Shteti paralel turk kundërpërgjigjet

Galip DALAY

Qeveritë civile kanë qenë gjithmonë nën kontrollin e kësaj strukture paralele në hije, e cila ka diktuar agjendën kryesore të vendit dhe ka pasur autoritetin për të thënë fjalën e fundit për çështjet madhore. Procesi i demokratizimit gjatë dekadës së fundit, me një luftë aktive kundër sistemit të tutelës, besohej ta kishte çliruar politikën civile nga vargonjtë e këtij shteti paralel.

Por, natyra e zhvillimeve të fundit në Turqi, që arriti kulmin me hetimin e bujshëm për ryshfet të një numri të madh njerëzish, përfshirë djemtë e tre ministrave, një kryetar bashkie që i përket partisë në pushtet, AKP-së (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim), afaristë dhe drejtorin e një banke publike, Halkbank-ut, tregon se zakonet e vjetra nuk zhduken aq kollaj në Turqi. Përgjatë dekadës së fundit, derisa Turqia ishte e zënë me çmontimin e sistemit të vjetër paralel, duket se një sistem i ri paralel po mbinte në të njëjtën kohë.

Hetimi për ryshfet ka dy dimensione: ligjor dhe politik. Ndërsa përqendrimi vetëm në aspektin ligjor do të kulmonte me humbjen sysh të tablosë më të madhe, makinacionit politik, përqendrimi vetëm në dimensionin politik do të rezultonte me mbylljen e syve para korrupsionit, duke sjellë një humbje të besimit publik te organet qeverisëse dhe një nxirje të emrit të Turqisë.

 

Aspekti ligjor

Turqia ka bërë përparime domethënëse në dekadën e fundit në drejtim të transparencës dhe përgjegjshmërisë. Sipas Transparencës Ndërkombëtare (Transparency International) me qendër në Berlin, e cila i rendit vendet bazuar në shkallën e tyre të transparencës, përgjegjshmërisë dhe luftës kundër korrupsionit, Turqia ka lëvizur nga vendi i 64-ët në 102 vende në vitin 2002, te vendi i 53-të në radhitjen e 177 vendeve më 2013. Kjo lëvizshmëri në ngjitje në nivelin e transparencës dhe luftës kundër korrupsionit e ndihmoi Turqinë të tërheqë më shumë investime të huaja dhe ta rrisë besimin e investuesve te administrata publike turke.

Me qëllim që të vazhdohet me lëvizhmërinë në ngjitje, qeveria duhet të sigurojë që aspekti ligjor i hetimit po shkon ashtu siç duhet dhe besimi i investuesve e vetëdija publike nuk ndien lëkundje. Çdo keqbërës duhet të vuajë pasojat e veprimeve të tij, pavarësisht nga pozita dhe pesha e spikatja politike. Në këtë pikëpamje, zëvendësimi i tre ministrave të kabinetit gjatë javëve të fundit, djemtë e të cilëve qenë ndaluar si pjesë e një hetimi, ishte një lëvizje në drejtimin e duhur.

Por, përqendrimi vetëm në aspektin ligjor të çështjes apo trajtimi si operacioni i “duarve të pastra” të Turqisë është njëlloj me humbjen sysh të tablosë më të madhe. Hetimi për ryshfet është përplasja e fundit në një konflikt që po vazhdon prej dy vitesh midis lëvizjes “Gylen”, një grup fetar i udhëhequr nga kleriku islam Fethullah Gylen, i cili jeton që prej vitit 1999 në SHBA, dhe AKP-së në qeverisje. Ndërsa konteksti në të cilin po zhvillohet ky hetim nxjerr në pah natyrën “politike” të hetimit, mënyra e zhvillimit të hetimit zbulon ekzistencën e një “shteti paralel” në Turqi.

 

Aspekti politik

Vargu i ngjarjeve që patën si kulm të tyre hetimin e bujshëm për ryshfet nisi kryesisht me debatin mbi mbylljen e enteve mësimore jashtëshkollore jopublike (dershane). AKP-ja i shprehu në një sërë rastesh pikëpamjet e saj mbi sistemin e mësimeve private, duke besuar se në formën ekzistuese ai i vë nxënësit në një presion të panevojshëm dhe i rëndon financiarisht familjet.

Por, ky vizion nuk qe shprehur shkoqur gjer në nëntorin e 2013-tës, kur kryeministri Rexhep Tajjip Erdogan dhe ministri i Arsimit bënë me dije se qeveria po punonte seriozisht mbi një projektplan për shndërrimin/mbylljen e atij sistemi shkollor. Lëvizja “Gylen”, duke poseduar një të katërtën e të gjithë shkollave përgatitore private në Turqi, e pa këtë lëvizje si një përpjekje për t’i dhënë një goditje fatale organizatës, pasi këto shkolla përgatitore janë burimi i saj kryesor i të ardhurave dhe anëtarëve të rinj. Kësisoj, ajo shfaqi kundërshtimin e fuqishëm ndaj kësaj nisme dhe zhvilloi një fushatë shumëdrejtimëshe për t’ia zënë frymën.

Së pari, ajo shfrytëzoi praninë e saj të gjerë mediatike për ta ndaluar qeverinë ta çojë përpara nismën, por pa dobi. Atëherë lëvizja u la në dorë mjeteve të informimit, për t’u bërë publike më pas, dokumente sekrete të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë në vitin 2004, ku gjoja qeveria i nënshtrohej presionit ushtarak për t’i dhënë fund lëvizjes. Por, ky pretendim ishte në kundërshtim me realitetin në terren. Lëvizja ishte rritur eksponencialisht që nga viti 2004. Epoka e AKP-së është përshkruar si periudha më e qetë dhe më e rehatshme e lëvizjes.

Në të njëjtën kohë, gylenistët nisën një fushatë të medias sociale kundër qeverisë. Kërcënimet për dorëzim dhe publikim në mjetet e informimit të regjistrimeve filmike me përmbajtje seksuale të zyrtarëve qeveritarë ose të personave publikë proqeveritarë u bashkëshoqëruan me lloje të tjera shantazhesh. Një sërë regjistrimesh filmike, pavarësisht nëse ishin të njëmendta ose të montuara, iu ofruan publikut përmes faqes elektronike Youtube.

Përpjekjet për të ndikuar mbi politikën nëpërmjet nxjerrjes së regjistrimeve filmike ose formave të tjera të shantazhit nuk janë të reja në politikën turke. Në vitin 2011 iu ofruan publikut regjistrimet e dhjetë zyrtarëve të rangjeve të larta të MHP-së, Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, që sollën dorëheqjen e shumë prej tyre. Në përgjigje, udhëheqësi i MHP-së fajësoi qartësisht lëvizjen për nxjerrjen e materialeve.

Nga një sfond i tillë doli në dritë hetimi i bujshëm për ryshfet i 17 dhjetorit. Hetimi i bëri bashkë në një dosje të vetme tre çështje më vete dhe të palidhura. Këto çështje silleshin nga kryerja e “transaksioneve ilegale të arit me Iranin” te rastet e korrupsionit të lidhur me sektorin e ndërtimit dhe ryshfeti. Veç kësaj, me gjithë faktin se provat e nevojshme ishin mbledhur thuajse gjashtë muaj më parë, prokurorët pritën gjer në dhjetor për të nisur shqyrtimin e çështjes.

Koha e zgjedhur vërtetoi dyshimet e shumë njerëzve se kjo çështje hetimore qe përgatitur dhe qe vënë në lëvizje për të ndikuar mbi zgjedhjet lokale, të caktuara për në mars, për ta dëmtuar më shumë AKP-në. Pikëpamja mbizotëruese mes spektrit të gjerë të komentuesve në Turqi është se ky hetim nuk ngjason me një “operacion të duarve të pastra”, por është një hakmarrje politike nga lëvizja kundër qeverisë.

 

Shteti paralel gylenist

Natyra dhe metoda e këtij hetimi për ryshfet dhe konteksti historik i konfliktit midis dy palëve, e ilustron ekzistencën e një grupi autonom (gylenistëve) brenda burokracisë, veçanërisht në polici dhe në sistemin e drejtësisë. Kjo nuk është hera e parë që lëvizja i ka shfrytëzuar ndjekësit e saj për t’i bërë presion qeverisë ose për ta “zbutur” atë.

Shefi i shërbimit sekret turk, Hakan Fidan, u thirr në shkurt të 2012-s në gjykatë për kryerje të negociatave të fshehta me PKK-në, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, për një zgjidhje paqësore të çështjes kurde. Detyra i ishte dhënë nga Erdogani dhe besohej se prapa thirrjeve qëndronte lëvizja. Për më tepër, politikanët prokurdë e kanë akuzuar lëvizjen në shumë raste se ka qëndruar pas arrestimeve masive të aktivistëve dhe politikanëve kurdë, për shkak të qëndrimit agresiv të lëvizjes ndaj çështjes kurde.

Për më shumë, hetimi i fundit është kryer në fshehtësi të plotë. Zyrtarët që i kanë pasur dosjet në dorë nuk i kanë informuar as eprorët e tyre për hetimin: shefi i policisë së Stambollit,  i porsashkarkuar, Hysejin Çapkën (Hüseyin Çapkın) nuk ka qenë njoftuar fare për hetimin.

Sidoqoftë, dy gazetarë gylenistë qenë në gjendje të çuçurisnin muaj më parë mbi hollësitë e hetimit. I pari është një ish-oficer policie i kthyer në artikullshkrues dhe i dyti është një person që ka bërë emër duke i ofruar publikut dokumente sekrete.

Gjithashtu, në përgatitjet për një hetim të dytë për ryshfet, përplasja midis kryeprokurorit Turan Çollakkadë (Turan Çolakkadı) dhe prokurorit të marrë me çështjen e dytë hetimore, Muammer Akkash (Muammer Akkaş), e përforcon pikëpamjen se gylenistët brenda shtetit u japin përparësi interesave dhe identitetit të grupit të tyre kundrejt interesit të publikut dhe përgjegjësive zyrtare. Kur përmbajtja e hetimit “konfidencial” u nxor në media nga prokurori, Çollakkadë mbajti një konferencë shtypi për të shpjeguar parregullsitë dhe paligjshmëritë e veprimeve të nëpunësve brenda juridiksionit të tij. Ai deklaroi se pavarësisht kërkimit të informacionit nga prokurori, nuk i ishte dhënë asgjë. Por, ditën tjetër u nxorën në media nga prokurori të gjitha hollësitë e çështjes.

Hetimi për ryshfet në Turqi është një çështje e motivuar politikisht, por që gjithsesi duhet shqyrtuar mirë dhe në mënyrë bindëse. Çdokush që provohet të jetë fajtor për korrupsion duhet të përballojë pasojat, pa marrë parasysh pozitën e tij. Ky është një kusht thelbësor, që në shoqëri të mbizotërojë ndjenja e drejtësisë.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se aspekti politik i çështjes duhet shpërfillur dhe ekzistenca e një grupi autonom brenda burokracisë shtetërore duhet hedhur poshtë. Ekzistenca e një grupi të tillë paraqet një rrezik të madh për demokracinë dhe politikën civile. Në këto rrethana qeveria duhet të ndërmarrë dy operacione pastrimi. Së pari, ajo duhet të largojë çdokënd që është i fajshëm në këto çështje hetimore dhe të vazhdojë në rrugën e transparencës dhe të përgjegjshmërisë. Së dyti, duhet ta çmontojë “strukturën paralele” të ngritur nga lëvizja, për të pasur një demokraci të lirë dhe një politikë të fuqishme civile.

 

* Galip Dalay punon në departamentin e kërkimit politik në fondacionin SETA në Turqi. Ai është redaktor letrar i periodikut Insight Turkey dhe kandidat për doktoraturë në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, në Ankara. 

 

Përktheu:

Bujar M. Hoxha