A është sevap të agjërohet çdoherë e hëna dhe e enjtja?

Kjo është prej sunetit dhe njeriu ka shpërblim të madh nëse e agjëron të hënën dhe të enjten vazhdimisht. Për të hënën i Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “E hëna është dita në të cilën kam lindur.” Ajo është dhe dita në të cilën i ka zbritur shpallja. Andaj është mirë që kjo ditë të agjërohet. Kjo është mënyra se si pasuesit e sunetit e kremtojnë ditën e lindjes së të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, këtë mirësi e dhunti prej Allahut, pra përmes agjërimit (me vepra të mira), e jo me bidate, me festim e kremtim duke bërë mevlude. Ata çdo të hëne e agjërojnë si falënderim Allahut që e ka krijuar Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe që i ka zbritur shpallja, përmes së cilës jemi udhëzuar. Gjithashtu ka hadithe të tjera në të cilat tregohet se të hënën dhe të enjten i shfaqen Allahut veprat e robërve të Tij dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Andaj dëshiroj që veprat e mia t’i shfaqen Allahut duke qenë unë agjërueshëm.”

Hoxhë Lulzim Perçuku