A i lejohet imamit që ta zgjasë leximin e Kuranit gjatë …?

A i lejohet imamit që ta zgjasë leximin e Kuranit gjatë qëndrimit në këmbë, ose të zgjasë rukunë kur dëgjon zërat e hapave të personave të vonuar, me qëllim që të arrijnë rekatin?

Zgjatja e leximit të Kuranit apo të rukusë, me qëllim që të vonuarit të arrijnë rekatin, është një mesele për të cilën dijetarët kanë mospajtime. Më poshtë, do të cekim mendimet dhe gjykimet e dijetarëve lidhur me këtë mesele:

Sipas dijetarëve të medh-hebit hanbeli dhe mendimit më të drejtë të medh-hebit shafi, është që nëse imami ndodhet në ruku dhe ndjen hapat e dikujt, pret nëse pritja është e shkurtër, por pa rënduar xhematin. Në një rast të tillë, pritja është e dobishme dhe jo e rëndë. Zgjatja e rekatit dhe falja e namazit në mënyrë të shpejtuara është konfirmuar nga i dërguari i Zotit a.s. Është vërtetuar se ai e zgjaste rekatin e parë, derisa të mos dëgjonte hapa në xhami. Ashtu siç priste që njerëzit të grumbullohen për tu falur me xhemat dhe nëse i shihte të gjithë, menjëherë fillonte namazin, e nëse i shihte se po vonohen, e shtynte namazin.

Medh-hebi hanefi dhe maliki dhe disa dijetarë të medh-hebit shafi, mendojnë që nëse imami ndjen hapat e dikujt duke hyrë në xhami, nuk duhet ta presë, pasi pritja konsiderohet si dualizëm të ibadetit mes Zotit dhe robit, gjë e cila është ndaluar në Kuran:”dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kehf, 110)

Thotë Ibnu Abidin:”Nëse me këtë akt ai synon të afrohet më shumë me Zotin, pa e turbulluar zemrën me diçka tjetër përveç Zotit, nuk shihet si veprim dhe akti i papëlqyeshëm. Kjo është titulluar si meseleja e syfaqësisë dhe duhet ruajtur prej saj.”

Imam Sheukani, në librin e tij Nejlul Euar, sjell disa hadithe në kapitullin e titulluar:”Kapitulli i zgjatjes së rekatit të parë nga imami dhe pritja që personat e porsa hyrë në xhami, të kapin rekatin e parë.”

Në këtë kapitull, ai ka sjellë hadithet:

– Transmeton Ebu Katade (Zoti qoftë i kënaqur me të) se kur i dërguari i Zotit a.s falej si imam, gjatë namazit të drekës e zgjaste rekatin e parë. Po kështu, vepronte dhe gjatë namazit të sabahut. Ne e interpretonim si dëshirë të tij që njerëzit e vonuar të arrinin rekatin e parë.”

– Transmetohet nga Ebu Seid:”Kur thirrej ikameti, kishte njerëz që shkonin në Beki ku kryenin nevojat e tyre personale, merrnin abdes dhe e gjenin Profetin a.s akoma në rekatin e parë, pasi e zgjaste atë.” (Transmeton imam Ahmedi, Muslimi, Ibnu Maxheh dhe Nisaij)

– Transmeton Abdullah ibnu Ebi Eufa se i dërguari i Zotit a.s e zgjaste rekatin e parë të namazit të drekës derisa nuk dëgjoheshin më hapa.” (Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi)

Pasi i sjell këto hadithe, imam Sheukani përmend mospajtimet e fakihëve lidhur me këtë mesele dhe vetë anon nga mendimi i hanbelive ku thotë:

Ibnu Mundhir transmeton se Shabij, Nehaij, Ebu Muxhli dhe Ibnu Ebi Lejla nga tabi’inët, e shohin si akt të pëlqyeshëm – pritjen e imamit që të vonuarit të kapin rekatin. Të njëjtin mendim ndan dhe imam Shafiu, sipas Ebu Tib Taberiut, në mendin e tij përfundimtar.

Sakaq, imam Ebu Hanife, Maliku, Euzaij, Ebu Jusufi, Daudi, e konsiderojnë një akt të papëlqyeshëm (mekruh) pritjen e të vonuarve. Madje, disa prej tyre e shohin si një akt të rëndë dhe thonë:”Kam frikë se është shirk.” Këtë e ka thënë Muhamed ibnul Hasen.

Kurse disa nga nxënësit e imam Shafiut, thonë:”Kjo (pritja dhe zgjatja e namazit) e prish namazin.” Kurse imam Ahmedi dhe Is’haku – siç transmetohet nga Ibnu Bettal – mendojnë se:

Nëse pritja dhe zgjatja e namazit nuk dëmton njerëzit e tjerë, lejohet. Nëse i dëmton ata dhe u prish punë, ka mospajtime. Disa mendojnë që nëse njerëzit e vonuar janë xhemat i përhershëm i xhamisë, priten nga imami që të kapin rekatin, në të kundërt jo.

El-khattabi e justifikon pritjen e imamit, me hadithin ku Profeti a.s e shpejtonte namazin sa herë dëgjonte të qarat e foshnjve. Ai thotë:”Ky hadith është argument që kur ndodhet në ruku, imami mund t’i presë personat e vonuar që po hyjnë në xhami, me qëllim që të arrijnë sevapin e rukusë me xhemat. Nëse imamit i lejohet ta reduktojë kohën e namazit për një nevojë të caktuar, i lejohet që edhe ta zgjasë këtë adhurim. Madje, diçka e tillë është më e nevojshme dhe primare.” Të njëjtin mendim ka edhe Ibnu Bettal. Sakaq, Kurtubiu dhe Ibnul Munir thonë:”Reduktimi është e kundërta e zgjatjes dhe nuk mund të krahasohet me të.”

Thotë Ibnul Munir:”Zgjatja është diçka shtesë mbi normalen, pasi ajo shkakton vështirësi dhe rëndon xhematin prezent, për shkak të një personi.” Ky gjykim, nuk është kundër gjykimit të imam Ahmedit dhe Is’hakut, pasi ata e lejojnë nëse nuk shkakton dëm tek xhemati prezent në xhami.

Mendimi tyre është mendimi dhe gjykimi më i drejtë lidhur me këtë mesele. Pra, lejohet pritja dhe zgjatja e namazit, nëse nuk shkakton dëm dhe pasoja për pjesën tjetër të xhematit.

Zoti e di më mirë.