Rtv Pendimi
Agjërimi Dija & Daveti

AGJËRIMI I GJASHTË DITËVE TË SHEVALIT – RREGULLA DHE DOBI

  1. Muaji Sheval[1] është muaj i bekuar. Është muaj i adhurimit dhe me të fillojnë muajt e haxhit[2]. Pëlqehet agjërimi i gjashtë ditëve të tij dhe njashtu preferohet kompensimi i itikafit[3] për atë që nuk e pati mundësinë të qëndrojë në itikaf gjatë Ramazanit. Shevali është muaj i aktit të martesës (niqahut) dhe ruajtjes së nderit në hallall.[4]
  2. Myslimani pasi ta agjërojë muajin e Ramazanit ligjërohet t’i agjërojë edhe gjashtë ditë nga Shevali. Agjërimi i gjashtë ditëve është sunet i pëlqyer dhe jo detyrim, e kanë vlerën e madhe dhe shpërblimin e madh.
  3. Ai që pas muajit Ramazan i agjëron edhe gjashtë ditë nga Shevali i shkruhet shpërblimi i agjërimit të një viti të plotë, ashtu siç erdhi në hadith ku Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.”[5]
  4. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: ‘Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish’.” (El-Enam: 160)”[6]
  5. Nëse dikush pyet: Pasi agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit shumëfishohet me dhjetë syresh sikur shumëfishohen në përgjithësi të mirat, atëherë cili është privilegji i agjërimit të gjashtë ditëve?

I përgjigjemi: Dijetarët e shkollës juridike hanbelite dhe shafiite deklaruan se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pasi të agjërohet Ramazani është ekuivalent me agjërimin e një viti agjërim të detyruar.[7]

  1. Nga dobitë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit është plotësimi i mangësisë që ka ndodhur në agjërimin e detyruar të Ramazanit, ashtu siç përcillet në hadith: “Gjëja e parë nga veprat që robi do të japë llogari ditën e Kiametit është namazi i tij, nëse atë e ka në rregull fiton dhe shpëton, e nëse atë nuk e ka në rregull dështon dhe humb. Nëse ka diçka mangësi në namazin e detyruar Allahu do t’u thotë melaqeve shikoni se a ka robi Im diçka nga namazet vullnetare dhe me to t’i plotësohen mangësitë e namazeve të detyruara. Pastaj kështu vazhdon llogaritja e veprave të tjera.”[8]
  2. Përcillet për disa dijetarë se agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e konsideruan të urryer me pretekst se ekziston frika që disa nga myslimanët të mendojnë se ato janë pjesë e Ramazanit.

Mirëpo më meritor dhe më i drejtë të ndiqet është suneti i vërtetë profetik, dhe nuk braktiset suneti për mendimin e ndokujt, kushdo qoftë ai, dhe arsyetimet e tyre “nuk mund ta kundërshtojnë sunetin e vërtetë dhe ata që e dinë argumentin kanë përparësi të pasohen karshi atyre që nuk e dinë.”[9]

  1. Për ta larguar sa më shpejt përgjegjësinë para Allahut, më mirë është të fillohet me kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit, andaj ai që nuk e ka agjëruar me arsye ndonjë ditë të Ramazanit le të përshpejtojë ta kompensojë dhe ta lajë borxhin e tij. Kompensimit i jepet prioritet para veprave vullnetare nga pikëpamja e përgjithshme.
  2. Kush e dëshiron shpërblimin e cekur në hadith, fillimisht le t’i kompensojë ditët e humbura të Ramazanit, e pastaj le t’i agjërojë gjashtë ditët e Shevalit[10].

Fjala e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali” dukshëm aludon në atë se fillimisht plotësohet agjërimi i Ramazanit, e pastaj agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, “sepse pasimi i agjërimit të Ramazanit me gjashtë ditët e Shevalit, siç ka ardhur në hadith, mund të realizohet vetëm nëse është plotësuar agjërimi i muajit Ramazan.”[11]

  1. Nuk lejohet kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit së bashku me gjashtë ditët e Shevalit me një nijet të përbashkët. Ai që me arsye e ka prishur agjërimin e Ramazanit nuk lejohet që agjërimin vullnetar të gjashtë ditëve dhe kompensimin e ditëve të humbura të Ramazanit t’i agjërojë me një nijet të përbashkët.
  2. Lejohet që gjashtë ditët të agjërohen pa shkëputje apo veç e veç brenda muajit Sheval, sipas mundësive që i ka agjëruesi, nëse i vonon deri në fund të muajit nuk është problem, e në veçanti për atë që i shkojnë mysafirë apo bashkohet për ndejë me të afërmit e tij për Bajram dhe ditët pas. Në këtë çështje ka hapësirë.
  3. Lejohet që agjërimi i ditëve të bardha dhe ditës së hënë dhe të enjte, të agjërohen me një nijet të përbashkët me gjashtë ditët e Shevalit dhe kështu të shpresohet që agjëruesi t’i arrijë të dyja shpërblimet.

I këtij mendimi është edhe dijetari Abdulaziz ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Shpresohet që agjëruesi ta arrijë shpërblimin e dy agjërimeve, sepse atij i llogaritet edhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit po edhe i ditëve të bardha. Mirësia e Allahut është e madhe dhe e gjerë.”

“Ai që i agjëron gjashtë ditët e Shevalit dhe tri ditët e bardha me një nijet të përbashkët, e merr shpërblimin e dy agjërimeve .”[12]

  1. Nëse agjërimi i gjashtë ditëve bie në ditën e shtunë, agjëruesi lejohet ta agjërojë këtë ditë, sepse ai nuk e veçon ditën e shtunë me agjërim, por e agjëron ngase është pjesë e agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.
  2. Kujt i ka mbetur Ramazani pa agjëruar dhe kompensimi i tij e përfshin krejt muajin Sheval, sikurse gruaja në periudhën e lehonisë, ajo gjashtë ditët e Shevalit i agjëron në muajin Dhulkade që vjen pas Shevalit, dhe shpërblimi i saj do të jetë sikurse i ka agjëruar në Sheval, sepse vonimi në këtë rast ka qenë me arsye dhe i detyrueshëm[13]. I këtij mendimi është dijetari Ibën Uthejmini dhe Ibën Sa’dij, Allahu i mëshiroftë.[14]
  3. Kujt i kanë mbetur ditë për t’i kompensuar nga Ramazani dhe nuk i agjëron pa asnjë arsye në Sheval, për të nuk ligjërohet që gjashtë ditët e Shevalit t’i kompensojë në Dhulkade dhe nuk e arrin shpërblimin, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet dhe me përfundimin e muajit ka ikur koha e vet pa arsye.
  4. Nga besimet e kota dhe jo të drejta është besimi i disave se ai që agjëron gjashtë ditët e Shevalit në ndonjë vit, më pas detyrohet t’i agjërojë për çdo vit që vjen.

Kjo nuk është e vërtetë, sepse agjërimi i gjashtë ditëve është sunet, kushdo i agjëron dhe për të shpërblehet. Ai që i agjëron gjashtë ditët një herë apo më shumë herë, më pas nuk detyrohet të vazhdojë t’i agjërojë për çdo vit dhe nuk merr mëkat nëse nuk i agjëron.

  1. Disa besojnë se kush fillon me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit është i detyruar t’i plotësojë ato derisa t’i përfundojë dhe nuk arsyetohet nëse i ndërpret apo nuk i agjëron të gjashtat.

Kjo nuk është e vërtetë sepse në hadith është cekur: “Ai që agjëron vullnetarisht është udhëheqësi i vetes, nëse do agjëron, e nëse do nuk agjëron.”[15]

Agjëruesi mund ta ndërpresë agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit, me arsye apo pa arsye, dhe nuk detyrohet kompensimi i tyre sipas mendimit më të saktë, por i ik shpërblimi i përmendur në hadith i cili nuk arrihet përveçse me plotësimin e agjërimit të Ramazanit duke e pasuar atë me gjashtë ditët e Shevalit.

  1. Nga risitë që nuk kanë bazë në fe është festimi i ditës së tetë nga Shevali pasi plotësohen gjashtë ditët me agjërim. Këtë ditë dhe festë e quajnë si “dita e punëmirëve.”

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dita e tetë e Shevalit nuk është festë, as e punëmirëve dhe as e punëkëqijve, dhe nuk i lejohet askujt të besojë se kjo ditë është festë dhe të shpikë në të diçka nga ritet e festave.”[16]

  1. Nga risitë është abstenimi nga martesa në muajin Sheval me pretekst parandjenjës së keqe për fatin e martesës. Arabët muajin Sheval e llogaritnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë dhe besonin se gruaja në këtë muaj duhet të abstenojë nga burri i saj, sikurse abstenon femra e devesë kur mbetet me barrë dhe e ngrit bishtin e saj.

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e prishi këtë besëtytni të tyre dhe u martua me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, në muajin Sheval dhe hyri dhëndër me të në muajin Sheval.[17]

  1. Pëlqehet martesa, të martuarit dhe hyrja dhëndër në muajin Sheval, duke e ndjekur kështu traditën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe duke e kundërshtuar besimin e kotë të periudhës para Islamit që e kishin, të cilët besonin se martesa është ogurzezë dhe ndjellakeqe në Sheval. Besimtari pëlqehet ta ndjekë këtë traditë profetike e në veçanti nëse ky besim i kotë është i përhapur dhe i shpërndarë në shoqëri.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e pëlqente që gratë të martohen me burrat e tyre në muajin Sheval.[18]

  1. Nga bindjet e kota është besimi i disave se kush martohet në mes dy bajrameve, Fitër dhe Kurban Bajramit, njëri nga dy bashkëshortët do të vdesë apo do të vijë deri te ndarja e njëri-tjetrit.

Ky besim është i kotë dhe nuk ka bazë askund në fe. Është pretendim i njohjes së të ardhmes dhe të fshehtës që nuk e di askush përveç Allahut, dhe është njollosje e imanit në caktimin e Allahut dhe është parandjenjë e keqe e ndaluar dhe ogurzezë.

Martesa e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, është argument i qartë dhe kundërshtim i këtij besimi të kotë.

 

E lusim Allahun që veprën ta pranojë dhe të na ndihmojë që ta përmendim Allahun, ta falënderojmë dhe ta adhurojmë ashtu si është më e mira.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed El-Munexhid

Përktheu nga gjuha arabe: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri “SEZONET E ADHURIMIT”)

[1] Muaji Sheval është muaji i dhjetë sipas kalendarit hixhri dhe vjen pas muajit Ramazan. (sh.p.)

[2] Muajt e haxhit janë muaj Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e Dhulhixhes. Muajt e haxhit Allahu i bëri sezonë nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu tha: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. (El-Bekare: 197.) Shejh Salih el Feuzan, Allahu e ruajttë, thotë: “Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, dhe Ismailit, alejhi selam, dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikur se nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.” (Hutbe me titull: Muajt e Haxhit dhe vlera e tyre – Shejh Feuzan) (sh.p.)

[3] Itikaf do të thotë qëndrimi në xhami me nijet adhurimi dhe përmendje të Allahut. Është sunet si për burra ashtu edhe për gra dhe itikafi ligjërohet të bëhet gjatë tërë vitit, mirëpo ajo më e pëlqyera është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Atij që me arsye i ka ikur itikafi në fund të Ramazanit preferohet ta kompensojë në Sheval. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i ndodhi një herë t’i ikë itikafi në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe atë e kompensoi në fillim të Shevalit. (Buhariu dhe Muslimi). (sh.p).

[4] Arabët muajin Sheval e llogarisnin ndjellakeq dhe ogurzi për martesë, prandaj Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u martua dhe hyri dhëndër në Sheval që t’ua bëjë me dije se ato janë besëtytni dhe nuk kanë të bëjnë me realitet. Pra, nga suneti është martesa në Sheval, e sidomos nëse ato bindje të kota janë të përhapura në shoqëri. (sh.p.)

[5] Muslimi (1164).

[6] Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[7] Ky shpërblim vjen shkaku se një e mirë shpërblehet me dhjetë, kështu që për një muaj agjërim shpërblehet sikurse me pas agjëruar dhjetë muaj ose sikurse me pas agjëruar diku 295 apo 296 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë), dhe për gjashtë ditë agjërim të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar dy muaj agjërim ose diku 59 ose 60 ditë (shkaku se muajt hixhri janë 29 dhe 30 ditë). Kjo i bie që për një muaj agjërim të Ramazanit dhe për gjashtë ditë të Shevalit shpërblehet sikurse me pas agjëruar një vit të plotë (hixhri – i cili i ka 355 ditë ose saktësisht 354 ditë e 8 orë e 48 minuta përafërsisht), sepse një e mirë shpërblehet me dhjetë. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Shevali, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.” Muslimi (1164). Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e sqaroi kuptimin e hadithit të lartpërmendur dhe tha: “Kush agjëron muajin e Ramazanit, është sikur ka agjëruar dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit pas Fitër Bajramit është sikur ka agjëruar dy muaj. Kështu, plotësohet një vit: “Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish” (El-Enam: 160.)” Imam Ahmedi (22412), Ibën Maxheh (1715), Ibën Huzejme (2115), shejh Albani hadithin e saktësoi. (sh.p.)

[8] Ebu Davud (864), Et-Tirmidhij (413), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[9] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/390).

[10] Disa dijetarë e lejojnë që njëherit të agjërohen gjashtë ditët e Shevalit, e pastaj të kompensohen ditët e humbura të Ramazanit, edhe pse normalisht më së mirë është që njëherit të kompensohen ditët e Ramazanit, e pastaj të agjërohen ditët e Shevalit. Tek hanefitë lejohet pa urrejtje, kurse tek malikitë dhe shafiitë edhe pse lejohet po prapë e urrejnë të fillohet njëherit me agjërimin e gjashtë ditëve para kompensimit të Ramazanit, kurse hanbelitë e ndalojnë që të fillohet me gjashtë ditët para kompensimit të Ramazanit. Shih: https://ar.islamway.net/fatwa/3366/ dhe http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&lang=&Option=FatwaId&Id=3718. (sh.p).

[11] El-Lexhneh Ed-Daimeh (10/392).

[12] Ibën Uthejmini.

[13] Ka mendime të ndryshime për sa i përket kompensimit të gjashtë ditëve të Shevalit në Dhulkade, disa dijetarë e shohin se agjërimi i saj në Dhulkade është njëlloj si në Sheval, disa e shohin se nëse agjërohen në Dhulkade ka shpërblim mirëpo jo si në Sheval, disa e shohin se nëse nuk mund të plotësohet agjërimi në Sheval me arsye  shpresohet për agjëruesin t’i marrë shpërblimet. Dijetari Ibën Baz, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk ligjërohet kompensimi i tyre pasi të kalojë Shevali, sepse agjërimi i tyre është sunet dhe koha e saj ka ikur, pavarësisht a i ka lënë me arsye apo pa arsye.” Njashtu tha për atë që i agjëron katër ditë nga ditët e Shevalit dhe nuk i plotëson të gjashtat me arsye: “Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit janë adhurim i preferuar dhe jo i detyruar dhe ti e merr shpërblimin për ato ditë që i agjëron në të dhe shpresohet të marrësh shpërblimin e plotë nëse ka pasur pengesë dhe arsye që të kanë penguar ta plotësosh deri në fund, bazuar në hadithin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, atij i shkruhen shpërblimet, sikurse ka qenë vendas dhe i shëndoshë” (Buhariu). Andaj nuk duhet t’i kompensosh ditët që të kanë mbetur. (Mexhmua fetava Ibën Baz, 15/389, 395). Burimi: https://islamqa.info/ar/83292 (sh.p.)

[14] El-Fetava es-Sa’dijeh (fq. 230), Mexhmua fetava Ibën Uthejmin (20/19).

[15] Imam Ahmedi (26893), Et-Tirmidhij (732), shejh Albani hadithin e saktësoi.

[16] El-Ihtijarat el-Ilmije.

[17] Muslimi (1433).

[18] Muslimi (1423).

Të ngjajshme

MUAJI SEFER -15 RREGULLA DHE DOBI

Irfan Jahiu

TËRMETET – 22 DISPOZITA DHE RREGULLA –

Irfan Jahiu

FILLIMI I VITIT SHKOLLOR

Irfan Jahiu

MUAJI MUHARREM DHE DITA E ASHURËS

Irfan Jahiu

DITËT E TESHRIKUT – DISPOZITA DHE DOBI

Irfan Jahiu

BAJRAMI – RREGULLA DHE DISPOZITA

Irfan Jahiu

DITA E ARAFATIT- DISPOZITA DHE DOBI

Irfan Jahiu

IBADETET E MUAJIT DHUL HIXHE

Irfan Jahiu

KURBANI -DISPOZITA DHE RREGULLA  

Irfan Jahiu