A e cenon sekularitetin mësimi i fesë në shkolla? Njihuni me praktikat e vendeve të BE-së për këtë çështje!

Debati i ditëve të fundit rreth futjes së lëndës së mësimit fetar në shkollat në Kosovë, më shumë është përcjellur më polemika pro dhe kundër se sa në debat të mirëfilltë dhe argumente nga praktikat e shteteve të ndryshme se çfarë raporti e kanë me këtë problematikë.

Sociologu dhe njohësi i sekularizmit, Shkodran Ramadani, ka bërë një sqarim të detajshëm rreth praktikave te shteteve kryesore të BE-së përballë çështjes së mësimit të lëndës fetare.

Ai ka theksuar për Telegrafin se kjo çështje në Kosovë dhe në Shqipëri është trajtuar më shumë zhurmë dhe pa një debat cilësor, ku sipas tij, njëra palë ka qenë e ekzaltuar dhe pala tjetër anatemuese.

Ramadani, sjellë argumentet dhe sqarimet e tij se si rregullohet kjo çështje qysh prej Konventave për të Drejtat e Njeriut, më pastaj raportin e shkollës me fenë, shtjellimin se çka nënkupton sekularizmi; çka mbron dhe deri ku nuk cenohet kjo doktrinë.

Ai ka folur edhe për dobitë e integrimit të lëndës fetare nëpër shkolla, duke shtuar se për të krijuar efekte pozitive tek mirëformimi i nxënësve, ligjëruesit e këtyre lëndëve duhet të jenë njohës të mirë të këtyre fushave.

Telegrafi: Si e vlerësoni propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe më pastaj zëvendësministrit të MPJ-së, Petrit Selimi, që shkollat shqiptare në kurrikulimin e tyre të pasurohen edhe me lëndën fetare. Si e vlerësoni këtë iniciativë dhe cilat janë përparësitë dhe dobësitë e kësaj ideje?

Ramadani: Futja e lëndëve fetare apo fesë në shkolla është temë për të cilën në Shqipëri dhe Kosovë është bërë shumë zhurmë dhe shumë pak debat cilësor.

Reagimet kanë qenë më tepër ose të zhytura në ekzaltim, ose anatemuese, kurse argumentet relevante që marrin parasysh konventat, kartat dhe rezolutat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në veçanti ato në lidhje me të drejtën për edukim, kanë munguar gati në tërësi.

Gjithashtu mungojnë edhe krahasimet me modelet dhe praktikat të cilat shtetet më të zhvilluara dhe më demokratike kanë futur në zbatim që një kohë të gjatë.

Në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut (10 dhjetor 1948) është e ruajtur e drejta e çdo qytetari që të edukohet lirshëm, e bashkë me të edhe e drejta e prindërve për të zgjedhur edukimin që ata duan për fëmijët e tyre.

Deklarohet pa ekuivoke se “prindërit kanë të drejtë paraprake për të zgjedhur llojin e edukimit që do t’u jepet fëmijëve të tyre (artikulli 26.3).

Në mënyrë që këto rekomandime të zbatohen në mënyrë adekuate në praktikë, sistemet edukative u ofrojnë prindërve një sërë opsionesh të ndryshme të cilat dallojnë nga një vend në tjetrin. Këtë të drejtë ngjashëm e rithekson edhe Rezoluta 2200 e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (Asambleja e 16 dhjetorit 1966: artikulli 12.3).

Në Evropë është Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore e nënshkruar në Romë në vitin 1950, të cilën Këshilli i Evropës e nxori duke u bazuar në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.

Megjithëse fillimisht nuk ishte bërë ndonjë referencë në raport me të drejtën e edukimit, ajo ishte rregulluar dy vite më vonë nga Protokoli Shtesë 1 i draftuar në Paris më 20 mars 1952. Këtu deklarohet se asnjë person nuk mund të privohet nga e drejta për t’u edukuar dhe se shteti, në ushtrimin e funksioneve që kanë të bëjnë me çështjen edukimit, do të respektojë të drejtën e prindërve dhe do të sigurojë se edukimi dhe mësimi do të jetë në harmoni me bindjet e tyre fetare dhe filozofike (artikulli 2).

Rezoluta mbi Lirinë e Edukimit në Komunitetin Evropian e 14 marsit të vitit 1984 thërret shtetet anëtare të BE-së që të sigurojnë se prindërit mund të zgjedhin llojin e edukimit që ata duan për fëmijët e tyre (artikulli 1.9.).

Kapitulli i të Drejtave Themelore të Njeriut në Bashkimin Evropian mbron të drejtën e secilit për edukim (artikulli 14). Specifikisht, paragrafi 3 i atij kapitulli siguron se “edukimi i fëmijëve do të jetë në harmoni me bindjet fetare, filozofike dhe pedagogjike të prindërve”.

Telegrafi: A e rrezikon sekularitetin e shtetit, hyrja e lëndës fetare nëpër shkolla. Si ruhet neutraliteti i sistemit arsimor në raport me besimet fetare ?

Ramadani: Shumica dërrmuese e shteteve demokratike kanë infrastrukturë ligjore që është në harmoni me përmbajtjet e këtyre konventave dhe rezolutave që përmendëm më lart.

Që të kapim më mirë atë se çfarë në të vërtet synon sekularizmi, është mirë që të elaborojmë shumë shkurt trinitetin e Revolucionit Francez: Liri, Barazi, Vëllazëri. Kjo për shkak që Revolucioni Francez markon momentin e lindjes së shtetit modern, demokratik dhe sekular si dhe triniteti në fjalë është një afish që është vendosur në derën e një epoke të re, fillimisht për perëndimin, pastaj për tërë botën.

E para, Liria, garanton që askush nuk mund të detyrohet të bëhet pjesë e ndonjë besimi fetar apo afetar, që do të thotë se garantohet edhe e drejta për të mos besuar, pra për të qenë ateist, agnostik dhe të tjera varietete jofetare.

Kjo është ajo që në Amandamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane përshkruhet si “ushtrim i lirë i religjionit”.

Së dyti, Barazia thotë se duhet të ketë barazi mes njerëzve me besime të ndryshme; asnjë pikëpamje religjioze apo joreligjioze nuk mund të gëzojë një status të privilegjuar, e aq më pak të adaptohet si botëkuptim zyrtar i shtetit.

E treta, të gjitha familjet spirituale duhet të dëgjohen, të përfshihen në procesin e vendimmarrjes rreth asaj se cili duhet të jetë statusi i shoqërisë dhe identiteti politik i saj dhe se si do të realizohen këto synime. Ky dimension korrespondon me Vëllazërinë.

Siç thotë Taylor, këto synime, sigurisht, mund të konfliktuohen me njëri-tjetrin; që do të thotë se shteti është në proces të përhershëm në përpjekjet e tij për të krijuar barazpeshë mes tri shtyllave të trinitetit të mësipërm.

Madje, sipas Taylor, kjo përpjekje për të ruajtur harmoninë mes këtyre tri shtyllave mund të konsiderohet si shtylla e katërt. Nganjëherë favorizohet njëra kundër tjerave dhe kjo prish harmoninë.

Kjo sfidë për balancim të këtyre elementeve në tension me njëri-tjetrin vërehet edhe në çështjen e shamisë.

Për shembull në Francë nxënësve u ishte ndaluar që bartnin shami në shkollat publike.

Sipas Komisionit Stasi, i cili ishte formuar me qëllim që të zgjidhte problemin që shamia paraqet për laicitetin, kishte vlerësuar se “shamia ishte një shenjë e madhe religjioze që rrezikon rendin laik të Francës”.

Në disa shtete Gjermane, nxënësit lejohen të bartin shami, por jo edhe mësueset sepse ato janë autoritet në klasë dhe ky fakt nënkupton që ato mund të ndikojnë tek nxënësit.

Megjithatë në mars të vitit 2015, Gjykata Supreme Gjermane kishte vendosur që të lejojë edhe mësueset të bartin shaminë. Kurse në Britani dhe vende tjera janë shkollat ato të cilat, veç e veç, vendosin për këtë punë.

Cilat janë arsyet për këto variacione nga vendi në vend? Ligjbërësit po përpiqen që të balancojnë dy synime të sekularizmit: neutralitetin e institucioneve përballë besimeve dhe maksimumin e mundshëm të lirisë fetare. Synimi sekular i barazisë na shtyen që të lejojmë bartjen e shamisë në të gjitha vendet.

Telegrafi: Cili model (i cilit shtet) do të ishte ideal për Kosovën, nëse vendoset të aplikohet mësimi mbi fetë në Kosovë?

Ramadani: Ngjashëm sikur në rastin e shamisë, sfida e harmonizimit të synimeve të sekularizmit prek edhe futjen e fesë apo lëndëve fetare në shkolla. Siç edhe mund ta vërejmë, po flasim për dy gjëra të ndryshme: fenë dhe lëndët fetare.

Ligjbërësit e shteteve më demokratike janë vazhdimisht të zënë me menaxhimin e antagonizmit në mes të synimeve të sekularizmit. Në Evropë dhe gjetiu sistemi edukativ luan rol të rëndësishëm në transmetimin e besojmave sekulare dhe religjioze gjeneratë pas gjenerate, proces i cili është i rëndësishëm për kohezionin social të çdo shoqërie.

Shkollat formësojnë besimet në shumë mënyra – nëpërmjet pranisë eksplicite të udhëzimeve fetare brenda shkollave, miratimit të heshtur të praktikave dhe festivaleve specifike të religjioneve, familjarizimit formal me norma dhe vlera të veçanta, rregulla specifike për veshje, sjellje dhe për rrjete sociokulturore ndaj të cilave njerëzit janë të ekspozuar. Modelet që aplikohen në vendet evropiane variojnë dhe secili model, secili sistem i edukimit reflekton edhe zhvillimin specifik social dhe historik të atij vendi. Në disa shtete autoritetet religjioze luajnë rol të rëndësishëm në menaxhimin e shkollave, kurse në raste tjera ka ndarje të theksuar midis Kishave dhe strukturave shkollore.

Për shembull, në Britani të Madhe ligji kërkon që të ketë edukim fetar për të gjithë fëmijët e moshës 3-19 në shkollat shtetërore, përmbajtja e të cilit edukim vendoset nga mekanizmat lokalë.

Planprogrami duhet të reflektojë vlerat e krishtera, të jetë josektar dhe të heq dorë nga prirja për të konvertuar nxënësit. Ligji gjithashtu kërkon që mësimet dhe praktikat e religjioneve tjera me rëndësi në Britani të merren parasysh.

Të gjithë prindërit kanë të drejtë ligjore të kërkojnë që fëmijët e tyre të mos marrin pjesë në edukimin fetar.

Qeveria nuk obligon uniformë për nxënësit, por kërkon që shkollat të konsiderojnë nevojat dhe kërkesat e kulturave, racave dhe religjioneve të ndryshme në momentin kur vendoset për kodin e veshjes. Lutja apo adhurimi kolektiv dhe i përditshëm i “karakterit tërësisht apo përgjithësisht të krishterë” praktikohet në shkollat e Anglisë dhe Uellsit, obligim nga i cili mund të shmangen studentët të cilët marrin leje nga autoritetet e shkollave. Ligji lejon nxënësit e moshës 16-19 vjeçare që të mos marrin pjesë në lutje dhe adhurim pa lejen e prindërve, por ata janë të obliguar që të ndjekin orët e edukimit fetar. Ritualet e jokrishtera lejohen me miratimin e autoriteteve. Mësuesit kanë të drejtë të mos marrin pjesë në ato rituale, përderisa ata nuk janë të punësuar në shkolla të bazuara në fe.

Edukimi në Gjermani ende trupëzon sistemin edukativ të hartuar në kohën e Prusisë nga Frederiku i Madh më 1973.

Në Gjermani të gjitha shtetet federale ofrojnë udhëzime fetare dhe kurse të etikës në shkollat publike.

Pjesa më e madhe e shkollave publike udhëzime fetare Protestante dhe Katolike në bashkëpunim me kishat të cilat kanë status specifik legal, “Körperschaft des öffentlichen Rechts”, që është trashëgimi e Republikës së Weimarit. Udhëzime jepen edhe për Hebraizëm nëse ka numër të mjaftueshëm të studentëve që shprehin interesim për të.

Në njërin nga shtetet federale mësim-besimi përfshin edhe Ortodoksizmin, kurse në Berlin dhe Bremen (bazuar në Klauzolën e Bremenit) dhe Brandenburg, edukimi fetar nuk është i obligueshëm, por në Bremen ka kurse “Studime të Biblës”, por të pambikqyrura nga ndonjë grupacion i veçantë fetar.

Në shumicën e shteteve studentët të cilit nuk duan që të marrin pjesë në udhëzimet fetare, mund të zgjedhin që të ndjekin kursin e etikës.

Autoritetet shtetërore në përgjithësi lejojnë grupet fetare që të ndërtojnë shkolla private përderisa ato përmbushin kriteret planprogramore. Shkollimi është i detyruar për të gjithë dhe nuk lejohet mësimi shtëpiak për prindërit që duan një gjë të tillë për arsye fetare.

Në Austri Qeveria financon udhëzimet fetare në shkollat publike dhe vendet e adhurimit për fëmijët që i përkasin njërit prej 16 grupacioneve religjioze të njohura nga shteti. Duhen minimalisht 3 nxënës për të krijuar një klasë. Pjesëmarrja në udhëzime fetare është e obligueshme për të gjithë nxënësit, por me disa përjashtime; nxënësit nën moshën 14 vjeçare nuk mund të tërhiqen pa kërkesën e prindërve. Mësimi mbahet ose në shkolla, ose në hapësira të organizuara nga grupet fetare. Disa shkolla ofrojnë klasë të etikës për nxënësit që nuk ndjekin udhëzimet fetare.

Gjithashtu në Belgjikë udhëzimet fetare janë obligative. Në Danimarkë Teologjia Evangjeliste Luterane dhe mësime mbi religjionet të ndryshme nga bota ligjërohen në shkolla në harmoni me ligjin; nxënësit mund të tërhiqen me leje në formë të shkruar të prindërve. Në Norvegji gjithashtu shkollat ofrojnë mësime fetare. Në Finlandë të gjitha shkollat ofrojnë mësime fetare në akordim me religjionet e nxënësve. Ato gjithashtu ofrojnë edhe mësime filozofike për studentët që nuk i përkasin asnjë religjioni.

Në Suedi edukimi që mbulon të gjitha religjionet e botës është i detyruar në shkollat publike dhe private.

Në Islandë ligji detyron mësimin “e trashëgimisë së krishterë në kulturën islandeze që mëson barazinë, përgjegjësinë, brengosjen, tolerancën dhe respektin për vlerat njerëzore”. Por planprogrami i detyruar për krishterim, etikë dhe teologji merr parasysh edhe mësimin për besimet tjera. Italia, Greqia, Irlanda dhe Zvicra të gjitha e lejojnë ose e obligojnë mësimin fetar në shkolla.

Përjashtim nga vendet e zhvilluara dhe demokratike në Evropë bën Franca, ku shkollat publike janë laike.

Përjashtim bën rajoni i Alsace-Moselle ku, për arsye historike (ishte nën sundimin e Gjermanisë kur ligji ky sistem ligjor ishte instaluar në pjesën tjetër të Francës,) ka ligj lokal që mbështetë mësimin fetar (katolik, protestant dhe hebre) në akordim me modelin gjerman. Ligji ndalon të punësuarit dhe nxënësit për të bartur simbole të dukshme fetare, përfshirë mbulesën muslimane, kësulen hebreje, turbanin sikhist dhe kryqet e mëdhenj të krishterë.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Deri në vitin 2004 nëpër shkolla kanë hyrë lirisht priftërinjtë me veshjet e tyre (veladonat), por vetëm pasi ishte marrë vendimi për ndalimin e simboleve fetare nga Komisioni Stasi, ishte marrë vendim që ndaloheshin edhe priftërinjtë me veshje fetare. Udhëzimet fetare nuk janë të lejuara nëpër shkolla. Faktet për fetë mësohen në kuadër të kurrikulës së historisë.

Prindërit të cilët dëshirojnë që fëmijët e tyre të bartin simbole fetare apo që të marrin mësime fetare munden ose të organizojnë mësime shtëpiake, ose t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private.

Telegrafi: Futja e mësimit mbi fetë nëpër shkolla, a do të ndikonte në kuptimin e drejtë dhe të saktë të fesë?

Ramadani: Siç e thamë edhe më lart, në shumicën dërrmuese të vendeve evropiane, përjashto Francën, mësimet fetare luajnë rol jo të vogël në farkëtimin e kohezionit social. Përveç se e drejta për edukim fetar është e garantuar me konventa, karta dhe rezoluta të ndryshme ndërkombëtare, mësimet fetare mund të jenë edhe të dobishme. Natyrisht, vendimtare në këtë pikë janë kapacitetet edukative dhe akademike që një shtet ka në dispozicion.

Në raste të caktuara, si për shembull nëse mësuesit nuk janë të nivelit të kënaqshëm, mund të ketë pasoja jo të dëshirueshme për një shoqëri. Prandaj për këtë është e nevojshme që të rregullohet në mënyrë strikte përmbajtja e planprogramit e cila duhet të jetë në pajtim me vlerat liberale të pluralizmit, tolerancës, mirëkuptimit, lirisë së shprehjes, lirisë së besimit dhe solidaritetit. Mësuesit duhet të mbikëqyren që të sigurohemi se ata po bëjnë më të mirën e nevojshme që këto vlera të transmetohen tek nxënësit. Kjo gjithashtu ka edhe dobi tjera. Për shembull, shpesh thuhet se janë klerikët ata të cilët po edukojnë keq fëmijët tanë dhe kështu po kontribuojnë në rritjen e ekstremizmit, e më pas edhe terrorizmit. Në rast të futjes së fesë ose mësimeve fetare në shkolla, duke marrë parasysh edhe disa nga modelet e sipërpërmendura, klerikët do të shfronësoheshin nga monopoli të cilët ata kanë krijuar në sferën e edukimit fetar.

Kështu, nga ai moment e tutje, klerikët do të rivalizoheshin nga një industri sistematike shtetërore që edukon brezat e rinj në harmoni me vlerat demokratike. Shkolla do të kornizonte kështu edukimin e nxënësit dhe nëse kjo do të bëhej në mënyrën e duhur, do të ishte një hap jo i vogël në rritjen e mirëkuptimit ndërfetar e ndërbotëkuptimor.

Në mesin e debatuesve ka argumente të mira pro dhe kundër së futjes së fesë apo mësimeve fetare në shkolla dhe ne duhet t’i respektojmë ata. Për shembull, disa thonë se mësimi i kreacionizmit në shkolla do të ishte në kundërshti me teorinë e evolucionit dhe ky ësht problem jo i vogël. Por Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2007 ka futur në fuqi një rezolutë që ndalon mësimin e kreacionizmit jashtë orëve fetare, që dmth se mësimi i kreacionizmit në orët fetare është i lejuar, por që, meqenëse orët fetare më shumë i përkasin natyrës etike, kreacionizmi nuk përbën ndonjë problem serioz. Mirëpo, nëse hartuesit e shohin kreacionizmin si problem serioz, atëherë ata thjesht nuk e përfshijnë mësimin e tij në planprogramin e mësimit fetar, por përqendrohen në sferën etike të tij.

Kështu për shembull është bërë në Britani të Madhe. Për ta përfunduar, Kosova dhe Shqipëria, duke pasur parasysh se synojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane, ato do të duhej që mësim-besimin fetar ta hartonin duke marrë parasysh këto gjëra: 1) konventat, kartat dhe rezolutat e ndryshme ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut, në veçanti atë të edukimit, që janë universale; 2) të marrë mësime të nevojshme nga modelet dhe praktikat në shtetet demokratike, krahasime që do të na lehtësonin punën; 3) të marrë parasysh specifikat historike, politike dhe sociale të Kosovës dhe Shqipërisë. Unë besoj se nëse këto tri elemente merren për bazë, Kosova dhe Shqipëria do të mund të nisnin të mendonin se si do të dukej një planprogram shkollor për mësimet fetare. /Blendi Devolli/ Telegrafi/