Deri më sot nuk është vërtetuar se kompjuterët kanë ndonjë efekt të drejtpërdrejtë negativ në shtatzëni, por nëse një grua shtatzënë qëndron gjatë gjithë ditës para kompjuterit kjo mund të shkaktojë dhimbje të shpinës.
Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
Është normale që secila shtatzënë përpiqet që të bëjë gjithçka që foshnja e saj të jetë e shëndetshme. Shtatzënat shpeshherë shqetësohen se a mos ndoshta ndikojnë negativisht në zhvillimin e bebes aktivitetet e përditshme jetësore të cilat i ka bërë rregullisht përpara se të mbetet shtatzënë. Njëra nga brengat që mund të ketë një shtatzënë është se a ndikon negativisht kompjuteri.
Sot jetojmë në rrethana të atilla që është e pamundur të bëjmë çfarëdo pune pa kompjuter. Është e pashmangshme që një shtatzënë e cila punon në zyrë të qëndrojë disa orë në ditë para kompjuterit.
Është studiuar për një kohë mjaft të gjatë ndikimi që mund të ketë kompjuteri gjatë shtatzënisë, përfshirë edhe ndikimin e fushës elektromagnetike të cilët e krijon kjo aparaturë. Si përfundim është vërtetuar se kompjuteri nuk i rrit gjasat që një shtatzëni të përfundojë me abort e as nuk shkakton anomali të bebes.
Rreziku i qëndrimi ulur para kompjuterit mund të mos vijë drejtpërdrejt nga kompjuteri, por nga qëndrimi ulur për një kohë të gjatë që mund të shkaktojë dhimbje të shpinës. Nëse shtatzëna qëndron në një pozicion për një kohë të gjatë kjo ka ndikim negativ në shtypjen e gjakut dhe shfaqet dhimbja.
Prandaj edhe secila grua shtatzënë e cila duhet të qëndrojë para kompjuterit për disa orë gjatë orarit të punës është mirë që disa herë gjatë ditës të bëjë pushime të shkurta. Është mirë që gjatë këtyre pushimeve të lëviz nëpër zyrë, sepse kjo e lehtëson qarkullimin e gjakut nëpër krejt organizmin, e sidomos në këmbë. /Telegrafi/