Rtv Pendimi

A të udhëtoj me këta autobusë?

Pyetja:

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Kam dy pyetje:
1. Thotë Allahu në Kuran në suren En-Nisa, ajeti 140: “Juve u është shpallur në librin (Kuranin), që, kur të dëgjoni se po mohohet Kurani i Allahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. Allahu do t’i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem.”
Ne studentët që udhëtojmë me autobus shpesh po sprovohemi me disa video-incizime humoristike, ku në to në njëfarë mënyre ose tjetrën përqeshen besimtarët ose feja e Allahut xhel-le e a’la.
Neve që ndodhemi në autobus, edhe pse ndiejmë keqardhje, na shkojnë sytë që t’i shikojmë, por nuk kemi mundësi të largohemi nga autobusi. Unë zakonisht mundohem të mos udhëtoj me autobusë që shfaqin kësi lloj humori, por pothuaj nuk ka mbetur autobus që nuk shfaq gjëra të tilla. Allahu na ruajttë! Si të veprojmë dhe a ekziston rreziku që të hyjmë në këtë ajet kuranor?

2. Unë kam lexuar vetëm pyetje e përgjigje ne lidhje me shkurtimin e namazit për udhëtarin, mirëpo ende nuk e kam të qartë se kur lejohet e kur jo, kur lejohet të bashkohet e kur lejohet të falet dy nga dy.
Nëse keni mundësi që të botoni një shkrim në lidhje me këtë çështje si edhe me shembuj konkret.
Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Es-selamu alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Për sa i përket udhëtimit me autobusët që shfaqin video-incizime të cilat përqeshin Islamin dhe besimtarët ose lëshojnë muzikë dhe gjëra të tilla, themi se nëse është e mundur të gjejmë mjete të tjera udhëtimi dhe të mos hipim, por t’u shmangemi atyre, atëherë veprojmë kështu duke shpresuar shpërblimin tek Allahu. Mirëpo nëse kjo na shkakton probleme, vonesë apo ndonjë pengesë tjetër, atëherë udhëtojmë me këta autobusë dhe inshallah nuk kemi mëkat, pasi në rrethanat dhe në kohën në të cilën jetojmë pothuajse është e pamundur t`u ikim të gjitha gjërave të këtilla. Allahu e di më së miri!
2. Kurse sa i përket shkurtimit të namazit për udhëtarin, pastaj në lidhje me dispozitat të cilat kanë të bëjnë me udhëtimin apo kur besimtari konsiderohet udhëtar dhe gjëra të tjera, kemi në plan të shkruajmë, por i vetmi problem është gjetja e kohës së lirë, prandaj lusim Allahun e Lartësuar të na japë begati në kohë dhe të arrijmë t’i trajtojmë sa më shpejt çështjet e lartpërmendura.

Hoxhë Alaudin Abazi/klubikulutor

TË NGJAJSHME