A do të mbijetojnë muslimanët në Evropë?

A ishin ata që bënë sulmin në Paris muslimanë?
Apo kjo ngjarje ishte një inskenim i radhës?
A qëndronte pas saj ISIS apo Al-Kaida?
Apo mos vallë pas saj fshihen agjenda të caktuara?
A u bë shkak për këtë ngjarje ofendimi, që gazeta në fjalë u ka bërë muslimanëve?

Të gjitha këto pyetje dhe të tjera lidhur me këtë ngjarje tragjike janë të rëndësishme që të marrin përgjigjen e tyre objektive, edhe pse ndoshta ato kurrë nuk do të kenë aq publicitet sa prononcimet emocionale e të çuditshme që dëgjojmë në të tilla raste, por pyetja më e rëndësishme pas të gjitha pyetjeve është:

A do të mbijetojnë muslimanët në Evropë pas gjithë këtyre ngjarjeve?
A do të mund Evropa ta ndal islamofobinë dhe urrejtjen ndaj emigrantëve që po rritet dita ditës?
A do ta gjejë vallë Evropa qetësinë dhe përgjigjen e duhur për problemet e saj?

Të tilla ngjarje, cilido qoftë autori i tyre, në fund të fundit nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se do ta shpien Evropën, herët ose vonë, drejt zgjedhjes: ose të pranoj diversitetin dhe multikulturalizmin, multietnicitetin dhe respektimin e shenjtërive të të tjerëve, ose do ta bëj atë t’i kthehet përvojës së saj të vjetër me hebrenjtë dhe viteve të propagandës naziste.

Në mos qoftë as njëra e as tjetra, atëherë ajo do të vazhdojë të vuajë përçarjen dhe konfliktet e saj të brendshme, të cilat kanë gjasa të rriten, version ky që duket edhe më i mundshmi për momentin.

Dhe për këtë a mos vallë muslimanët do të jenë kurbani i radhës për Evropën, për krizat e saj ekonomike, për rënien demografike, për rritjen e numrit të emigrantëve, për papunësinë… ashtu si hebrenjtë u bënë fajtor dikur për to?

Deri sa ky makth të marrë fund një ditë, ne nuk do të jemi më, për t’iu dëshmuar brezave të mos bëjnë po të njëjtat gabime si paraadhësit dhe bashkëkohasit tanë, sepse ndoshta atyre nuk do tu bëjë dobi historia e shkruar ashtu siç nuk po bën ajo sot, kështu që nuk na ngelet tjetër vetëm se të shpresojmë!