A ka gabuar Ebu Hanifja tek imani?

 

Pyetje: Selam alejkum, desha të pyes se në një fjalë që transmetohet nga imam Ebu Hanife thotë: Imani as nuk shtohet e as nuk pakësohet… gjithashtu thotë se Imani nuk ka të bëjë me veprat e njeriut, siç mendojn disa nga dijetarët tjerë se kur njeriu bën vepra të mira i shtohet imani dhe kur punon vepra të liga i pakësohet imani. Në një hadith sahih, Rasulullahu sal-lall-llahu alejhi ue sel-lam ka thënë se turpi është gjysma e Imanit. Në bazë të kësaj a nuk është në kundershtim mendimi i Ebu Hanifës radijall-llahu anhu me Hadithin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue sel-lam? Ku qëndron e vërteta, ju lutem që të na shpjegoni këtë çështje?!

 

Përgjigje:

Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berakatuhu

Lavd-falënderimi i takon Allahut të madhërishëm…

Të shkruash për besimin e një imami të muslimanëve, siç është Imam Ebu Hanife, i cili pushtoi shumë zemra dhe mahniti shumë dijetarë është përgjegjësi e madhe. Guxim për të gjetur, hulumtuar dhe përfolur “gabimet” e tij mund të merr vetëm një njeri që dëshiron të rritet duke i rrëzuar të mëdhenjte, i cili supozon se mund t’i rrëzojë duke folur për gabimet e tyre. Një dijetar thotë: Vërtetë gabimet e dijetarëve janë si kodrat, por të mirat e tyre janë sikurse nata, e cila mbulon ato gabime.

Për të dhënë një përgjigje sa më të plotë zgjodha të të përkthej këtë:

Imami Ebu Hanife quhet Numan i biri i Thabitit nga Kufe – Irak. Pa asnjë dyshim është një nga imamët e muslimanëve dhe të gjithë dijetarët pajtohen për imamllëkun dhe vlerën madhështore që ka ai.

Ali ibën Asim ka thënë: Po të peshohej dija e Ebu Hanifes me dijen e njerëzve në kohën e tij, do të peshonte dija e Ebu Hanifes.

Ibën Mubareku ka thënë: Ebu Hanife është ai që më së shumti e ka kuptuar fenë.

Imam Shafiu ka thënë: Njerëzit (dijetarët e mëvonshëm) në lëmin e Fikhut kanë nevojë për Ebu Hanifen.

El-Haribi ka thënë: Për Ebu Hanifen flet keq vetëm ziliqari ose injoranti.

Dhehebiu ka thënë: Epërsia në fikh dhe imtësitë e fikhut kthehen te ky imam, s’ka dyshim në këtë.

Arabët thonë një fjalë: Nuk është në rregull truri që ka nevojë për agimin e ditës t’i sillet argument.

Besimi i Imam Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, në çështjet e Teuhidit, në pohimin e cilësive të Allahut, në kundërshtimin e Xhehmijve (sekt i devijuar ekstremisht), në çeshtjet e Kaderit, rreth sahabëve dhe të gjitha çështjet e mëdha të Imanit (besimit) është në pajtim me metodologjinë e gjeneratave të arta (selef-it) dhe në pajtim me vëllezërit e tij, imamët e medhhebeve tjerë., përveç disa pikave të lehta, siç është fjala e tij se imani nuk shtohet e as nuk pakësohet, përkufizimi i imanit se është besim me zemër dhe shqiptim me gojë dhe mendimi se vepra nuk bën pjesë në thelbin (realitetin) e imanit. Mirëpo Ibën Abdulberi (libri: Et-Temhid 9/247) dhe Ibën Ebilizzi (libri: sherh Akide Tahavije fq. 395) kanë përmendur gjëra që japin të kuptojmë se Imami ka ndryshuar mendimin lidhur me këto.

Shejhul Islam Ibën Tejmije ka thënë: “Imamët e njohur, që të gjithë pohojnë cilësitë e Allahut, thonë se Kurani është fjalë e Allahut dhe jo i krijuar dhe thonë se Allahu do të shihet në ahiret. Ky është qëndrimi i sahabëve dhe i ndjekësve të tyre. Ky është mendimi i imamëve që ndiqen sikurse Malik ibën Enes, Lejth ibën Sad, el-Euzai, Ebu Hanife, Ahmed ibën Hanbel, Is’hak ibën Rahuje…” (libri: Minhaxhu Sunneti Nebevije 2/54).

Libri Akide Tahavije që u shkrua nga hanefiju Ebu Xhafer Et-Tahavi, Allahu e mëshiroftë, llogaritet të jetë sipas metodologjisë së Ehli Sunne uel Xhemaa, përveç pak pikave, prandaj dhe është i përhapur shumë në mesin e dijetarëve dhe të studentëve, madje është në planprogramin e shumë universiteteve, xhamive dhe mektebeve.

Tahaviu në faqen e parë të librit thotë: “Këtu do përmendim shpjegimin e besimit të Ehli Sunne uel Xhemaa sipas juristëve (fukahave) të Umetit: Ebu Hanifes – Numan ibën Thabit, Ebu Jusufit – Jakub ibën Ibrahim El-Ensari dhe Ebu Abdullahut – Muhamed ibën Hasen Esh-Shejbanit, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, siç do të shpjegojmë besimin e tyre për bazat e Fesë dhe si besojnë – adhurojnë Zotin e botëve”.

Pasi shumë prej ndjekësve të Ebu Hanifes mbajnë medhhebin Esharij dhe Maturidij, atëherë në medhhebin Hanefij kanë hyrë gjëra që kundërshtojnë besimin e gjeneratave të arta, madje kundërshtojnë besimin e vet imamit, prandaj, shumëçka prej atyre gjërave që i atribuohet Ebu Hanifes nuk është e vërtetuar, por ato janë nga fjalët e ndjekësve të tij, që shprehin përkatësinë te medhhebi i tij.

Ibën Ebilizzi ka thënë: “Vërehet se këto kundërshti nuk janë vërtetuar nga Ebu Hanifja, Allahu e mëshiroftë, por ato kanë ndodhur nga ndjekësit e tij, sepse shumica e atyre kundërshtive janë të pabaza, që nuk do t’i thoshte Ebu Hanifja” (libri: Sherh Akide Tahavije fq. 226).

Shejh Ibën Xhibrini, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Libërthi që është shkruar nga Ebu Hanife, ndoshta një pjesë të saj, ai ua ka diktuar dhe disa nxënës të tij e kanë marrë nga ai, që quhet “Fikhul Ekber”… nga ai libër Ibën Tejmije ka përcjellë disa tekste në librin “El-Hamevije” e po ashtu edhe Ibën Ebilizzi në librin “Sherh Tahavije”. Mirëpo, duket se ai libër ka pësuar ndryshime nga disa të mëvonshëm të cilët kishin shtrembëruar në ca çështje të besimit, ndaj, në atë libër futën shumë interpretime dhe e komentuan atë shumë prej atyre që kishin medhhebin Esharij apo medhhebin e Mohuesve të cilësive, pra kundërshtuan besimin e Selefit, Allahu i mëshiroftë. Nuk ka dyshim se shkaku për këtë janë mësimet e shumta që ata kishin marrë prej njerëzve që kishin medhhebin e interpretimit dhe të shtrembërimit të cilësive të Allahut dhe çështjeve të ngjashme” (libri: Fetava Shejh Ibën Xhibrin 14/63).

Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Ebu Hanifja, madje të gjithë katër imamët janë në vijën e Selefit, por normalisht se çdonjëri mund të bëjë lëshime, mirëpo ndjekësit e tyre janë në një fushë ndërsa imamët e tyre në fushë tjetër”.

E kemi detyrë të mbyllim gojat për të folur keq ndaj imamëve të muslimanëve, për drejtësinë, madhështinë dhe imamllëkun e të cilëve janë pajtuar që të gjithë, sepse mishi i ulemave është i helmuar.

Nga çdo njeri pranojmë dhe refuzojmë, përveç Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, atij nuk ia refuzojmë. I mjafton muslimanit që ta mësojë akiden e vërtetë dhe ta ndjekë atë, ndërsa në anën tjetër të hedhë atë që është në kundërshtim pa pasur nevojë të ngjitet më lart, që mund të rrezikojë të shkelë apo të akuzojë dikë nga të mëdhenjtë, të mirët dhe dijetarët e Umetit.

Kur Dhehebiu, Ibën Kethiri dhe shumë historianë të Ehli Sunetit shkruan për biografinë e Imam Ebu Hanifes, Allahu i mëshiroftë të gjithë, nuk iu qasën aspak diçkaje që mund ta njolloste atë, kjo është dije dhe devotshmëri e vërtetë. Kjo është detyra jonë kundrejt dijetarëve tanë, Allahu i mëshiroftë, kjo është më së paku që mund të bëjmë për të ruajtur hakun dhe nderin e tyre.

Kurse ajo që përcillet nëpër disa libra të historisë në kundërshtim me këtë, transmetime kundërthënëse që lidhen me problematikën e krijimit të Kuranit; Imam Ahmedi dhe të tjerë mendojnë se gjëra të atilla nuk janë të vërtetuara që i ka thënë apo i ka besuar Ebu Hanifja. Pastaj u mbyll kjo faqe dhe u stabilizua çështja e dhënies përparësi dhe popullaritet imamllëkut të Ebu Hanifes në Fe.

(përshtatje nga dijetari Muhamed El-Munexhid)

Pas kësaj mund të themi lirisht se nuk i lejohet askujt që ka frikë Allahun të flasë akuza për një dijetar ose për ndonjë çështje që ky ndoshta e ka keqkuptuar dhe ta përhapë atë “gabim” duke aktruar rolin e mbrojtësit të kësaj feje dhe xhelozit për parimet e besimit të Ehli Sunetit.

Allahu na takoftë në xhenet me pejgamberët, dijetarët, shehidat dhe njerëzit e mirë. Amin!