A PSE DUHET LEJUAR FALJA E NAMAZIT NË KAZERMAT E FSK-SË

Ligji për ndalimin e faljes së namazit brenda hapësirave të FSK-së, ndonëse i përkohshëm, megjithëkëtë, për shkak të përmbajtjes që bie ndesh me parimet demokratike, në njërën anë, dhe natyrës provokuese, në anën tjetër, duhet anuluar sa më parë të jetë e mundur. Do të duhej që institucionet tona, në këtë rast, Kryesia e BIRK-ut, të reagojë fuqishëm ndaj këtij vendimi skandaloz, i cili është imazh i një sekularizmi radikal dhe ekstrem që po promovon shteti i Kosovës.
Në vijim do të jap tre arsye pse duhet të ndryshohet ai vendim sa më parë dhe pjesëtarëve të FSK-së duhet t’iu lejohet falja e namazit:

1) Vendimi bie ndesh me kushtetutën e vendit

Arsyetimi me laicizmin e shtetit dhe neutralitetin e tij në çështjet fetare është tendencë më shumë për të minimizuar praninë publike të fesë islame në çdo gjë.

Kushtetuta e Kosovës, ndonëse në nenin 8 përcakton që shteti të jetë neutral në çështjet fetare, nen në të cilin po thirren gabimisht ata që mohojnë të drejtën e praktikimit të namazit, megjithëkëtë, në nenin 38, pasi që përmend të drejtën fetare si të drejtë të garantuar, shpjegon edhe atë se çfarë përfshin e drejta fetare. Në alinenë 2 të këtij neni qëndron: “Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar për të qenë anëtarë i një bashkësie ose grupi fetar.”

Do të ishte gabim sikur të thirrej në alinenë 4 të nenit në fjalë për ndalimin e ushtrimit të së drejtës fetare. Në këtë aline qëndron: “Liria e manifestimit të fesë, e besimit dhe e ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë.” Do të isha shumë kureshtar të di se çfarë rreziku paraqet falja e namazit për shoqërinë, rendin, shëndetin, të tjerët?!!

Përveç kësaj, “flirtimi” i politikanëve tanë me liderë dhe institucione fetare joislame, qoftë duke marrë pjesë në adhurime të konfesioneve tjera, qoftë në organizimet shtetërore për liderë religjiozë që zhvillojnë vizita me karakter fetar, etj, janë një tjetër dëshmi se me neutralitet nënkuptojnë përjashtimin publik vetëm të fesë islame.

2) Lajthitja nga praktikat demokratike

Perëndimi, veçanërisht SHBA-të, model kinse i politikës kosovare, kanatë zgjidhur këtë problem që moti. Për dallim nga ekstremizmi mohues dhe terrorizues tek ne, atje ka ekstremizëm në kuptim të aprovimit të së drejtës. Thirrja në të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit i ka bërë autoritetet amerikane që edhe për besimet që mohohen nga fetë qiellore dhe që janë dëshmuar praktikisht si shumë të dëmshme, p.sh. satanizmi, të caktojnë hapësira lutjeje për ta në objektet ushtarake. Madje, vet këtu në Kosovë ku kemi të pranishme forcat amerikane, në kampin BondSteel, ushtria amerikane ka kishë. Për qeverinë amerikane, fakti se SHBA-të janë shtet laik, nuk nënkupton ndalimin e ushtrimit apo demonstrimit të besimit.

3) Mohimi i të drejtave, përgjithësisht, siç kanë nënvizuar sociologë dhe studiues të shumtë, mund të shkaktojë pakënaqësi, të cilat mund të kenë pasoja të mëdha. Kjo, gjithsesi se mund të ndodhë edhe me ndalimin e faljes së namazit në FSK, dhe për këtë përgjegjësinë duhet ta bartin autoritetet e caktuara.

Besoj se në bashkëpunim me BIRK-un, kjo çështje do të zgjidhej lehtë, pasi që gatishmëria për të organizuar në vijë institucionale kryerjen e lutjeve fetare në FSK dhe institucione të ngjashme ekziston. Andaj, në vend të komunikimit të dhunshëm nëpërmjet vendimeve të këtilla, le të krijojmë klimë të respektit të ndërsjellë. Kjo është më e mira për të gjithë ne.