
A është e ndaluar përdorimi i celularit gjatë hytbes?
Pyetje: Dimë që është e ndaluar të flitet gjatë hytbes, po nëse shikojmë në celular gjëra të ndryshme ose komunikojmë, a futet te ndalesa?
Përgjigje: Dëgjimi i hytbes ditën e xhuma ka rëndësi të veçantë, ndaj dëgjuesi duhet të përqendrohet tek fjalët e predikuesit që të arrijë përfitimin sa më të madh prej saj.
Të folurit gjatë saj përbën ndalesë siç përmend pyetësi dhe argument për këtë është fjala e Profetit (alejhis selam): “Nëse i thua dikujt – ditën e xhuma- hesht, dhe imami është duke folur, i ka rrëzuar sevapet (e dëgjimit te hytbes)”. Transmetuan Buhariu nr 944 dhe Muslimi nr 851.
Sa i perket impenjimit në celular gjatë hytbes, qoftë duke shkruar, apo duke ndjekur diçka në të, apo duke folur me dikë, edhe kjo hyn në ndalesë. Argument për këtë është fjala e Profetit(alejhissalatu uesselam): “Kush merr abdes si duhet ditën e xhuma, prezanton në të dhe dëgjon me vëmendje, i falen të gjitha gjynahet nga xhumaja në xhuma, shto edhe tre ditë më pas, e kush prek guralecët (në xhami gjatë hytbes), i bie sevapi i xhumasë.” Transmetoi Muslimi nr 857.
Ndërsa imam Ebu el-Abbas el-Kurtubi në shpjegim të hadithit thotë: Ky hadith tregon obligimin e përqendrimit dhe dëgjimin e predikimit të xhumasë, shto edhe obligimin e lënies të çdo gjëje që të shpërqendron nga hytbja. (El Mufhim 2-478).
Ndaj duke iu referuar nga sa përmendëm prej argumenteve, themi që të dhënit pas celularit në kohën që imami flet, hyn në ndalesën e mësipërme, sepse përkon me qëllimin e ndalesës.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH