![ADOLESHENCA (MOSHA E PUBERTETIT) ADOLESHENCA (MOSHA E PUBERTETIT)](https://www.rtvpendimi.com/wp-content/uploads/2025/02/1q-1024x764.jpg)
ADOLESHENCA (MOSHA E PUBERTETIT)
– A është e vërtetë se periudha e pubertetit është periudha e lajthitjes dhe e devijimit?
* Jo, asnjëherë dhe assesi, biri im! Kur i riu e arrin këtë fazë të jetës, ashtu si rriten tek ai epshi dhe pasionet, rritet edhe animi i tij nga fetaria dhe kthimi nga Allahu. Këtë natyrshmëri Allahu e mbolli në shpirtin e njeriut të funksionojë me fillimin e periudhës së pubertetit.
Ata që jetojnë në humbje e devijim, janë pikërisht ata që e refuzojnë fenë e Allahut dhe jepen pas dëshirave të epsheve. Sikur ta meditoje jetëpërshkrimin e sahabëve kur ishin në këtë moshë, besoj se ky realitet do të qartësohej me shumë çiltërsi.
– Babi im! Përse shohim sot shumë të rinj të moshës madhore që janë mendjelehtë dhe labilë?
* Biri im, rinia nënkupton fuqi dhe gjallëri. Nëse nuk e shfrytëzojnë fuqinë e tyre në gjëra të dobishme, vetja do t’i angazhojë që fuqinë ta harxhojnë në argëtim dhe gjëra të kota, pa i menduar pasojat e mëvonshme. Nëse nefsin nuk e angazhon me nënshtrime, ai do të të angazhojë me gjynahe.
Në të kaluarën të rinjtë angazhoheshin me ambicie të larta, si: lufta në rrugën e Allahut, kërkimi i dijes e gjëra të tjera të dobishme. Madje, edhe në shoqëritë fshatare, që zakonisht mbështeten në mundin e djemve të tyre, të rinjtë punonin me familjet e tyre në fusha e bagëti, e shumë punë të tjera të dobishme. Në shoqëri të tilla nuk e gjen shumë të theksuar problemin që e përmende.
– Babi im! Disa të rinj shfaqin arrogancë dhe vrazhdësi në raport me prindërit e tyre e rrallëherë pajtohen me ta në mendime e t’u përgjigjen kërkesave të tyre! Përse e bëjnë këtë dhe a ka lidhje kjo sjellje me këtë periudhë që e përjetojmë?
* Po, biri im! Shumë të rinj i sheh tek këmbëngulin në mendimin e tyre pikërisht në këtë periudhë, ashtu si e përmende edhe vetë. E vëren se i kundërshton prindërit dhe i kundërshton mësuesit. Mendon se vetëm ai e ka mirë. Prej shkaqeve kryesore që e shkaktojnë këtë reagim është ndjenja e të riut se ai është bërë burrë dhe se ai nuk llogaritet më fëmijë si më herët, kështu që çdonjëri duhet ta dëgjojë e ta respektojë mendimin e tij. Me të duhet të sillen si me një burrë.
Janë dy çështje që e shtojnë ashpërsinë e këtij problemi:
- Të riut, edhe pse s’ka dyshim që në këtë moshë nuk llogaritet më fëmijë, por bën pjesë në mesin e burrave, i mungojnë shumë përvoja jete që i posedojnë ata që janë para tij. Por, megjithatë, e vëren se këmbëngul në mendimin e tij, qoftë dhe i gabuar.
- Disa baballarë, gjatë kësaj periudhe, e trajtojmë fëmijën e tyre si të vogël dhe fëmijë. Kështu, e shtyjnë të riun të ndiejë se nuk ia japin pozitën që e meriton, prandaj e merr guximin të këmbëngulë në këtë mënyrë në mendimin e tij.
– Ka nxënës që sillen me arrogancë me mësuesit e tyre: a ndikojnë të njëjtat shkaqe që sapo i përmende?
* Po, biri im, i njëjti shkak e bën të riun të rebelohet karshi mësuesve dhe refuzon t’u përgjigjet atyre.
– Babi im! Më herët tregove se një prej shkaqeve është fakti që prindi e sheh fëmijën ende të vogël. Më intereson se prej nga buron kjo pikëpamje?
* Janë disa shkaqe, biri im. Disa burojnë prej prindit, disa prej vetë fëmijës. Në këtë temë me rëndësi është se ka fëmijë që, kur hynë në periudhën e pubertetit, me vete e bartin sjelljen e fëmijës. Sheh se prioritetet i ka të njëjta me të fëmijës, lojërat dhe sjelljet e tij në shtëpi tregojnë se ende me mendje është fëmijë. Një urtësi thotë: “Njeriu do të jetë aty ku e pozicionon veten.”
Shkaku i dytë: kur i riu e vëren që janë paraqitur tek ai shenjat e pubertetit, fillon t’i duket vetja i madh dhe i aftë, edhe pse realisht në këtë periudhë atij i mungojnë shumë përvoja të cilat ai që është më i madh se ai në moshë i ka përjetuar në jetë. Në anën tjetër, të vjetrit e vërejnë se mendimet dhe perceptimet e tij ende i ka të kufizuara, prandaj e trajtojnë sipas këtij parimi.
Shkaku i tretë: përgjatë kësaj periudhe i riu më shumë i dëgjon këshillat dhe udhëzimet e shokëve sesa këshillat e prindërve ose të mësuesit të tij. Në përgjithësi, dihet që këshillave të shokëve u mungojnë përvoja dhe pjekuria. Shpeshherë ato e çojnë të riun të anojë nga rebelimi dhe e nxisin ta dëshmojë veten para të tjerëve.
– Përse në sjelljet e të riut dhe qëndrimet e tij ka rebelim dhe inat?
* I riu sheh se sjellja e tij e vërteton karakterin dhe e shfaq personalitetin e tij. Ai dëshiron që nëpërmjet sjelljes së tillë të japë sinjal që nuk është më fëmijë i vogël siç e mendojnë të tjerët.
– Por, unë, sa e di, këto sjellje dhe metoda si zakonisht nuk dalin të jenë të suksesshme, madje e dëmtojnë vetë personin. A kam të drejtë?
* Po, biri im. I riu rrallëherë i realizon qëllimet e tij nëpërmjet këtyre sjelljeve. Madje, edhe sikur të binden të tjerët se ato janë të sakta, prapëseprapë mund t’i refuzojnë kërkesat e tij. Njerëzit në përgjithësi nuk duan që dikush t’ua imponojë kërkesat e tij dhe ata ndiejnë se kjo metodë nuk përshtatet me moralin dhe edukatën që duhet ta posedojë i riu.
– Babi im, mirëpo unë po shoh disa të rinj se po arrijnë disa prej kërkesave të tyre pikërisht duke e përdorur metodën e ballafaqimit dhe inatit me të moshuarin?
* Po. Ka të rinj që u plotësohen kërkesat me këtë metodë, por dije se ato realizohen pa dëshirë. Njerëzve me një aspekt u imponohet ta bëjnë atë. Kjo i shtyn të kenë mendim të keq për këtë person. Është e vërtetë se ai arrin të realizojë kërkesa të kufizuara, mirëpo i humb njerëzit përreth tij dhe mendimin e tyre të mirë për të. Kjo është shumë më e shtrenjtë se kërkesat e tij të përkohshme.
– Atëherë, cila metodë është më e përshtatshme që i riu t’i bindë të tjerët se nuk është më fëmijë?
* Fillimisht ai duhet t’i bindë njerëzit se është bërë burrë me krejt kuptimin e fjalës burrëri. Këtë e arrin duke e ndryshuar mënyrën e jetesës, me ç’rast i lë pas vetes prioritetet e fëmijëve dhe kërkesat fëmijërore e jeton me moralin, sjelljen dhe baraspeshën e burrave. Kjo ka nevojë për përvojë dhe kalitje.
Prej gjërave të rëndësishme është ta përmirësojë moralin e tij me të moshuarit, t’i respektojë e t’i nderojë ashtu siç i ka hije pozitës dhe moshës së tyre.
Ai suksesin dhe ngritjen e tij në radhët e burrave duhet ta vërtetojë përgjatë arritjeve dhe suksesit në vepra. Pra, ai ua vërteton njerëzve burrërinë e tij me vepra e jo me fjalë. Këtë gjë e realizon nëse kujdeset t’i kryejë punët që i ngarkohen atij. Ato duhet të jenë të përshtatshme për të, sepse në këtë mënyrë mund ta japë maksimumin e tij dhe nuk shikon që sipërfaqësisht ta kryejë detyrën e dhënë. Njerëzit prej tij nuk presin që përgjegjësitë t’i realizojë siç i realizojnë të moshuarit. Ata janë të kënaqur prej tij me suksesin më të vogël që e arrin. Kjo i ndihmon që njerëzit të kenë mendim të mirë për të dhe t’i hapen dyert për kërkesat e tij.
Më pas mund t’i parashtrojë kërkesat dhe perceptimet e tij në mënyrë të qetë, të mbështetet në dialog dhe debat të logjikshëm e të qetë.
Për ta arritur gjithë këtë duhet ta ketë parasysh faktorin e quajtur kohë. Atij i duhet kohë derisa të shfaqen gjurmët e ndryshimit në personalitetin e tij.
Për fund, biri im, të drejtohem ty: disa njerëz nuk i respektojnë mjaftueshëm të drejtat e të riut, prandaj i riu në këtë rast duhet jetë i durueshëm dhe të shfaqë durim. Shqetësimi i tij le të fokusohet te realizimi i përgjegjësive që i ngarkohen atij më shumë sesa te realizimi i kërkesave të tij. Besoj që brenda një kohe të shkurtër, me lejen e Allahut, i riu do ta realizojë atë që e dëshiron.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)