Rtv Pendimi

A lejohet ndërrimi i mbiemrit pas martese apo të shtohet edhe mbiemri i burrit?

Pyetja:

Eselamu alejkum, hoxh i nderuar! Kam dëgjuar se kur vajzat martohen nuk lejohet ndërrimi i mbiemrit. Sa është e saktë kjo dhe a lejohet të shtohet mbiemri i burrit?
Allahu ju shpërbleftë për mundin!

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ndryshimi i mbiemrit të gruas pas martesës, që praktikohet në vendin tonë, por edhe në shumë vende të tjera, është një problematikë që nga aspekti Islam, duhet të sqarohet se sa është e lejuar.

Para se ta shtjellojmë dispozitën themi se problemi që ngritët në këtë është nga hadithet që vërtetojnë se njeriut nuk i lejohet të emërtohet me ndonjë emër, gjegjësisht prejardhje, nga e cila do të nënkuptonte se ai i përket një origjine të caktuar, që në realitet nuk është ashtu.

Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë:

“Kush pretendon se është i biri i një prindi, kurse ai në të vërtetë nuk është dhe në këtë është i vetëdijshëm, xheneti është i ndaluar për të.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

“Nuk ka asnjë person që pretendon se është i biri i një prindi, që në realitet nuk është dhe ai e di këtë, e që nuk ka bërë kufër. Kush pretendon se i takon një fisi që në realitet nuk ka me ta origjinë, le ta përgatisë karrigen nga zjarri.” Buhariu dhe Muslimi.

Këto citate dhe të ngjashmet janë argument se nuk lejohet njeriu ta emërtojë veten me një prejardhje që do të ndryshonte, apo do të kuptohej se rrjedh nga një origjinë tjetër nga ajo që në të vërtetë është ai. Me fjalë të tjera, këto hadithe ndalojnë që njeriu të thotë se është i biri i një prindi që me të vërtet nuk është.

Mirëpo ndryshimi i mbiemrit të gruas pas martese dhe marrja e mbiemrit të burrit nuk do thoshim se futet në këtë ndalesë. Pasi me ndërrimin e mbiemrit nuk nënkupton ndërrimin e atësisë së gruas, ose mohimin e prindërve të tij.

Imam Muslimi kur i sjell hadithet e lartpërmendura, e titullon kapitullin me:

“باب بيان حال ايمان من رغب عن أبيه و هو يعلم”

“Kapitulli: Sqarim rreth gjendjes së besimit të personit i cili mohon atësinë e prindërve duke qenë i vetëdijshëm”

Prandaj argumentimi me këto dhe hadithe të ngjashme për ndërrimin e mbiemrit të gruas nuk është me vend.

Ajo që është prezent te ne, nuk do ta quaja se është ndryshim i prejardhjes, pasi vet mbiemri te ne nuk tregon domosdoshmërish edhe prejardhjen. P.sh.: Kemi familje që mbajnë mbiemrin “Berisha”, kurse ata realisht janë nga “Krasniqët”, pastaj ka edhe raste jo të pakta, kur dy vëllezër kanë edhe mbiemra të ndryshëm e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, mbiemri te ne nuk është formë e plotë e identifikim me anë të cilës kuptojmë se një person i takon një familje (fisi) të caktuar e aq më pak të kuptojmë se kush janë prindërit e tij.

Po të kishte mbiemri te ne të njëjtin statut, atëherë do të ishte e ndaluar nga çdo familje ta ndërronte mbiemrin. Kurse kjo ndodh jo rrallë herë dhe askush nuk mendon se ai me këtë, ose ajo familje ka ndërruar origjinën apo ka mohuar prejardhjen e vërtetë nga e cila realisht rrjedh (për të cilën kanë ardhur edhe ndalesat në hadithet e lartshënuara).

Sido që të jetë, Allahu e di më së miri, themi se zbritja e këtyre citateve në këtë ndoshta nuk është e drejtpërdrejtë ashtu siç do të mund ta bënte dikush.

Edhe pse kjo është kështu ne nuk themi se nuk ka kurrfarë problemi ky lloj i ndërrimit të mbiemrit, i cili është prezent te ne, por nuk arrin atë shkallë të së keqes dhe ndalesës për të cilat flitet në hadithet e cituara.

Do të ishte më e saktë dhe më e qëlluar që gruaja të mbetej me mbiemrin e saj edhe pas martesës (pra mos ta ndryshojë atë fare), pasi që kjo është e drejtë themelore e saj dhe Islami fuqimisht mbron dinjitetin dhe personalitetit e gruas. Për shkak se ajo, edhe pse kalon te burri, pas martesës, ka të drejtë të plotë në prejardhjen e saj dhe nuk i lejohet burrit assesi t’ia cenojë këtë të drejtë.

Por, nga disa informacione të pakonfirmuara kuptojmë se nga ligje ekzistuese tani, kjo më vonë shkakton probleme në mbiemrin e fëmijëve, pasi ata juridikisht marrin mbiemrin e nënës, posaçërisht nëse vjen deri te shkurorëzimi.

Forma më e mirë në këtë do të ishte ajo që përmendet edhe nga pyetësja, që gruaja ta mbajë mbiemrin e saj dhe kësaj t`ia bashkëngjisë mbiemrin e burrit. Kjo zgjedhje do të ishte më e arsyeshmja për te ne, por është e nevojshme të hulumtohet juridikisht se çfarë ligjesh pasojnë në rastin e mbiemrit të fëmijëve ose në rast të shkurorëzimit. Allahu e di më së miri.

Hoxhë Alaudin Abazi

/klubikulturor

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH