ADHURIMI DUHET TË VAZHDON

Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)” (Hixhr:99)

Gjatë muajit të Ramazanit isha më afër Allahut të Madhërishëm, falja namaz vullnetar më shumë, e ndjeja kënaqësinë e adhurimit, lexoja Kuran më shumë, namazet i falja në xhami me xhemat, nuk shikoja atë që është e ndaluar që të mos e njollosja agjërimin tim, por… pas ramazanit e humba këtë kënaqësi e këto ndjesi në adhurimet e mia. Tani nuk e kam atë vullnet për vepra të mira siç e kisha na Ramazan, shpesh më ik namazi i sabahut me xhemat, më janë pakësuar namazet nafile, leximi i Kuranit gjithashtu… e të tjerat me radhë!

A ka për këtë gjendje ndonjë zgjidhje?

Po ka, për ty o vëlla dhe motër e nderuar do të përmendim 10 metoda për vazhdimësinë tënde në rrugën e Allahut, mundësisht ashtu siç ke qenë gjatë muajit të Ramazanit të jesh edhe pas tij. 

E para: dhe para çdo gjëje kërko nga Allahu ndihmë sepse Ai të ka udhëzuar dhe kërko nga Ai që të të forcojë ne fenë e Tij, ashtu siç është lutur Resulullahu alejhi salatu ue selam, kurse ne e dimë shumë mirë se sa më shumë se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem, kemi nevojë për këtë lutje! Ngase Allahu i Madhërishëm i ka lavdëruar në Kuran ata të cilët luten dhe thonë: Zoti ynë mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pasi që vetëm Ti je Dhuruesi më i madh. (Ali imran:8) Madje vetë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për këtë është lutur duke thënë: “O Ti që i rrotullon zemrat, ma përforco zemrën në fenë Tënde”. (Transmeton Tirmidhiu) kurse në një version tjetër: “O Ti që i kthen zemrat, ma kthe zemrën time në ibadetin për Ty. (Transmeton Muslimi)

E dyta: Ndeja me njerëz të mirë dhe të devotshëm si dhe prezantimi në hallkat ku përmendet Allahu, në vendet ku mbahen këshilla për fenë e Allahut të Madhërishëm apo vizita e vazhdueshme e nxënësve të dijes apo vëllezërve në përgjithësi prej të cilëve inshAllah çdo herë përfitojmë.

E treta: Njohja me jetëpërshkrimin e dijetarëve dhe njerëzve të dalluar në historinë e islamit, sahabëve, tabiinve, tabi-tabiinve dhe meditimi se si ata e kanë kuptuar këtë fe të ndritshme, e si pasojë kanë bërë që ky islam të arrijë në disa kontinente madje edhe të jenë më krenarët e më të lartit, gjë e cila sot nuk është e pranishme në umetin islam madje është e humbur dhe kujtohet me shumë nostalgji… Por duke mos harruar se ajo nuk është e pamundshme nëse ne marrim rrugën e tyre duke i ndjekur, e pa dyshim se nëse ne marrim këtë rrugë do ta gjejmë Allahun e Madhërishëm Ndihmëtarin më të mirë në këtë drejtim.

E katërta: Leximi i librave, dëgjimi i këshillave të hoxhallarëve të ndryshëm të cilët pa dyshim duke interpretuar fjalën e Allahut të Madhërishëm dhe të Resulullahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kjo ngjall tek ne ambicie dhe vullnet për punë të mira.

E pesta: Të jemi të kujdesshëm në faljen e pesë kohëve të namazit dhe në agjërimin kaza të atyre ditëve që na kanë mbetur pa i agjëruar gjatë muajit të Ramazanit sepse kur robi i respekton kufijtë e Allahut i Madhërishëm Ai kënaqet me të.

E gjashta: Të kemi kujdes edhe në veprat vullnetare edhe në qoftë se janë të pakta, pasi që për këtë Resulullahu-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë veprat e vazhdueshme edhe në qoftë se janë pak.

E shtata: Të mundohesh e të bësh një planprogram që të mësosh përmendësh sa të kesh mundësi nga libri i Allahut i Madhërishëm, pra Kurani e në të njëjtën kohë të mundohesh ta kuptosh e ta lexosh atë që e thua gjatë namazeve që ajo të të bëjë të jesh i përqendruar gjatë faljes së namazit.

E teta: Ta shpeshtosh dhikrin – të përmendurit e Allahut dhe istigfarin – kërkimin e faljes tek Allahu sepse këto vepra ndoshta duken të vogla por tek Allahu i Madhërishëm ata janë shumë të vlefshme dhe kanë shpërblim të madh inshAllah.

E nënta: Largohu sa më larg nga ato gjëra që ta prishin qetësinë e zemrës qofshin ato vepra, shokë, vende, libra, revista, muzika etj.

E dhjeta: Së fundi të këshilloj vëlla i dashur të pendohesh sa më shumë e sa më shpesh, pasi që siç ka ardhur në hadith të Resulullahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se: ”Allahu i Madhërishëm kënaqet me robin e Tij i cili pendohet pas mëkateve që i bën më shumë se sa njeriu i cili është në shkretëtirë e humbë devenë e tij me të cilën udhëtonte duke i humbur edhe shpresat se do të jetojë e kur e gjen atë nga gëzimi i madh i thotë Allahut : Unë jam zoti yt, e ti je robi im.”

Këto janë vetëm disa pika të cilat shpresojmë se besimtarin do ta mbajnë në binarët e Ramazanit, do ta bëjnë atë të kujdesshëm edhe pas Tij, do ta bëjnë atë që ai përsëri të mbetet i lidhur me Allahu, madje kjo na është urdhëruar edhe nga Allahu, i Cili thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta(vdekja)”.(Hixhr:99)

Nuk duhet haruar edhe diçka shumë të rëndësishme mbi të cilën duhet vendosur theksi fort, apo kjo pikë duhet shtjelluar pak më seriozisht e ajo është që mos u kthehemi mëkateve për arsye se Zoti i Ramazanit është edhe Zot i muajve të tjerë. Pra mos ta shkatërrojmë atë që e kemi ndërtuar me duart e tona prej veprave të mira, se prej shenjës së pranimit të veprës së mirë është pasimi i saj me të mirë. Madje këtë thënie na e përforcon edhe fjala e dijetarëve kur kanë thënë: “Shpërblimi i një të mire, është një e mirë pas sajë, ai që e vepron një vepër të mirë dhe pastaj e pason me një vepër tjetër të mirë, kjo është shenjë se Allahu ia ka pranuar këtë të mirë, e nëse pas ndonjë vepre të mirë ka bërë një vepër të keqe, kjo është sinjal se Allahu ia ka refuzuar atë vepër të mirë”.

Kurse kthimi në mëkate pas pendimit prej saj është krim dhe mëkat më i madh se sa para saj. Kurse ju besimtarë para jush e keni peshoren ku maten të mirat dhe të shëmtuarat e juaja, thotë Allahu i madhëruar: “Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem”. (Muminun 102-103) Ndërsa në suren Ali Imran Allahu thotë diçka edhe më të madhe sa i pëker mëkateve: (Kini frikë) ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe”. (Ali Imran 30)

Jo rastisht përpara se ne të mendojmë në këtë drejtim është kujdesur Allahu që ne të qëndrojmë stabil në këtë gjendje edhe në periudhën post-ramadaniane duke na këshilluar që ta shoqërojmë agjërimin e Ramazanit me agjërimin e 6 ditëve të muajit Sheval, ka thënë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.” (Transmeton Muslimi)

Në përsëritjen e agjërimit pas Ramazanit ka shumë dobi, e ne do të cekim disa prej tyre:

1. Prej saj e kemi dobinë se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve pas Ramazanit është si namazi nafile pas farzit, i plotëson mangësitë dhe të metat. Shumica e njerëzve në agjërimin e tyre obligativ kanë mangësi dhe me agjërim vullnetar plotësohen ato mangësi dhe të meta.

2. Prej dobive tjera është se përsëritja e agjërimit pas Ramazanit është shenjë e pranimit të agjërimit të muajit Ramazan. Allahu-azze ue xhel, kur ia pranon robit veprat e begaton pas saj me punë të mira, siç thonë disa se e mira shpërblehet me një të mirë pas saj.

3. Prej begative poashtu është se përsëritja e agjërimit pas Bajramit aludon në dëshirën e robit që të agjëron dhe se ai nuk është lodhur dhe mërzitur prej agjërimit të Ramazanit.

4. Prej dobive është se agjëruesve të Ramazanit shpërblimet e tyre u ndahen ditën e Bajramit. Ajo është ditë e shpërblimeve, prandaj rikthimi me agjërim në ditët e Shevalit konsiderohet si falënderim për këto begati. Begati më të madhe se sa falja e mëkateve nuk ka. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, falte namaz nate derisa i ënjteshin këmbët. Kur i thuhej: E bën këtë e Allahu t’i ka falur të gjitha gabimet e shkuara dhe ato të ardhme?! Ai përgjigjej: A të mos jem rob falënderues?! Allahu, subhanehu ue teala, robërit e tij i urdhëroi ta falënderojnë begatinë e agjërimit duke e përmendur Atë, Ai tha: (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.” (Bekare – 185) Pra prej falënderimit për dhuntinë e agjërimit të Ramazanit është agjërimi i ditëve të Shevalit më pas, madje disa muslimanë të gjeneratave të para kur falnin namaz nate të nesërmen gdhiheshin agjërues që me këtë ta falënderojnë Allahun për dhuntinë e faljes së namazit të natës. Uehb b. Uirdi kur pyetej për shpërblimet e disa ibadeteve siç është Tavafi dhe të tjera thoshte: Mos pyetni për shpërblimet e këtyre veprave, por pyetni se si duhet të falënderojmë, kur na mundësohet nga Allahu ta bëjmë atë vepër të mirë.

5. Prej dobisë së agjërimit të këtyre ditëve është edhe se me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit plotësohet shpërblimi sikur të ishte realizuar agjërimi pandërprerë të tërë vitit.

Dijeni o të nderuar vëllezër dhe motra se veprat me të cilat robi afrohet tek Zoti i tij gjatë Ramazanit, e afrojnë atë tek Allahu poashtu edhe pas mbarimit të Ramazanit, dhe se ai Allah i cili shpërblen dhe mëshiron gjatë Ramazanit është po i njejti Allah i cili shpërblen dhe mëshiron edhe pas Ramazanit. Dhe sa Ai Allah i cili fal dhe udhëzon gjatë Ramazanit është po i njejti Allah i cili fal dhe udhëzon pas mbarimit të Ramazanit .

Që ta kryejmë agjërimin e këtyre ditë sa më mirë duhet ditur edhe këto çështje:

Sa i përket asaj se a mund ti agjërojmë 6 ditët e Shevalit përpara kompensimit të ditëve të Ramazanit dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjë, mirëpo e vërteta është se ajo e cila duhet bërë më parë është kompensimi i ditëve të Ramazanit pastaj agjërimi i 6 ditëve, sepse ka thënë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.” kurse ai i cili i agjëron gjashtë ditët përpara ditëve që ka ti kompensojë, nuk e ka përcjell akoma Ramazanin, mirëpo ka përcjellur një pjesë të Ramazanit dhe se kompensimi është obligim kurse agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval është i pëlqyeshëm, kurse obligimit çdo herë i jepet përparësi përpara veprave vullnetare-nafile.

Nuk duhet haruar gjithashtu se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është sunet i vërtetuar nga Pejgamberi-salallahu alejhi ue selem, dhe lejohet të agjërohen një pas një, ose të ndara, sepse Pejgamberi i Allahut nuk e përcaktoi që këto ditë të agjërohen njëpasnjëshëm apo të ndara. Këto ditë nuk është e patjetërsueshme të agjërohen menjëherë pas Fitër Bajramit, mirëpo është e lejuar të fillohet me agjërimin e tyre një ditë ose disa ditë pas Bajramit.

Si përfundim themi vëlla i dashur mos u bëj prej atyre qe e njohin Allahun i Madhërishëm dhe fenë e tij me obligimet e saj vetëm gjatë Ramazanit sepse për këta njerëz selefet – të parët tanë të mirë kanë thënë: Mjerë për atë popull që e njeh Allahun vetëm në Ramazan. Pra nuk kalon asnjë ditë prej jetës së muslimanit vetëm se në të ka mundësi që të vepron vepra të mira të cilat e afrojnë kah Allahu, madje të qënurit besimtarë në këtë botë është posti më i lartë i mundshëm edhe nëse jemi më të varfërit në këtë botë, pasi që çdo ditë që kalon ne po e ndërtojmë xhenetin tonë dhe e zbukurojmë me veprat, fjalët, dhikret dhe adhurimet tona, a nuk pasurohen njerëzit dhe vrapojnë pas posteve pikërisht për këtë punë, që ta ndërtojnë dunjanë e tyre? Po porse “ndërtimi ynë” është më i sigurtë sepse i yni është i përhershëm kurse i tyre është i përkohshëm, prandaj o ju musliman falënderoni Allahun për këto begati dhe shfrytëzoni ato në nënshtrime ndaj Allahut dhe mos i humbni ato me mohim dhe shkujdesje, sepse pikëllimi më i madh i besimtarëve në ditën e gjykimit do të jetë për kohët kur kanë mundur ta përmendin Allahun nuk e kanë përmendur e si pasojë kanë humbur grada e grada në xhenetet e Allahut, pra të jemi nga ata që koha është gjëja më me vlerë tek ne…

Përgatiti:Nexhat Ceka