumturisë. Në mendje i sillej ideja se u përshëndet me të kaluarën e saj përgjithmonë: përjetoi të gjitha kënaqësitë e mundshme e tash e qetë mund të nisë jetën e saj të re.
Nuk kaloi shumë deri kur e befasoi realiteti i së kaluarës. Veprimet e saj kishin lëshuar rrënjë që nisën të reflektonin. Martesa e saj nisi të rrezikohej për në shkatërrim. Djemtë që i takonte dhe kënaqej me bisedat e tyre para martesës, jetën e saj martesore e kuptuan si mundësi që të merrnin prej saj atë që nuk arritën ta merrnin para martesës. I bënin shantazh me bisedat e mëhershme që i kishin ruajtur në celular se do t’i shpalosnin para burrit të saj. Morën guximin prej saj të kërkonin atë që nuk e kishin kërkuar më herët, sepse tanimë nuk kishte pengesë. Kërkonin prej saj të kryenin marrëdhënie intime me të.
Para vetes ajo kishte dy zgjedhje: të ballafaqohej me realitetin dhe të refuzonte kërcënimin. Kështu, do të rrezikonte t’i shpaloseshin kartat e së kaluarës dhe të shkatërrohej familja. Atëherë do të duhej të dilte nga shtëpia duke bartur me vete keqardhjen dhe dhembjen, sepse burri nuk do të pranonte që ajo të vazhdonte të ishte streha e tij ku ai e gjen qetësinë dhe e ruan nderin. Do të duhej të kthehej te shtëpia e familjes e poshtëruar dhe me siklet në shpirt, të qëndronte e vetme me mendimet e saj dhe me shpresë se ndoshta do të vinte ndokush ta martonte atë sërish.
Zgjedhja e dytë ishte t’i përgjigjej presionit dhe kërkesës së tyre, pavarësisht që e urrente me shpirt këtë gjë, me mendimin që të kapërdinte një gllënjkë nga gota e fëlliqësirës dhe imoralitetit e do ta mbyllte dosjen e kësaj tragjedie përgjithmonë. Por, më vonë, do të vinte dita kur kjo gotë do të shndërrohej në armë më të rrezikshme sesa që ishte, ndërsa ajo do të mbetej peng i saj, sepse kërkesat e tyre vazhdimisht do të rriteshin…
– Rasti i dytë:
Doli në takim fshehtas prej familjes me një djalë. Takimi dhe bisedat mes tyre ishin në haram. Njerëzit i vërejtën dhe e lajmëruan prindin. U befasua nga ajo që e pa. Gjithë ai burrë i madh e i fortë nuk gjente fjalë të fliste. Gjuha iu lidh. Shpresonte që më mirë të ishte nën dhé sesa ta shihte vajzën e tij në atë gjendje.
E mori vajzën e shkoi në shtëpi. Me të arritur në shtëpi, nëna për pak sa nuk thoshte: “Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejtësisht!”
Rasti filloi të përhapej te njerëzit andej-këndej, të shtonin gjëra e të pakësonin ca të tjera, të shpifnin e të përflisnin. Vajza u bë me nishan të zi te familja dhe akrabatë e saj, për shkak se i ishte nënshtruar pasionit dhe epshit në haram, pa i menduar e pa i peshuar gjërat mirë.
– Rasti i tretë:
Një vajzë tjetër tregon për veten dhe vuajtjet e saj: “Jam një vajzë nëntëmbëdhjetëvjeçare. Në vitin e parë akademik në universitet, sa herë që shkoja e kthehesha nga universiteti, rrugës takoja një djalë. Secilën herë kur më shihte, më përshëndeste. Një ditë ndodhi rastësisht të takoheshim në një vend publik. U takuam shkurt, por ma mbushi shpirtin me ndjenjat e jetës. Ato çaste ma mundësuan të ndieja kuptimin e jetës. Dikur i dhamë besën njëri-tjetrit për martesë. E kërkoi dorën time dhe bëmë marrëveshje për fejesë (por ende nuk kishim bërë kurorëzim). Mu dukej se po i jetoja ditët më të lumtura të jetës sime.
Pas një kohe patëm kontakt intim dhe e humba virgjërinë. Më premtoi se do të martoheshim sa më parë. Pas këtij takimi për disa muaj u zhduk nga jeta ime…, derisa një ditë u shfaq nëna e tij dhe më lajmëroi se fejesa jonë kishte marrë fund. Me të përfundoi edhe jeta ime. Mërzia nuk më ndahej nga sytë. Jetoja në një burg të errët e të mbushur me keqardhje dhe dhembje. Nuk dua që dikush të më thotë se me kalimin e kohës unë do ta harroj atë dhe sprova do të kalojë. Si mund ta harroj personin që i dhashë çdo gjë dhe, në fund, më bëri të ndihem e pavlerë, si asgjë.”[1]
– Fundi i vonshëm:
Me kohë u binda se kush merr këtë rrugë, medoemos ajo do ta çojë në shkatërrim. Nëse nuk dënohet në dynja, assesi nuk ka mundësi të shpëtojë në ahiret. Ata që përjetuan çdo qejf dhe dëshirë epshi në haram, nëse nuk i sheh të ndëshkohen në dynja, mos mendo se do të shpëtojnë, sepse ata i pret fundi i dhembshëm që i bën menjëherë të harrojnë çdo kënaqësi që përjetuan në dynjanë kalimtare.
Enes ibn Maliku tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Kiametit sjellin njërin prej banorëve të Xhehenemit që më shumë se gjithë të tjerët ka përjetuar të mira në dynja. E fusin një herë në Zjarr, e pastaj e nxjerrin dhe i thonë: “O biri i Ademit, a ke parë ndonjë të mirë ndonjëherë? A ke përjetuar ndonjë begati ndonjëherë?” Ai thotë: “Pasha Allahun, jo, o Zot!” Më pas sjellin njërin prej banorëve të Xhenetit, që më shumë se gjithë të tjerët ka përjetuar vështirësi në dynja. E fusin në Xhenet, e pastaj e nxjerrin dhe i thonë: “O biri i Ademit, a ke parë ndonjë të keqe ndonjëherë? A ke përjetuar ndonjë të keqe ndonjëherë?” Ai thotë: “Pasha Allahun, jo, o Zot! As kam parë ndonjë të keqe, as kam përjetuar ndonjë të keqe ndonjëherë!”[2]
Atëherë çfarë vlere na paska dynjaja, përfshirë gjithë atë që gjendet në të, kur veç me një zhytje në zjarr të Xhehenemit harrohet çdo gjë! E çfarë të themi për diçka më të madhe?
Çudi me njerëzit, të cilët epshi i çon në rrugë të errëta dhe të vrazhda e përfundimin e kanë të frikshëm në të dyja botët. Çudi sesi vuajtjen në dy botët e blejnë me furinë e pamatur të epshit, të cilin shumë shpejt e harrojnë dhe, në fund, u mbetet vetëm keqardhja.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] Revista “Pasqyra e umetit”, botuar më 22.7.1987.
[2] Muslimi (2807).