– Një femër hipi në taksi dhe u ul në ulësen anësore të shoferit, kurse ulëset prapa ishin të lira.
(Ajo ishte gruaja e taksistit)
– Një burrë me mjekër kalon pranë xhamisë, e njerëzit janë duke u falur, e ai kalon pa hyrë fare në xhami.
(Ai vetëm se është falur në xhaminë tjetër ku falet namazi menjëherë pas ezanit)
– Një njeri u ul afër një tjetrit në tren, e i dha selam, mirëpo nuk ia ktheu selamin!
(Shumë thjesht, nuk e dëgjoi)
– Shoku yt i shkollës refuzon të dalë natën për të pirë kafe së bashku me ju.
(Ai nuk është koprrac, mirëpo e sheh prindin se si lodhet dhe mundohet t’i dërgojë të holla për çdo muaj)
Në shumicën e rasteve ti nuk sheh, përveçse një pjesë të fotos, e pjesën tjetër paramendoje pozitivisht, me qëllim që mos t’i lëndosh njerëzit dhe mos t’ua marrësh të drejtat. Ki mendim të mirë për të tjerët, që të jesh i qetë dhe të tjerët të jenë të qetë nga ti.
Një nga të parët tanë fisnik tha: “Nëse e sheh një nga vëllezërit e tu mysliman se nga mjekra e tij pikon alkool, duhet të thuash ndoshta i është hedhur mbi mjekër alkool.”
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Pasha Allahun, njeriu e ka vështirë që për vete ta dijë qëllimin e tij në veprën e tij, e si merr guximin që të flasë për nijetet e të tjerëve?!”
Prandaj, kërkoni arsyetime për vëllezërit tuaj dhe kini mendim të mirë për ta, dhe gjithmonë thoni se ndoshta ai ka ndonjë arsye, por ne nuk e dimë.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU