Pyetje:
Eselamu alejkum!Ju lutem, hoxhë i nderuar, më tregoni se a më lejohet të punoj në një ordinancë private gjinekologjike, ku është vetëm motra dhe doktori, nuk ka personel tjetër. Allahu na ruajttë e na shpërbleftë të gjithë myslimanëve!
Përgjigje:
Alejkumus selam ve Rahmetullah!
Lejohet të punohet në ordinancën e tillë, nëse:
– nuk e kërkon nevoja që të vetmoheni vetëm ti dhe mjeku mashkull,
– gjatë ndejave në pauza dhe në kohët e tjera të lira gjatë orarit si dhe pas orarit, nuk qëndroni së bashku me mjekun,
– nëse në përgjithësi morali i atij mjeku si dhe devotshmëria e juaj janë të kënaqshme, deri në atë masë sa asnjëherë nuk rrezikohet morali i juaj, as për gjëra të vogla (sikur t’ju hyjë në qejf personaliteti i mjekut, e pa e vërejtur, të filloni ta trajtoni jo mirë bashkëshortin tuaj, e ndoshta edhe ta urreni e të gjeni vërejtje në jetën tuaj bashkëshortore, pa qenë e vetëdijshme se nga po të ndodh kjo gjë) e të mos flasim për gjëra të mëdha,
– në atë ordinancë nuk bëhet abortim i ndaluar,
– në përgjithësi veprimtaria e juaj si personel nuk ndeshet me parimet e sheriatit,
– nevoja e juaj për të punuar është e arsyeshme dhe e qëndrueshme etj.
Në të kundërtën nuk ju lejohet të punoni aty.Nëse mendoni se kushtet e lartshënuara i plotësoni dhe mund të punoni, atëherë ju porosis që vazhdimisht ta mbani veten të freskët me lexim të dobishëm, me ibadet shtesë (nafile), me lexim të posaçëm të biografisë së Muhamedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, shokëve të tij si dhe njerëzve të mirë të historisë islame. E gjithë kjo për të qenë në kontinuitet me të praktikuarit e Islamit dhe për të mos i dhënë rast djallit që t’ua dobësojë imanin dhe më pas të bini në mëkate dhe prishje të lumturisë së jetës.
Allahu e di më së miri!
Prof. Muhamed Dërmaku
pertymoter.net