Ajsbergu më i madh në botë mund të përplaset me një ishull në brigjet e Atlantikut
Written by Hevzi on January 23, 2025
Ajsbergu më i madh në botë thuhet se po përparon drejt një ishulli të Britanisë në Oqeanin Atlantik me jetesë të konsiderushme kafshësh dhe mund të përplaset me tokën, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi të BBC-së, pamjet satelitore kanë treguar se masa e akullnajës e emërtuar “A23a”, e njohur si ajsbergu më i madh në botë dhe që po lëviz nga Antarktida drejt veriut, po vazhdon përparimin e saj në Oqeanin Atlantik.
Masa, e cila është shkëputur nga vorbulla ku ishte bllokuar për muaj të tërë, përbën rrezik për South Georgia dhe ishujt South Sandwich, të cilët janë shtëpia e shumë llojeve të pinguinëve dhe fokave. Ekziston rreziku që masa të godasë rajonin e arkipelagut të South Georgia që ndodhet në juglindje të kontinentit të Amerikës së Jugut.
Ekspertët po vëzhgojnë me shqetësim lëvizjen e ajsbergut në këtë rajon, ku shumë kafshë ngordhin pasi nuk mund të mbërrijnë në vendet e tyre të ushqimit për shkak të përplasjeve të kaluara të akullnajave.
A23a, për të cilën thuhet se mund të ndahet në copa të mëdha ndërsa shkrihet në ujërat e ngrohta, vlerësohet se mund të endet nëpër ishujt e Mbretërisë së Bashkuar për vite me rradhë.
– A23a filloi të lëvizte drejt veriut
A23a u shkëput nga brigjet e Antarktikut në vitin 1986, duke u vendosur në tokë në Detin Weddell. A23a, që u bë një ‘ishull akulli’, kaloi përsëri në lëvizje në vitin 2024 pas më shumë se 30 vjetësh. Masivi akullnajor në pranverë u kap nga një vorbull gjigante dhe filloi të lëvizte drejt veriut.
Sipërfaqja e A23a në vorbull u mat afërsisht 4 mijë kilometra katrorë dhe trashësia e saj ishte afërsisht 400 metra.