Rtv Pendimi

A lejohet mashkulli t’i kapë flokët gërsheta apo t’i ketë flokët e gjata?

Pyetja:

A lejohet mashkulli t’i  kapë flokët gërsheta apo t’i ketë flokët e gjata, kur dihet se Muhamedi (alejhi selam) i ka pasur flokët e gjata?

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Muslimani kërkohet të jetë i përgjegjshëm në formën e dukjes së tërë trupit dhe flokëve, pasi Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë, ashtu siç vërtetohet në hadithe të sakta. Gjithashtu, Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) kujdesej në mirëmbajtjen e flokëve, duke i krehur ato, lyer me vaj, etj.

Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kush ka flokë, le t`i mirëmbajë ato (me përkujdesje).” Këtë hadith e bën të saktë imam Albani në “Sahih el-xhami”.

Por, ajo që vërtetohet nga ai gjithashtu është, ashtu siç tregon Tirmidhiu në librin“Shemail Muhamedije”, “Tiparet (cilësitë) e Muhamedit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!)” se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) i krihte flokët jo gjithmonë, por nganjëherë. Do të thotë se me përkujdesje duhet të mos teprohet, ashtu siç është bërë traditë e shumë të rinjve të cilët humbin kohë të tëra në pasqyrë, duke u munduar të zgjedhin stilet më të përshtatshme për flokët e tyre. Tendenca për t`u zbukuruar tej mase nuk duhet të jetë nga natyra e djemve, pasi ajo është natyrë e femrave. Prandaj kjo traditë që po e shohim në këtë kohë nga djemtë duhet të reduktohet mjaft.

Pas kësaj hyrje të nevojshme themi se zgjatja e flokëve është një nga gjërat që nuk ka ardhur feja në ndalimin e saj apo urdhërimin në të, por ajo është nga çështjet për të cilat ka heshtur legjislacioni Islam rreth tij. Prandaj lejohet zgjatja dhe mos zgjatja e tyre dhe lejohet që mashkulli t’i ketë flokët e gjata, t’i lidhë ato apo t’i thurë gërshet. Transmetohet nga Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe Imam Ahmedi nga Muxhahidi i cili ka thënë: “Umu Hani`ë (ishte nga sahabijet, Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: ‘Resulullahu (salallahu alejhi ve selem) ka ardhur në Mekë duke i pasur katër bishtaleca (flokë të thurura gërshet)’.”

Ibën Kajimi në librin “Zadu mead” thotë: “Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) i kishte flokët që ia mbulonin veshët dhe deri te supet. Kur i rriteshin flokët i bënte ato katër gërshetë.”

Ajo që është e ndaluar këtu është të mos jetë për qëllim pasimi i jobesimtarëve, pasi kjo është e ndaluar. Gjithashtu, në këtë rast ndalohet të bëhet zgjatja e tyre dhe përzgjedhja e frizurave në formën se si e bëjnë atë femrat, pasi kjo është ngjasim i femrave.

Së fundi, më duhet të bëjë një vërejtje të domosdoshme në këtë çështje. Ajo është se disa nga vëllezërit tanë i zgjasin flokët dhe kur ata pyeten për shkakun thonë se këtë e bëjnë me qëllim të praktikimit të sunetit, pasi siç kuptuam më lartë edhe Resulullahu (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) nganjëherë i mbante të gjata. Është e vërtetë se nëse muslimani e bën këtë për qëllimin e lartpërmendur, ai do të ketë shpërblim, por ajo që nuk është e saktë këtu është ajo që e përmend shej Muhamed Salih Uthejmin ku thotë:

“Por, i tërë problemi dhe fatkeqësia është se ata të cilit i zgjasin qimet e kokës nuk i zgjasin qimet e mjekrës, pastaj ata pretendojnë se me këtë pasojnë Resulullahun (salallahu alejhi ue selem), kurse ata me këtë nuk janë të sinqertë. Ata me këtë pasojnë epshet e tyre dhe vërehet se nuk janë të sinqertë në pasimin e Profetit (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) pasi ata neglizhojnë çështje të fesë që janë nga të domosdoshmet si lëshimi i mjekrës, për shembull, ndërkohë që ata janë të urdhëruar t`i lëshojnë mjekrat. Apo neglizhojnë në faljen e namazit dhe vaxhibe të tjera. Gjëra që aludojnë se ata me zgjatjen e flokëve nuk kanë qëllim afrimin tek Allahu, e as pasim të Profetit (salallahu alejhi ue selem). Por ata e bënë këtë pasi u pëlqeu.” (“Mexhmu fetava Ibën Uthejmin”, vëll.11, f.119)

Hoxhë Alaudin Abazi

/klubikulturor.com

TË NGJAJSHME