Ai më rrah shumë shpesh dhe shumë ashpër…

Pyetje:

Selam alejkum!

Ka disa muaj që jam udhëzuar dhe fali pesë kohët e namazit (jo gjithmonë sabahun) dhe tash kam filluar të mendoj për gjithçka ndryshe… Kam një hall goxha të madh. Qe një kohë jam me një djalë, i cili më bëri davet dhe është sebep që jam udhëzuar me dashjen e Allahut. Ai ka qenë shumë problem para se të udhëzohej, ka marrë droga të ndryshme dhe ka pirë shumë alkool por Allahu i madh e ka udhëzuar. Ne filluam si shumë mëkatarë të tjerë në aso mënyre, së pari të provojmë e pastaj  të vendosim se a jemi njëri për tjetrin… Pas tre muajsh ai filloi të më premtojë se shumë shpejt do të fejohemi e martohemi dhe nuk e bëri dot, ma ndali fakultetin, më nuk dal me asnjë shoqe, as në shitore, as nuk marrë frymë ndryshe por vetëm si thotë ai… Ai më rrah shumë shpesh dhe shumë ashpër për gjëra të kota se bëhet nervoz shumë shpesh pa shkaqe të rëndësishme dhe nuk më lejon të shkoj në shtëpi… Ka katër ditë që nuk shkoj në shtëpi sepse e kemi bërë lidhjen familjarisht e po “bashkëjetojmë”. Katastrofë… Nuk po mundem më, po pres të fejohemi por sa herë që nxehet situata që të fejohemi ai më rrah… Unë po i ndahem por nuk po më le… po pendohet…. s’e di… po kam frikë se do të vdes si zinahqare nëse ndahem prej tij… e di që edhe kjo gjendje në të cilën jemi është shumë e keqe dhe shumë gjynah, por nëse ndahem me kusht që s’po më marton ai do të më harrojë krejt… edhe çka tani??? Jam si e martuar, kujdesem për të, laj, fshij, i bëj ushqim, pasi bashkëjetojmë, por nuk më çmon fare… Ju lutem për një përgjigje më të gjatë… Prindërit e mi kanë qenë shumë kundër, po ky për gjithçka më kërcënohej që më len, si: nëse shkon në shtëpi do të ndahemi, nëse nuk bashkëjetojmë do të ndahemi, “ne shumë shpejt do të martohemi”, “çka ka lidhje”, a edhe ai i falë pesë kohët e namazit dhe lexon shumë, por nuk po i zbutet zemra…

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër myslimane, siç je në dijeni, feja islame është fe universale, e shpallur nga Allahu i Madhërishëm, që është program jete për ata që e përqafojnë dhe i përfillin udhëzimet e saj. Njerëzit janë ata që identifikohen me islam e asnjëherë Islami nuk identifikohet me individin. Feja islame mbetet me identitetin e saj më të lartë dhe origjinal: “Feja e vetme e pranuar tek Allahu është islami” (Kur’an: 3:19)

Nëse ajo që keni përshkruar në pyetjen tuaj është e vërtetë, atëherë djali në fjalë e ka përzier Islamin me epshet e tij dhe që në një mënyrë përpiqet që gjithçka që i pëlqen ta trajtojë si legjitime sipas fesë, e që nuk është ashtu. Këtë e them, pasi ju jeni udhëzuar dhe e keni kuptuar realitetin. Përndryshe e kaluara e juaj, siç ke përmendur, konsiston të lindë këso probleme të mëdha të jetës dhe shkatërruese të qetësisë shpirtërore dhe fizike.

Ju përpos që duhet të pendoheni sinqerisht për të kaluarën tuaj, duhet që tani e tutje ta ndërtoni lidhjen tuaj në baza fetare. Bashkëjetesa e një çifti pa kontratë martesore, është e ndaluar-haram dhe çdo gjë që del nga kjo bashkëjetesë është jolegjitime. Kontrata martesore pa lejen e prindit, po ashtu është jolegjitime.

Andaj ju them, se ju për hir të së ardhmes tënde, mos u ndaj nga djali, sikur që mos jeto asisoj asnjë çast, pa marrë parasysh kërcënimeve dhe sjelljes brutale e dhunës fizike të djalit. Mos e vë veten në pozitë të tillë, që për ju më e lehtë të jetë jeta pa lumturi sesa ndarja nga një ish-narkoman, që përkundër udhëzimit të tij dhe namazit që e falë, nuk ka arritur të kuptojë se lidhja e paligjshme me ju, bashkëjetesa, dhuna ndaj jush, mashtrimi për martesë, përmendja e paskrupullt e ndarjes janë mëkate të mëdha, të cilat aspak nuk “i rrinë mirë” një myslimani të penduar.

Shembulli i juaj, le të shërbejë mësim për femrat e tjera, që i besojnë meshkujve, qofshin edhe të pjekur fetarisht, dhe kryejnë marrëdhënie intime, pra humbin virgjërinë para se të martohen dhe e çojnë veten drejt një robërimi ndaj tekeve dhe sjelljeve të ulëta të atyre meshkujve “të dashur” e premtues deri sa ta arrijnë qëllimin e tyre të keq, të cilin medoemos një ditë do ta paguajnë.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku