AGJËRIMI, LEXIMI dhe gjërat tjera që ju bëjnë MË TË MENÇUR!

Nëse e keni përshtypjen se nuk ekziston ndonjë gjë që ju bën më të mençur, atëherë mendoni prapë…

Shkencëtarët dikur mendonin se inteligjenca varet nga gjenetika dhe se nuk mund të bëni asgjë për ta përmirësuar atë. Por, tani neuroshkencëtarët kanë zbuluar se ky konstatim është i rrejshëm. Sipas tyre, ekzistojnë disa gjëra që ju bëjnë më të mençur, transmeton Telegrafi.

Meditimi

Një ndër mendimtarët më me ndikim të kohës sonë, neuroshkenctari Sam Harris, tregon se meditimi është metodë e rëndësishme e mjeshtërimit të vetvetes. Ai e ka dedikuar një pjesë të madhe të jetës së tij për ta praktikuar meditimin dhe vazhdimisht ia rekomandon lexuesve dhe dëgjuesve të vet.

Përveç që pohon se meditimi e lehtëson dhimbjen, zvogëlon stresin dhe depresionin, ai beson se meditimi e përmirëson edhe funksionin konjitiv dhe gjeneron qeliza të reja të trurit.

Këtë e mbështesin edhe shkencëtarët dhe hulumtimet e ndryshme, ku një studim tregon se meditimi i vazhdueshëm e rrit materien e hirtë në zonat e trurit që ndërlidhen me mësimin dhe kujtesën.

Leximi

Kjo mund t’ju duket tejet e qartë, por leximi është një ndër gjërat që ju bën më të mençur. Disa studime kanë treguar se leximi sjell efekte pozitive në fjalor, fitim të njohurive të përgjithshme dhe aftësi abstrakte të arsyes.

Rekomandohet të bëni lexim kualitativ dhe të lexoni ngadalë për t’i mbajtur në mend  ato që i lexoni.

Agjërimi

Agjërimi është praktikë e cila ka qenë pjesë e stileve religjioze të jetës për shekuj të tjerë. Agjërimi parasheh ‘ndaljen’ e konsumimit të ushqimit për një periudhë të caktuar kohore.

Ju mund të keni menduar se ta ndaloni trupin nga vlerat ushqyese mund t’ju bëjë vetëm dëm, por faktikisht kjo dukuri vetëm sa sjell efekte pozitive në funksionin e trurit.

Megjithatë, ekspertët rekomandojnë që për ta rritur inteligjencën duhet të agjëroni vetëm çdo të dytën ditë (pra një ditë po, një ditë jo) sepse ky lloj i agjërimit e stimulon rritjen e qelizave të reja të trurit dhe e mbron trurin nga Alzheimeri dhe sëmundjet tjera neuro-degjeneruese.

Ushtrimet e rregullta fizike

Ushtrimet e rregullta fizike janë dëshmuar se sjellin efekte drastike në funksionin e trurit. Hulumtimet e kryera në minj zbulojnë se vrapimi në mënyrë dramatike e rrit performancën që ndërlidhet me mësimin dhe kujtesën.

Të njëjtat eksperimente gjithashtu kanë zbuluar se efektet e ushtrimeve fizike janë prezente edhe dy javë pasi të keni ndaluar së ushtruari. /Telegrafi/