
Rasti Banjska, 3 të akuzuarit mohojnë akuzat
Tre nga 45 të akuzuarit në rastin Banjska kanë mohuar akuzat para trupit gjykues në seancën e cila po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, transmeton Anadolu.
I akuzuari Blagoje Spasojeviq ka thënë: “Nuk jam fajtor për veprat penale dhe për këtë aktakuzë”.
I akuzuari Vladimir Toliq ka deklaruar se “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë”.
Derisa edhe i akuzuari Dushan Maksimoviq tha: “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë për këtë aktakuzë”.
42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe ta bashkangjesin me Serbinë, me ç’rast si rezultat i kësaj, nga gjuajtjet me armë në drejtim të Policisë së Kosovës nga ky grup, mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku derisa u rrezikua edhe jeta e zyrtarëve tjerë policorë.