Rtv Pendimi

A lejohet betimi i rrejshëm në një rast rreziku?

Pyetja:

Selam alejkum! Desha t’ju bëj pyetjen se a lejohet betimi i rrejshëm në një rast rreziku, fshehjeje turpi apo në diçka tjetër të ngjashme.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Te besimtari është esenciale sinqeriteti dhe çiltërsia. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Ta keni frikë Allahun dhe të jeni me ata të drejtët.” (Tevbe, 119)
Ndërsa Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Jini të sinqertë, vërtet sinqeriteti shpien në mirësi, mirësia shpien në xhenet, njeriu vazhdon të jetë i sinqeritet në çdo punë derisa të regjistrohet tek Allahu i tillë. Kini kujdes nga gënjeshtra, vërtet gënjeshtra shpie në prishje, kurse prishja shpie në xhehenem. Me të vërtetë njeriu vazhdon të gënjejë në çdo punë derisa tek Allahu shkruhet gënjeshtar.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Betimi, në përgjithësi, edhe në gjëra të sakta nuk është i pëlqyer, prandaj duhet t`i largohemi çdo herë që kemi mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: “E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të).” (Bekare, 224)
Kurse betimi rrejshëm në rast turpi nuk lejohet, pasi nuk është gjë e domosdoshme. Ndërsa në rast rreziku dhe domosdoshmërie disa nga dijetarët bashkëkohorë e kanë lejuar, por kanë theksuar që të jetë në rast të domosdoshmërisë së patjetërsueshme, pra kur jemi të detyruar dhe jemi përballë rrezikut dhe nuk kemi mundësi t`i shmangemi. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH