Apple e rrezikon Samsung për pozitën e liderit global në telefona

Rënia e fundit e Samsung në shitjet e telefonave e ka lejuar rivalin e saj kryesor Apple që ti afrohet shumë, për ta marrë titullin e të parin në industrinë e telefonave mobil.

Siç kemi raportuar tashmë, Apple i ka shitur 74.5 milionë njësi të iPhone në tremujorin e katërt të vitit, dhe me këtë i është afruar shumë pozicionit të prodhuesit të famshëm jugkorean – Samsung.

Sipas të dhënave të reja të Strategy Analytics, tani Apple së bashku me Samsung kontrollojnë më shumë se 19.6 për qind të tregut global, dhe janë shumë afër njëra tjetrës për tiullin e prodhuesit më të madh në botë të telefonave të mençur mobil.

Numrat e nxjerrë nga ky raport vendosin në pah rënien e Samsung në 2014 kundrejt viteve të mëparshme. Samsung ka shitur 11.5 milionë telefona më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatësisht në tremujorin e fundit të 2013.

Për tremujorin e fundit të 2014, Samsung ka publikuar rënie të shitjeve prej 11 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë në 2013, dhe një rënie të fitimit prej 27 për qind.

Ndërkohë, me një fitim prej 18 miliardë dollarësh dhe të ardhurat e përgjithshme që arrijnë në 74.6 miliardë dollarë për një tremujor, Apple e ka shënuar tremujorin më të mirë ndonjëherë si një kompani publike.

Shitjet e iPhone të Apple gjatë këtij tremujori arritën në 38,6 për qind të shitjeve të saj vjetore, duke theksuar rritjen absolute në shitje që kompania e ka parë në tremujorin e fundit të 2014.

Tregu i telefonave të mençur u rrit me 31 për qind vitin e kaluar. 1.3 miliard telefona të mençur janë shitur në nivel global gjatë vitit, me kontribut të madh nga tregjet në zhvillim, si India dhe Kina. (Telegrafi)