Shumë njerëz vuajnë nga analfabetizmi emocional.
Ata janë të aftë në zotërimin e shumë aftësive, ata kanë shumë aftësi dhe talent, por kanë shkathtësi emocionale të një TREVJEÇARI. Ne nuk lindim me aftësi të tilla, por duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje arsimimit emocional.
Shumica prej nesh e dimë se cilat janë parimet e shëndetit të mirë fizik, domethënë ushqimi dhe stërvitja e balancuar, duke fjetur çdo natë ndërmjet 7 – 9 orë dhe duke kryer ekzaminime të rregullta mjekësore për t’u siguruar që çdo gjë është në rregull.
“Të dëgjuarit empatik i një personi tjetër, i jep atij ajrin psikologjik.” – Stephen R. Covey
Megjithatë, elementi që e neglizhojmë në mënyrë pothuajse alarmante gjendet në mes veshëve tanë: truri tonë. Ne doemos duhet t’i kushtojmë vëmendje treguesve të shëndetit tonë emocional, ose aftësisë për t’i ndjerë jetën dhe marrëdhëniet, për të kuptuar, kontrolluar dhe ndryshuar disponimin tonë dhe të të tjerëve.
Qenia njerëzore është shumë më tepër se një sërë aftësish gjuhësore, matematikore ose teknologjike. Ne mbi të gjitha jemi qenie shoqërore dhe emocionale, dimensione që shpesh injorohen dhe madje nënvlerësohen nga institucionet arsimore. Prandaj, ne duhet të përballemi me këtë, nuk kemi nevojë shumë për të zgjidhur ekuacionin e shkallës së dytë nëse nuk mund të komunikojmë në mënyrë efektive dhe të ndjejmë empati për njerëzit rreth nesh.
Çfarë është analfabetizmi emocional?
Termi “analfabetizëm” ka domethënie negative, megjithatë, nuk mund ta quajmë ndryshe pos një psiko-realitet të dukshëm. Për shembull, sot shumë flitet për liderët e transformimit. Janë njerëz që janë në gjendje t’i organizojnë punët me energjinë e tyre, falë menaxhimit të mirë të inteligjencës emocionale, falë motivimit dhe talentit të tyre për të ndikuar te të tjerët dhe për të krijuar ambient në të cilin njerëzit mund ta përdorin kreativitetin e tyre.
Le të shohim, pra, se cilat dimensione karakterizohen nga analfabetizmi emocional!
Pamundësia për t’i kuptuar dhe menaxhuar emocionet tuaja.
Vështirësia për t’i kuptuar emocionet e të tjerëve.
Kjo mungesë dhe vetëdije emocionale shpesh i vendos në pozitë shumë të ndjeshme. Ata reagojnë ndaj çdo problemi, ndjehen plotësisht të përmbytur në çdo vështirësi, qofshin ato të vogla apo të mëdha.
Aftësitë e tyre shoqërore janë shumë të rreptë dhe ndonëse ndonjëherë mund të zhvillohen, ata ndjejnë mungesën e ndjeshmërisë, këmbënguljes dhe afërsisë autentike me ata që krijojnë marrëdhënie të rëndësishme, por nuk janë të motivuar vetëm nga interesat e tyre.
Nga ana tjetër, shpenzimet e analfabetizmit emocional mund të jenë të mëdha: mendimi polarizues, represioni, racizmi ose seksizmi, narcizmi, ngulitja se gjithmonë kanë të drejtë…
Ekziston edhe një fakt tjetër që nuk është më pak i rëndësishëm dhe duhet të mbahet mend. Analfabetizmi emocional ose mungesa e mekanizmave psikologjike dhe emocionale që menaxhojnë më mirë dimensione të tilla si trishtimi, zemërimi, frika ose zhgënjimi na bëjnë më të ndjeshëm ndaj një sërë çrregullimesh mendore.
Gjendjet e tilla si depresioni ose ankthi kronik janë të zakonshme tek njerëzit të cilët kanë pak ose aspak aftësi për të menaxhuar më mirë këto gjendje të brendshme.
Rëndësia e edukimit të inteligjencës emocionale
“Ne duhet ta edukojmë veten rreth inteligjencës emocionale”, duhet ta praktikojmë këtë aftësi dhe të jemi më të aftë rreth gjërave emocionale. Këtë e kemi dëgjuar atë, apo e kemi lexuar nëpër libra, dhe pajtohemi sa herë që kujtojmë se sa e rëndësishme është të kemi kompetenca dhe aftësi.
Megjithatë, edhe më tutje ekzistojnë mangësi. Megjithëse plani mësimor i disa shkollave e kanë miratuar këtë lëndë, nuk mund të injorojmë diçka që ka rëndësinë e barabartë, nëse jo edhe më të lartë nga subjektet e tjera. Para se mësuesit dhe profesorët të fillojnë t’i edukojnë fëmijët në fushën e zotërimit të mendimeve dhe emocioneve, ata paraprakisht duhet të edukohen.
Ne shpesh vijmë në një moshë të rritur me shumë pasiguri. Çdo ditë, lindim me vetëdije se na mungojnë mjetet për t’i kapërcyer emocionet tona dhe disa aftësi për zgjidhjen më të mirë të problemeve. Në këtë mënyrë, nëse nuk fillojmë ta kuptojmë vetëdijesimin për analfabetizmin tonë emocional, vështirë se do ta kemi aftësinë për t’i motivuar fëmijët, dhe për t’i mësuar ata për ndjeshmërinë, këmbënguljen dhe aftësitë shoqërore…
“Edukimi i mirëfilltë emocional” paraqet dobi të madhe. Para së gjithash do të mësojmë se çdo emocion ka hapësirë për dobi, dhe se dallimet në mes emocioneve “negative” dhe “pozitive” nuk janë gjithmonë të sakta, sepse në të vërtetë gjërat që i konsiderojmë negative, siç janë pikëllimi dhe dëshpërimi, kanë hapësirë të dijes, dobisë dhe domethënie të çmueshme.
Pra, nuk mund t’i shmangni emocionet, dhe duhet të merremi me emocionet për ta kuptuar atë që ata duan të na tregojnë. Ajo paraqet një mënyrë sensacionale të vetëdijesimit që na jep forcën, duke na ofruar një pamje më të gjerë dhe më fleksibël rreth botës.
Le të kujdesemi për këto bota të brendshme të cilat ne mund t’i njohim, shfaqim dhe menaxhojmë me ndjenja, kështu që ata të jenë në dobinë tonë, dhe jo kundër nesh.
Burimi: lamenteemeravigliosa.it
Përshtati: Lutfi Muaremi
[Breziiri]