A lejohet të falim namaz me rroba me ngjyrë të kuqe?

Pyetja:

Selam alejkum! Allahu ju shpërbleftë për mundin tuaj dhe inshallah veç keni suksese dhe ecni përpara. Unë jam një vizitore e rregullt e webfaqes suaj. Kam një pyetje, që e kam dëgjuar dhe lexuar në internet, se a lejohet të falim namaz (me rroba) me ngjyrë të kuqe, apo ka ndonjë hadith sipas të cilit nuk lejohet veshja e ngjyrës së kuqe? Selam alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Para se t’i përgjigjemi pyetjes së parashtruar, është e nevojshme të qartësojmë esencën rreth ngjyrës së rrobave që lejohen, respektivisht ndalohen të vishen si për meshkuj ashtu edhe për femra.
Bazë në veshjet e besimtarit është lejimi, me fjalë të tjera janë të lejuara të gjitha llojet e ngjyrave dhe nëse dikush thotë apo pretendon se një lloj veshjeje apo ngjyre nuk është e lejuar, duhet të sjellë argument për këtë.
Kurse për pyetjen tuaj, themi se janë disa citate që ndalojnë veshjen e ngjyrës së kuqe, por kjo ndalesë ka dy kushte:
1. Rroba të jetë tërësisht e kuqe, pra me këtë përjashtohen rrobat të cilat janë të kuqe pjesërisht dhe të përziera me ngjyra të tjera, pasi vërtetohet nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem se ka veshur rroba të cilat ishin të përziera me ngjyrë të kuqe.
2. Kjo ndalesë është e posaçme për burra. Për femrat është e lejuar veshja e të gjitha llojeve të ngjyrave, por duhet pasur kujdes që kur të dalë femra në rrugë apo para burrave të huaj, nuk lejohet të veshë rroba që kanë ngjyra të theksuara dhe që tërheqin vëmendjen, sikurse ngjyrat e ndezura (e kuqja, e kaltra e hapur, e gjelbra e hapur, etj.), apo rrobat që janë të zbukuruara në vetvete. Allahu i Lartësuar i ndalon gratë besimtare duke u thënë: “…të mos zbulojnë stolitë e tyre…” (Nur, 31)
Kjo ndalesë është e përgjithshme dhe në të hyjnë edhe veshjet e zbukuruara që tërheqin syrin. Por nëse janë në shtëpitë e tyre, para burrit dhe meshkujve që i kanë mahrem (u ndalohet martesa me ta) apo falin namaz, u lejohet të veshin të gjitha llojet e ngjyrave dhe në këtë nuk ka ndonjë ndalesë.
Hoxhë Alaudin Abazi

/klubikulturor