Rtv Pendimi

AGJËRIMI I DITËVE TË SHEVALIT

Na përcillet se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, pastaj e pason atë me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval konsiderohet si të ketë agjëruar të tërë kohën.” 

Këtë hadith e shënon Imam Muslimi, nr. 2750, 2751, 2752, Ebu Davudi, nr. 2433, Tirmidhiu, nr. 759, Nesaiu, Ibën Maxheh, nr. 1716. Ahmedi etj. Hadithin në fjalë  e kanë përcjellë nga i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, disa shokë të tij: Ebu Ejub Ensariu, Xhabiri, Ebu Hurejre, Theubani, Ibën Abasi etj.

Rreth zinxhirëve të këtij hadithi ka pasur fjalë prej ca dijetarëve, të cilët i konsideronin si të dobët, por në të vërtetë mendimi më i saktë është se hadithi i përcjellë nga Ebu Ejub Ensariu është më se i saktë, sepse e transmeton Muslimi dhe hadithet e Sahihut të Muslimit janë të pranuara me konsensus si të sakta. Ndërsa zinxhirët e tjerë arrijnë gradën e sahihut, duke u bashkuar njëri me tjetrin dhe duke u forcuar mes vete. Sido që të jetë hadithi është i saktë pa kurrfarë dyshimi.

Komentimi i hadithit:

Në këtë hadith Profeti, salallahu alejhi ue selem, na mëson një rregull dhe traditë të tij madhështore, e cila nëse praktikohet ka një shpërblim të madh dhe të pakapshëm në asnjë kohë tjetër. Ai, salallahu alejhi ue selem, tregon se besimtari pasi ta agjërojë muajin e madhërishëm të Ramazanit është traditë profetikë ta pasojë atë me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, i cili në fakt është muaji i dhjetë hënor dhe sipas radhës vjen pas atij të Ramazanit. Pra, hadithi i lartpërmendur nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejt me Ramazanin, por me muajin që vjen pas tij, Shevalin. Gjithashtu kjo këshillë dhe propozim profetik na tregon vlerën e këtij agjërimi, që me të vërtetë është një mirësi hyjnore e Allahut për robërit e Tij, të cilën Zoti ia dha këtij umeti. 

Ai tregon se është më mirë që të pasohet agjërimi i detyruar i Ramazanit me gjashtë ditë pas tij, të cilat në fakt nuk janë të detyruara, por janë propozim dhe traditë profetike, si rrjedhojë e së cilës arrihet një shpërblim i madh, e ai është sikur njeriu ta agjëronte të tërë jetën e tij.

Agjërimi i këtyre ditëve është mirë të pasohet menjëherë pas Bajramit, më saktësisht lejohet që nga dita e dytë e tij, sepse agjërimi i ditëve të para të të dy bajrameve është i ndaluar ngaqë janë ditë festash, të cilat duhet të shoqërohen me ushqime dhe pije të mira sipas mundësisë së njeriut. Mirëpo nëse ndodh të agjërohen në fund të këtij muaji nuk ka kurrfarë problemi. Lind pyetja pse është më mirë të agjërohen sa më afër ramazanit? Kjo për disa arsye:

Sepse besimtari për një muaj të tërë është stërvitur me agjërim dhe do ta këtë më të lehtë shtimin edhe të gjashtë ditëve të tjera, e kur vonohet mund edhe t’i vështirësohet.

– Ngaqë ky agjërim konsiderohet si plotësim dhe përmirësim i lëshimeve dhe gabimeve të Ramazanit, siç falen namazet sunete pas farzit, ku prej qëllimeve të tyre është edhe plotësimi i mangësive të farzit.

– Sepse fjala profetike “Pastaj e pason (pra, ramazanin), nënkupton pasimin sa më të shpejtë të tij, edhe pse kjo arsye e fundit është diskutueshme ndërmjet dijetarëve.

Lejohet agjërimi i këtyre ditëve të ndara nga njëra tjetra, por sipas Imam Neveviut agjërimi i tyre bashkë njëra pas tjetrës është më i arsyeshëm.

Shumica e dijetarëve janë të pajtimit se ky agjërim është sunet apo traditë profetike për të cilën besimtari shpërblehet nëse e pason dhe nuk dënohet nëse nuk e praktikon. Mirëpo për habi pati nga ata, të cilët e kundërshtuan duke e ndaluar një agjërim të tillë. Shkak për këtë gjë ishte frika e tyre se një gjë e tillë do të konsiderohej bashkëngjitje me Ramazanin e do të kalonte në rrezik duke menduar njerëzit, sidomos injorantët, se edhe ato ditë janë pjesë e Ramazanit dhe në këtë mënyrë, sipas tyre, mund të arrijnë deri tek shpikjet në agjërim, siç patën vepruar popujt para nesh të cilët vazhdonin t’i shtonin agjërimit të tyre ditë tjera derisa Allahu i mallkoi. Disa prej tyre deshën të argumentohen me rastin e mosfaljes së sunetit menjëherë pas farzit, por ndarjen e tyre mes vete me dhikër (përmendje të Allahut) dhe tesbih, edhe pse ky argument vetëm se e vërteton mendimin, i cili është kundër tyre.

Mirëpo ky mendim, aq më tepër i bazuar vetëm në një argument logjik dhe dyshim për një mundësi të tillë është jo i saktë. Dijetarët iu kundërpërgjigjën këtij mendimi, duke thënë se një frikë e tillë nuk ekziston, sepse këto ditë në fakt nuk janë të ngjitura me Ramazanin sa të mendojë dikush se janë pjesë e tij, përkundrazi mes tyre ekziston një ndarje e madhe, të cilën e përjeton çdo njeri madje edhe ai që nuk di shumë. Për sa i përket rastit të ndarjes së namazit farz me atë synet përmes dhikrit dhe tesbihëve, edhe tek agjërimi kemi një ndarës të tillë, madje edhe më të madh se dhikri. Ne kemi ditën e bajramit, e cila është dhikër, tesbih, namaz, lutje, hutbe, festë, ushqim dhe pije, si çdo gjë tjetër përmes së cilës bëhet një ndarje më se e madhe mes agjërimit farz (Ramazanit) dhe atij sunet (gjashtë ditët).

Pati të tillë që u argumentuan me faktin se nuk kishin parë në vendin e tyre asnjë dijetar t’i agjëronte ato ditë. Por imam Neveviu i kundërvihet këtij mendimi me fjalën e tij: “Hadithi i Profetit, salallahu alejhi ue selem, është argument edhe nëse disa njerëz nuk e njohin apo nuk e punojnë, qofshin ata edhe mbarë dynjaja (Sherh Sahih Muslim, 7/297).

-Lind pyetja: Si ka mundësi agjërimi i këtyre ditëve të konsiderohet si agjërim i një viti të plotë?

Përgjigja është në fjalën e Allahut që na thotë: “Kush bën një vepër të mirë do t’i dhjetëfishohet shpërblimi i tij” (En’am, 160). Gjithashtu këtë e sqaron edhe transmetimi i Ibën Maxhes në të cilin përmendet: “Kush e agjëron ramazanin dhe pas bajramit i shton edhe gjashtë ditë konsiderohet si agjërim i tërë vitit, sepse kush vepron një punë të mirë do të shpërblehet dhjetëfish për të”.  

Pra, në Islam çdo vepër e mirë shpërblehet me së paku sa dhjetë punë të tilla, e vazhdon të shpërblehet sa shtatëqind të tilla, e ndodh të shpërblehet pa kufi: Por lind pyetja: a thua ky shumim i shpërblimit për punë të mira është mirësi e Allahut vetëm për umetin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, apo ishte edhe për popujt e tjerë?

Nuk ka dyshim se kjo mirësi është veçori vetëm e këtij umeti. Por kush është fshehtësia e kësaj veçorie dhe mirësie? Duke pasur parasysh se popujve të tjerë Allahu u dha jetë shumë më të gjatë, se ajo e umetit tonë, ata edhe patën mundësi të punojnë shumë punë, të cilat nëse krahasohen në numër me ato të këtij umeti janë shumë më tepër. E duke e ditur se Allahu është i Drejtë me robërit e tij deshi që këtë umet mos ta lërë mbrapa me shpërblime, por ua shtoi dhjetëfish shpërblimin për çdo vepër të mirë të tyre. E gjitha kjo në mënyrë që t’i arrijnë në shpërblim besimtarët e popujve të mëhershëm, të cilët patën mundësi që të jetonin qindra apo edhe mijëra vite. Këtu është edhe një mirësi tjetër me të cilën ky umet u veçua, ajo është se Allahu nga dashuria që kishte për ta nuk i la të jetonin shumë në këtë botë e të lodheshin duke u munduar të punojnë shumë, qoftë për këtë apo për botën tjetër, mirëpo ua shumëfishoi sevapet e një pune duke mos u lodhur si të tjerët para nesh, e pastaj i merr tek Vetja e Tij që t’i shpërblejë. Iu dha jetë më e shkurtër se çdo popull tjetër, sepse kjo botë, siç thotë edhe i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, “është burg për besimtarin”, prandaj Allahu nuk e le shumë në burgun e Tij atë që e do, por e nxjerr në liri sa më shpejt të jetë e mundur.

-Thamë se agjërimi i Ramazanit dhe i gjashtë ditëve të Shevalit konsiderohet si agjërim i tërë vitit, por kjo kurrsesi nuk aludon se agjërimi i tërë vitit është i parapëlqyer sipas Islamit. Kjo për vetë faktin se është vepër e shpikur, të cilën argumentet fetare e kundërshtojnëI Dërguari, salallahu alejhi ue selem, në një hadith të tij tregon se “agjërimi më i mirë është ai i Davudit, alejhi selam, i cili një ditë agjëronte e tjetrën jo”.

Kur u pyet se a ka më mirë se kjo mënyrë ai u përgjigj:  “JO”.

Zoti ua shtoftë veprat e mira të gjithë besimtarëve dhe i pranoftë ato.

Përgatiti: Lulzim Susuri

TË NGJAJSHME