thumbs_b_c_2e02f69c7da656285f64b676bb90ce86

Agjencia e OKB-së: Mbi 150.000 gra shtatzëna përballen me kushte të tmerrshme sanitare në Gaza

Lufta e Izraelit në Rripin e Gazës po lë dhjetëra mijëra gra shtatzëna të përballen me kushte të tmerrshme sanitare dhe rreziqe shëndetësore, paralajmëroi sot agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, transmeton Anadolu.

“Më shumë se 150.000 gra shtatzëna po përballen me kushte të tmerrshme sanitare dhe rreziqe shëndetësore në mes të zhvendosjeve dhe luftës”, tha UNRWA-ja në një deklaratë.

Agjencia e OKB-së publikoi një foto të një vajze të porsalindur në enklavën e shkatërruar nga lufta.

“Habiba ka lindur në një tendë të vogël. Ajo është 2 javë dhe më pak se 2 kilogramë peshë”, thuhet në të. “Asnjë fëmijë në botë nuk duhet të vuajë kështu”, shtoi agjencia.

UNRWA-ja përsëriti thirrjen e saj për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ku rreth 35.100 njerëz janë vrarë dhe mbi 78.800 të tjerë janë plagosur në ofensivën vdekjeprurëse izraelite që nga një sulm i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë afro 1.200.

Sulmet izraelite kanë detyruar disa spitale dhe qendra të kujdesit shëndetësor jashtë shërbimit, krahas mungesës së madhe të barnave dhe karburantit.

Më 24 prill, Tlaleng Mofokeng, raportuesja speciale e OKB-së për të drejtën për shëndet, tha se lufta e Gazës ka “shkatërruar plotësisht” sistemin shëndetësor atje dhe e drejta për shëndet është asgjësuar në “çdo nivel”.