Apple shet 73 milionë iPhone 6 për tre muaj, Apple Watch vjen në mars!

Një analist i KGI Securities që është shumë i njohur kur bëhet fjalë për kompaninë Apple ka publikuar një raport të ri të hulumtimit sa i përket shitjeve të kompanisë amerikane, përkatësisht shitjeve të iPhone 6.

Në raportin e ri analisti Ming Chi Kuo ka parashikuar se Apple ka arritur të shesë një numër të jashtëzakonshëm të modeleve të reja të iPhone, përkatësisht 73 milionë njësi për tremujorin e katërt të vitit 2014.

Sipas raportit të njëjtë thuhet se Apple do ta lansojë edhe orën e saj të parë digjitale, Apple Watch, dhe se debutimi i saj zyrar do të ndodhë gjatë muajit mars.

Edhe pse Apple ka qenë shumë e kujdesshme sa i përket detajeve për orën e saj që pritet të paraqitet në treg brenda këtij viti, pritjet janë që karakteristikat e orës së shumë-pritur të Apple të bëhen të ditura pak kohë para debutimit të saj zyrtar.

Ndërsa sa i përket parashikimeve të shitjeve për iPhone 6, raporti thotë se iPhone 6 ka kontribuar me 42 milionë njësi të shitura për tremujorin e katërt të vitit të kaluar, dhe iPhone 6 Plus me vetëm 16 milionë njësi.

Raporti thotë se në tremujorin e parë të vitit 2015, Apple do të arrijë të shesë mbi 61 milionë njësi të telefonave të saj më të ri të gjeneratës iPhone 6. (Telegrafi)