Pyetje: Si ndikon prezenca e xhindëve mbi fëmijët e vegjël dhe çfarë masash mbrojtëse mund të merren?
Përgjigje:
Falënderimet tona janë për Allahun s.v.t., e përshëndetjet tona me salavate dhe selame të panumërta janë për të Dërguarin e Tij s.a.v.s.
Fillimisht, duhet të përkujtojmë faktin se armiku i përbetuar, shejtani i mallkuar, nuk kursen askënd, fëmijë e të rritur, plak e të ri, të shëndoshë apo të sëmurë. Kjo është edhe natyra e armikut ndaj armikut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na tregon se foshnja posa del nga barku i nënës, shejtani i mallkuar e ngacmon me prekjen e tij dhe ai është shkaku i vajit të parë që lëshon fëmija. Prej këtij ngacmimi kishin shpëtuar vetëm Merjemja dhe biri i saj, Isai a.s.v.s., si pranim i lutjes së nënës së Merjemes përderisa ishte shtatzënë me të: “Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar” (Transmeton Buhariu).
Po ashtu, porosia e të Dërguarit s.a.v.s. ishte që fëmijët t’i fusim brenda gjatë perëndimit të diellit, ngase ajo është kohë e shpërndarjes së shejtanëve si masë mbrojtëse për ta.
Pra, edhe fëmijët janë të ekspozuar ndaj ngacmimeve të shejtanit të mallkuar, prandaj edhe i Dërguari i Allahut lutej për nipat e vet, Hasenin dhe Husejnin r.a.. Rrjedhimisht, është e preferuar që prindërit t’u lexojnë suret dhe lutjet përkatëse fëmijëve të vegjël derisa ata të rriten për t’ua mësuar dhe për t’ua bërë shprehi që t’i thonë vetë mëngjes e mbrëmje.
Preferohet për prindin që rregullisht t’ia lexojë fëmijës së vet Ajetul Kursinë, tre suret e fundit dhe lutjet specifike që gjenden në librin “Mburoja e Muslimanit”.
Edhe duaja e përgjithshme për mbrojtje dhe ruajtje është shumë e dobishme.
Vallahu A’lem.
Burimi: pergjigje.net